Një tragjedi amerikane

Postuar në 20 Dhjetor, 2012 03:22
Ilir Hashorva

Në shkollën fillore “Sandy Hook”, në qytetin Newtown, në shtetin Konektikat të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një i marrë 20-vjeçar, me armët e nënës së tij, me armë të rënda, me armë sulmuese, të cilat mund t’i blesh në dyqan ashtu siç mund të blesh një kavanoz salce, vrau 20 fëmijë të moshës nga 6-7 vjeç, nënën e tij,  5 mësues të shkollës dhe në fund edhe veten e tij. Një tragjedi ngjethëse.

Nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit vrasja e njerëzve të pafajshëm, por si shpjegohet që ngjarje të tilla të ndodhin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më shpesh se kudo gjetkë në botë, në superfuqinë e botës, në vendin që e mbajnë si shembullin e mirë, në vendin që mban më se 3 milion njerëz të burgosur, që përdor dënimin me vdekje e që policinë e ka me të vërtet të fortë?

Po t’i pyesësh amerikanët, të thonë se shkaku kryesor që ndodhin vrasje është leja e pakufizuar që ka popullsia të blejë dhe të mbajë armë dhe po t’i pyesësh pastaj se përse shteti nuk ndalon armatosjen e popullsisë, të thonë se është e drejta e qytetarëve amerikanë për të mbajtur armë, e drejtë që nuk mund t’u hiqet, sepse ashtu do të shkeleshin të drejtat e njeriut. Një absurditet i vërtetë! Ata pranojnë vrasje masive të herë pas hershme, habiten se si ndodhin, shprehin keqardhje, ndezin qirinj, mbajnë meshë në kishë, mbajnë fjalime prekëse, mbajnë zi, dhe pastaj të gjithë e harrojnë atë që ndodhi, për t’u kujtuar pak më pas prej ngjarjeve të ngjashme dhe për të përsëritur ritualet.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë raste vrasjesh ndryshe nga ç’kanë vendet e tjera, si për nga numri, ashtu dhe nga personat që janë vrarë. Gjatë historisë amerikane, jo vetëm njerëz të zakonshëm, por edhe njerëz të shquar kanë gjetur vdekjen nga atentatet. Duke filluar nga presidenti më i famshëm, nga Abraham Lincolni, që u vra me atentat në vitin 1865, mund të vazhdojmë me vrasjen e presidentit James A. Garfild që u vra me atentat në vitin 1881, me presidentin William McKinley që u vra me atentat në vitin 1901, me presidentin John Fitzgerald Kennedy që u vra me atentat në vitin 1963, me presidentin Ronald Reagan që u plagos në tentativën për ta vrarë në vitin 1981. Përveç presidentëve, në Amerikë është vrarë me atentat personaliteti më i shquar për të drejtat e njeriut, Martin Luther King, në vitin 1968 si dhe një numër tjetër i madh personalitetesh të jetës dhe politikës amerikane. Jo vetëm në Amerikë, por edhe në luftërat jashtë vendit, amerikanët kanë treguar egërsi dhe dhunë ekstreme. Raste të tilla dhune ka në Vietnam, në Irak dhe në Afganistan. Mjafton të kujtojmë ato që ndodhën  kohët e fundit në burgun Abu Greib në Irak

Mbajtja e armëve në shtëpi, dhe e armëve gjithfarëshe, jo vetëm që bëhet shkak për vrasje, sepse, siç ka thënë Dostojevski, vetë mbajtja e armës të bën që ta përdorësh atë dhe të vrasësh me të, por armët në shtëpi krijojnë edhe një atmosferë dhe psikologji dhune, vrasje dhe lufte. Thuhet se nëna e kriminelit që kreu vrasjet në shkollë me armët e saj, e çonte vetë djalin në poligone qitjeje për ta mësuar për përdorimin e armëve.

Sigurisht, heqja e të drejtës së qytetarëve për të mbajtur armë do ta pakësonte numrin e vrasjeve që kryhet me ato armë, por ka edhe arsye të tjera si shkaktare të vrasjeve që nuk lidhet thjesht me mbajtjen e armëve. Arsyeja kryesore, mendoj unë, është në përgjithësi mënyra e jetës Amerikane të cilën e dominon dhuna. Rrallë shfaqen filma në Amerikë pa dhunë, rrallë të qëllon të shohësh në metronë e Nju Jorkut reklama pa dhunë, pa armë, pa vrasje, pa gjak. Madje, edhe lodrat e fëmijëve dhe lojërat e të rriturve janë me dhunë, edhe muzika, sidomos e sotmja, është acaruese dhe e dhunshme.

