Një Grillo i dobishëm, një Grillo i dëmshëm dhe një Grillo shqiptar

Postuar në 06 Mars, 2013 17:33
Mustafa Nano

Mund të lindë në Shqipëri një “Grillo”? Kjo pyetje, kështu si po e shtroj, lë të nënkuptuar se një Grillo është i mirëseardhur këtyre anëve, e në këtë kuptim dua të saktësoj shpejt e shpejt se me “Grillo”, teksa shtroj këtë pyetje, kuptoj një lëvizje të protestës kundër establishmentit të korruptuar politiko-ekonomiko-kulturor e një mobilizim njerëzish që nuk mund të pajtohen më me gjendjen e vështirë, apo të pashpresë, në të cilën ndodhet vendi i tyre. Kuptohet, një Grillo i tillë është për t’u mbështetur.

Mirëpo fenomeni “Grillo” është shumë më tepër sesa kaq. E prandaj ky fenomen, në tërësinë e vet, unë mendoj se duhet parë me dyshim. E pranoj që ai është frymëzues për një numër gjërash e në një numër drejtimesh. Fjala vjen, beteja e tij për një etikë tjetër publike në drejtimin e vendit nuk ka të sharë. Apo më tej, ulja e kostove të politikës, ulja e rrogave dhe reduktimi/zhbërja e përfitimeve/privilegjeve të të zgjedhurve, apo ideja për ta ndërtuar një aleancë, jo mbi bazën e logjikës për të ndarë poste e portofole, por mbi bazën e logjikës për të gjetur pika të përbashkëta në axhendat e projektet e partive që kanë vullnetin për të bashkëpunuar në qeverisje, këto pra dhe të tjera, janë për t’u përshëndetur. Ishte domethënëse situata, kur menjëherë pas zgjedhjeve, teksa eksponentë të rëndësishëm të Partisë Demokratike po hidhnin në stilin e vjetër idenë “për t’i falur” partisë së Grillos postin e kryetarit të Dhomës së Deputetëve apo të Senatit (kuptohet, me synimin për ta kandisur e ndjellë në një koalicion qeverisës), vetë Grillo u dëgjua të reagonte gati me tërbim: “E kuptoni apo jo, që ka filluar një epokë e re? E kuptoni apo jo, që neve nuk na interesojnë poltronat? E kuptoni apo jo, që neve na interesojnë pikat e programit që kemi?”

Ka të drejtë në tërbimin e tij, s’ke ç’i thua. Kjo logjika e ndërtimit të koalicioneve mbi bazën e marrëveshjes për ndarje postesh ta shpif. Afërmendsh, nuk është një praktikë italiane. Është një praktikë e kudogjendshme. Aty ku mezi dallohet, thjesht është e maskuar. Me fjalë të tjera, është shumë e rrallë të gjesh një parti në botën demokratike që t’i thotë të parit të një partie tjetër më të madhe, të ngarkuar për të bërë Kryeministrin, se “ok, tani që kemi rënë dakord mbi programin e përbashkët qeverisës, nuk na intereson më muhabeti i ndarjes së posteve; kompozimi i kabinetit është çështja jote; madje, ne po të themi se nuk duam të jemi pjesë e kabinetit; ne jemi këtu për të vlerësuar personalitetet që ti do të zgjedhësh për t’i bërë ministra; ne do të jemi në Parlament për të ndjekur e monitoruar me lupë aktivitetin e qeverisë; punë të mbarë!” Pak a shumë këtë sjellje fantastike Grillo e ka vënë në jetë në “parlamentin” e Sicilisë, ku mbështet një shumicë fare të brishtë të PD-së sa herë që kjo e fundit bën gjëra të pëlqyeshme për të. Dhe në një farë kuptimi, Grilloja atje qeveris pa qenë në qeveri.

Por Grillo ka anën e tij të errët, ashtu siç ka dhe anën e tij në terr. Për sa i takon “anës në terr”, duhet thënë se askush nuk e di se cili është projekti i tij politik i plotë, i saktë, i kopsitur. Duket se dhe vetë Grillo nuk e njeh deri në fund këtë projekt, e prandaj shfaqet në një numër rastesh duke improvizuar. Qasjen improvizuese e ka demonstruar deri në kufij butaforikë, aq sa dhe intervistën e parë pas zgjedhjeve e dha te porta e shtëpisë së vet, mes gazetarëve të shumtë që po i merrnin frymën, dhe mes kakofonisë së kuptueshme që u provokua nga ai komunikim. Nuk është çudi që Grillo ta shohë këtë si një gjest që synon rinovimin e praktikës së komunikimit publik, dhe si një gjest që i përgjigjet premtimit të tij për të ulur kostot e politikës (një konferencë tradicionale për shtypin ka kosto), por në të dyja rastet bëhet fjalë për improvizime që s’ngjisin. Ajo që bëri me gazetarët te shtëpia ishte bezdisëse, e kotë, e tepërt, e pafrytshme, dhe ngjante si skenë e vjedhur nga pazari ynë i Roskovecit. Ndërsa ulja e kostove të politikës deri në këtë nivel është një pesë me hiç. Një kosto minimale për të garantuar funksionimin e partive është – janë të shumtë politologët që i mbahen kësaj ideje – një kosto fiziologjike e demokracisë.

“Do të ndryshojmë botën”, u thotë ai duke u ngrefosur gazetarëve të huaj, mirëpo ky pretendim autoreferencial që i ka lindur pas zgjedhjeve thjesht nyjëtohet, e nuk shpjegohet, e prandaj ka rrezik që t’mos e marrin për vizionar; përkundrazi, ka rrezik ta marrin për paranojak; ose – kjo ka ndodhur tanimë – për kloun.

Por më shqetësuese mbetet ana e tij e errët. “Institucionet u përkasin qytetarëve”, thotë ai, dhe me këtë ka dashur të nënvizojë nevojën, dhe apelin, për më shumë demokraci. Demokraci? Në këtë pikë, Grillo nuk duket se ka tagër për të mbajtur leksione. Po, është e vërtetë, kandidatët e tij për deputetë u zgjodhën nga votuesit online, dhe ky është një manifestim gjenuin i paparë demokracie (duke qenë “gjenuin dhe i panjohur më parë”, do të na duhet të presim ca për të kuptuar, nëse një demokraci kaq gjenuine është dhe funksionale), por fakti që Grillo u hakërrehet të zgjedhurve të vet, që nuk pranon të vihet në diskutim fjala e tij, që nuk do të njohë një pavarësi minimale të deputetëve e senatorëve të Lëvizjes “Pesë Yjet”, një e drejtë e njohur dhe nga Kushtetuta e Republikës, që forumet i mbledh larg syve të mass-medias, që zgjedhjet në këto forume i bën në stilin “e miratimit me dorën të ngritur”, që nuk del në ballafaqime publike me të tjerët, që u ka mbyllur dyert gazetarëve italianë, atyre gazetarëve që kanë raportuar çdo aktivitet të tij, që për kundërshtarët rezervon veç fyerje vulgare, që me këta nuk pranon as të ulet, as të takohet, as të bisedojë, e as të arrijë një marrëveshje etj., etj., të gjitha këto pra flasin për një këndvështrim disi allasoj të Grillos për demokracinë e transparencën. Po të shtojmë këtu edhe, së pari faktin që ai kritikat e denoncimet e gjendjes së sëmurë nuk i shoqëron me receta shërimi, e së dyti synimin që ai ka për të pasur me çdo kusht e me çdo çmim një shumicë të vetën në Parlamentin italian, gjë që ai mund ta arrijë duke qëndruar në opozitë, veç në opozitë, Grilloja na del edhe i frikshëm.