Mendoj se e gjitha kjo bëhet sepse Amerika i do qytetarët e saj “të fortë” e të përgatitur për luftë. Fryma militariste në Amerikë është shumë më e fortë se në vende të tjera. Në çdo ceremoni zyrtare, duke filluar nga ato të shkollave e deri tek ato qeveritaret, fryma militariste bije përnjëherë në sy. Çdo ceremoni bëhet me pjesëmarrje të ushtarakëve dhe të forcave të armatosura amerikane. E pashë këtë për herë të parë në ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor në shkollën e mesme ku mësoi vajza ime dhe thashë me vete: “po ushtarakët ç’duan këtu?” Pastaj e pashë edhe në ceremoni universitetesh dhe e shoh vazhdimisht në programet televizive. Pa u hequr kjo frymë dhe pa u zëvendësuar kjo me një frymë më paqësore dhe më njerëzore, do të ketë pak shpresë që gjendja të ndryshojë.

Tomas Mori (More) në vitin 1518 botoi librin e tij “Utopia”. Në të tregohet për një ishull në hemisferën jugore, ku çdo gjë ishte bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndër të tjera, Mori thotë: “Therja e kafshëve kryhej nga njerëz të caktuar, kryesisht nga të dënuar të burgosur. Të tjerëve nuk u lejohej therja e kafshëve, në mënyrë që të mos u lindte dhe t’u zhvillohej ndjenja e egërsisë. Gjuetia nuk inkurajohej.”

Në nëntor të vitit 2009, në bazën më të madhe ushtarake amerikane, Fort Hud në Teksas, majori i ushtrisë amerikane që punonte aty dhe së shpejti do të shkonte në Irak, Nidal Malik Hasan, i lindur dhe i arsimuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me origjinë palestineze, hapi zjarr dhe vrau 13 shok të tij ushtarakë dhe plagosi mbi tridhjetë të tjerë. Natyrisht, të gjithë pyesnin se përse e bëri ai këtë, si ishte e mundur që ndodhi? Përgjigjet qenë të shumëllojshme: dikush thoshte se ai ishte mysliman dhe myslimanët janë vrasës, dikush tjetër thoshte se ai ishte palestinez dhe nuk e shihte me simpati politikën amerikane ndaj Izraelit dhe Palestinës, dikush thoshte se ai ishte arab dhe nuk mund të shkonte në Irak të luftonte kundër vëllezërve të tij arabë. Të gjitha këto mund të kenë njëfarë baze. Por, mendoj unë, ka edhe një arsye tjetër, një arsye që m’u përforcua pasi pashë pamje filmike nga baza ushtarake ku ndodhi masakra. Në pamjet që pashë, tregoheshin tanke që lëviznin brenda bazës në koracat e të cilave ishin shkruar me germa të mëdha kapitale fjalët: “BORN TO KILL” “I LINDUR PËR TË VRARË” ,  kur mund të thuhej fare mirë një parullë më e pranueshme si, për shembull “I LINDUR PËR TË MBROJTUR VENDIN TIM,” apo “I LINDUR PËR TË MBROJTUR TË PAMBROJTURIT”, apo të mos shkruhej asgjë E gjithë stërvitja fizike, mendore e shpirtërore e ushtarakut amerikan sillet rreth idesë së vrasjes! Dhe një njeri që edukohet në atë mënyrë, nuk ndalet në vrasjen  e atij që i thuhet se është armiku i tij, por kalon edhe te vrasja e shokëve, madje edhe e vetes.

Mënyra më efikase e uljes së masakrave të tilla në Amerikë, është ndryshimi urgjent i edukimit të amerikanëve. Edukimi i amerikanëve duhet të kalojë nga ai luftarak e i dhunshëm, tek ai paqësor e njerëzor; nga ai acarues, në atë qetësues.

Comments

Submitted by antishqiptari (not verified) on

<p>Po pse mor shoku, me ca do t&#39;a pushtojne dynjane shoket amerikane, me rober te kulturuar qe dine t&#39;i bien pianos???</p><p>&nbsp;</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.