E vërteta është se mbulimi mediatik i Tiranës e ka sjellë fenomenin “Grillo” në Shqipëri në versionin e tij më të mirë, pra si një lëvizje kundër një establishmenti të korruptuar, e në këtë kuptim, ky fenomen është për t’u përshëndetur. Po kthehem te pyetja e kreut, atëherë: Mund të lindë një Grillo “i mirë e goxha burrë” në Shqipëri?

Sipas meje, jo. Absolutisht jo. Grilloja “i mirë e goxha burrë” ka lindur atje ku establishmentit, edhe pse është i korruptuar dhe i paaftë për të bërë reforma, nuk i shkon kurrë në mendje për të bllokuar afirmimin e nismave e aksioneve politike që janë alternative me të. Madje, duhet thënë se establishmenti në Itali nuk ka asgjë në dorë për të bllokuar lëvizje të tilla. Grillo ka injoruar ftesat që i janë bërë për të qenë nëpër studio televizive, por për të është folur pa fund edhe në këto studio, edhe gjatë edicioneve informative, edhe në programe të tjera, edhe në gazeta, dhe kjo është një provë se sistemi italian, të paktën në terma të demokracisë, ka nevojë të përsoset, por jo të përmbyset. Shkurt, në Itali ekzistojnë hapësirat, mjetet e resurset, që bëjnë të mundur lindjen e inkurajimin e një aksioni të fortë e të bujshëm politik nga hiçi, edhe në rastet pra kur ky aksion synon zhbërjen e establishmentit në veçanti apo të sistemit në përgjithësi.

Ndërsa Shqipëria është një tjetër planet. Këtu te ne sistemi është ngritur i tillë, me synimin që së pari të mbrojë establishmentin, e së dyti të shkurajojë e të luftojë çdo alternativë të ndryshme prej establishmentit (le ta provojë ndokush që t’u japë munxët gazetarëve, pronarëve, programeve, gazetave, televizioneve, dhe të denoncojë lidhjet korruptive të gazetarisë me politikën, dhe është e sigurt që për të, dhe me të, s’ka për t’u folur kurrë në media). Me një fjalë, këtu te ne nuk është vetëm establishmenti që është i korruptuar, madje tërësisht i korruptuar, por është i tillë dhe vetë sistemi, rendi i gjërave, morali publik dhe etosi kolektiv, media, shoqëria civile, institucionet e strukturat shtetërore, gara politike e jopolitike. E meqenëse jemi te gara, këtu te ne ende vidhen votat e manipulohen zgjedhjet.

Për ç’Grillo mund të flitet në këto rrethana?

SHQIP

Comments

Submitted by Ilir (not verified) on

Sa per Grillon ai eshte nje Girolamo Savonarola i koheve te sotme (Nuk po i quaj moderne), thjesht nje njeri qe perpiqet te frymezoje turma, asgje me teper sa per kundershtimin e gjitha ambienteve qofte edhe ato mediatike behen per faktin qe te mos bier ne laqet dhe kurthet e salloneve italiane te te gjitha niveleve,politike mediatike,te biznesit. Sa per grillon ka nje pune shume shume te madhe n.q.s vertet  ka ndermend ti beje ato qe thote dhe kjo do nisur qe nga ishulli i larget i "Sicilise".......m.gj.th mbetet nje thjesht nje iluzionist, ajo qe eshte ne Itali eshte nje sistem i tere qe do reformuar nuk po e quaj permbysur se duket si revolucionare....apo edhe anarkike. ne Itali nuk ka "Barazi Sociale" por vetem klane pa fund te gjitha llojeve, politike, farefisnore, mafioze, biznesi, mediatike, industriale, ushtarake, fetare katolike, myslimane, jewish, masonike..... etj.......

Sa per Shqiperine eshte nje vend shume e vogel me nje Shoqeri te mberthyer nga Patrialkalizmi ekstrem sic eshte Nderi, deri te Rrugceria ekstreme,politike, kriminale, hajdute..mafioze...te gjitha bashke perbejne nje vend qe per me teper njihet per trafikim droge, femrash, armesh, vrasje te te gjitha llojeve. Nje industri Kriminale.......

Submitted by Saimir (not verified) on

Establishmenti sundues ne Shqiperi ne aparence ka te gjitha ato atribute qe e shtyjne Nanon te jete pesimist, por te mos harrohet se ka pasur nje establishment qe nuk ishte bazuar mbi blerjen ose shantazhin e bashkepunimit, ashtu sic po ndodh sot, e megjithate u rrezua per tre muaj ndonese kishte nje aparat represiv ne sherbim. A ka nje Grillo ne Shqiperi? Ne rast se kerkohet ne radhet e atyre qe jane pjese e establishment, dhe jo do osdoshmerisht ne pushtet sot, edhe mund te mos kete. Jashte tij, ka jo pak. Por ato duhet te mbeshteten dhe jo te keqperdoren per nje mesazh, nje interviste, dhe pastaj te lihen me jane pasi nuk mbeshtesin opoziten ose nje alternative te pranueshme nga gazetaret e shitur.

Submitted by raimondi (not verified) on

Absolutisht Shqiperia nuk ka nevoje per nje Grillo _-qe e ben oponencen tipike shkateruese se sa konstruktive

Shqiperia nuk duhet te ndikohet aspak nga rjedhat politike te Italise _-Shqiperia protesten ndaj te emtave te pushtetit  duhet ta kanalizoje tek opozita dhe te beje nje jete te regullt demokratike , pozite -opozite _Jo t e hidhet ne krahet e pasionit politik shkaterues tip Grillo , se ne jemi shtet i vogel, rethuar nga armiq te shumte dhe ne fillimet tona demorkatike __Ndaj ne dueht te krijojme nje sistem solid demokratik klasik, pozite -opozite, ku  gjithe theksi jone ti kushtohet Respektimit te Votes

Pra ne si ne fillim qe jemi te harijme te bejme votim te REGULLT --Te na behet kulture qe vota te mos preket se eshte e shenjte -Dhe pasi te kemi established kete institucion te votes , atehere cdo gje per ne do shkoje Shkelqyer _____-Se votimi do tregoje gjithmone vullnetin e popullit dhe ne kete menyre do forcohen ne menyre tip reaksion zinxhir te gjitha institucionet si gjykata, prokuroria, policia etj qe do futen ne regullin e jetes se shendeteshme demorkatike

Ne kete menyre ne krijojme themele te shendosha per nje demokraci funksionale ku vota e popullit  respektohet dhe ka  fjalen per  pushtetin ..dhe jemi ne regull fare __

Italianet me Grillot e tyre ti leme  menjane -Ata le te vazhdojne sipas tipit te tyre te rremujshem --Ne nuk duhet ne asnje menyre te futemi ne ato ujera ........se ato e cojne demorkacine shume prane ANARKISE, gje qe eshte shume shume e demshme per ne qe jemi ne fillmet e jetes demorkatike

Sot nuk jemi si ne kohen e Dulles ku shikonim Tv italian dhe na dukej se politka italiane dhe muzika e tyre ishte superbe ...........kur ne fakt ato jane tejet mediokre, per te mos thene qesharake----

--Sot kemi ku te shikojme e te marrim shembull qe ti sherbeje kombit tone shume me mire --dhe ne menyre shume here me te dobishme ......Kemi ku te kopjojme nje sistem ekonomik demokratik ku ekonomia shteterore te eci dore per dore me ate private  , sic jane psh  ne vendet Nordike, vendet e Europes veriore, Anglia, Franca, Canada etj--Ndersa per sistemin politik demorkatik me institucione te qendrueshme dhe tejet demokratike  mund t e kopjojme gjithe  vendet e EU , me perjashtim te Italise e Greqise ,

....Shyqyr zotit  teknologjia moderne e ben boten shume te vogel ........

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.