Leksionet e Unionit Evropian nga Evropa

Postuar në 27 Gusht, 2012 04:22
Faruk Ajeti

Që politika botërore ka nevojë për një subjekt të marrëdhënieve ndërkombëtare me emrin Unioni Evropian, nuk ka më dyshim. Këtë nuk e ka dëshmuar vetëm e kaluara e saj, por edhe e tanishmja. UE-ja arriti që Evropën ta shndërrojë në një kontinent të paqes dhe luftërat në mes shteteve anëtare t’i bëjë të paimagjinuara. Arritjet e UE-së në këtë drejtim janë aq të mëdha, saqë mjafton t‘i rikujtojmë vetëm vitet 1914 dhe 1939. Evropa ka një historik aq të errët, saqë gati gjërat më të këqija të njerëzimit ndodhën në territorin e saj. Evropa është sot shumë ndryshe nga dje dhe shumë më e sigurt për nesër. Këtë nam të saj nuk e rregulloi Këshilli i Evropës e as OSBE-ja, por UE-ja. Dhe kjo u bë e mundur vetëm falë procesit të integrimit. Në Evropë historikisht ka pasur integrime. Mjafton të kujtohen Karli i Madh dhe Napoleon Bonaparta. Por, ky integrim dallon nga të kaluarat. Karli i Madh dhe Napoleon Bonaparta janë pikërisht antitezat e integrimit të UE-së.Botërisht dihet që ideja për krijimin e UE-së nuk është e qytetarëve evropianë, por e elitave të saj. Dhe, këto elita kishin një qëllim: që Evropën ta shndërrojnë në një union të përbashkët. Atributi “i përbashkët” vlen për UE-në jo si tërësi, por si shuma e përbashkët e pjesëve. Nuk ka shtet apo union politik në botë ku fjala “i përbashkët” përdoret më shumë për të përshkruar përbërjen e institucioneve si Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë; Politika e Përbashkët Monetare; Politika e Përbashkët Bujqësore; Politika e Përbashkët e Peshkimit etj., etj. Pra, të përbashkëtës i parapriu integrimi, pa integrim e përbashkëta do të kishte kuptim përçarës dhe jo përbashkues. Me fjalë të tjera, integrimi dhe e përbashkëta janë gati kryefjalë në historikun e UE-së.
Por, ç’është pra UE-ja? Ajo nuk është shtet, e as federatë apo konfederatë. Ajo është një union i përbashkët i shteteve evropiane. Si sistem politik sui generis UE-ja ka kohë që është duke lëvizur në drejtim të krijimit të një lloj entiteti politik shtetëror. UE-ja për të bërë një shtet mund të mësoj shumë nga e kaluara e saj, e sidomos nga historiku i Evropës: Perandoria Romake, Bizantine, Austro-Hungareze, Osmane, Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia. Por, ajo mund të mësojë edhe nga vende jashtë territorit evropian, të cilat u krijuan shtete pas luftërave të përgjakshme në mes shteteve, etnive, feve dhe luftërave qytetare si SHBA-ja, Nigeria, Brazili, India dhe Zvicra.
Të marrim një shembull të dështimit të shtetit (Perandorinë Austro-Hungareze) dhe një të suksesit (Zvicrën). Perandoria Austro-Hungareze popullohej nga një numër goxha i madh i etnive dhe kulturave, të cilat ndiheshin të trajtuara të barabarta përballë njëra-tjetrës. Jo kot konsiderohet si projekt “mbinacional”. Në këtë perandori arritën që shumë personalitete me prejardhje joaustriake të udhëheqin institucione kyç perandorake. Hungarezi Gyula Andrassy arriti të bëhej ministër i Jashtëm. Polaku Tomáš Garrigue Masaryk dhe italiani Alcide de Gasperi kishin funksione të fuqishme në Këshillin Perandorak. Ndërsa, në ushtri kishte një dyzinë oficerësh joaustriakë, të cilët bënë karrierë në poste kyç. Në një konglomerat gjuhësh dhe nacionalitetesh dështoi më në fund projekti perandorak austriak. Politologu i njohur austriak, Anton Pelinka analizon mjaft qartë shkaqet e dështimit. Sipas tij, ky projekt dështoi jo vetëm nga paaftësia e politikës së jashtme të Perandorisë në vitin 1914, por edhe nga paaftësia perandorake t’i realizojë kërkesat nacionale brendapërbrenda Perandorisë.
Ndërsa, Zvicra si shtet me elemente konstitutive federale dhe konfederale arriti të mbijetojë vetëm atëherë kur zgjidhi antagonizmat në mes të kantoneve protestante dhe katolike pas luftës qytetare të vitit 1847. Me Kushtetutën e saj të vitit 1848 (e cila deri më tani vetën dy herë është ndërruar, pra më 1874 dhe 1999) u arrit rregullimi i kërkesave të palëve dhe autonomisë së kantoneve, ku të gjitha partitë e fuqishme do të marrin pjesë në qeveri dhe parlament. Sistemi zviceran është pikërisht antiteza e sistemit britanik, në të cilin fituesi i merr të gjitha. Modeli u koncipua në atë mënyrë që të mos ketë vetëm humbës dhe vetëm fitues, por të gjithë të kënaqur me nga pak dhe asnjë palë të mos dal duarplot ose duarbosh.
A mund t’i ndihmojnë UE-së këto dy raste? Padyshim që po. UE-ja u zgjerua nga 6 anëtarë në 27 sa ka tani, tamam sikurse Perandoria Austro-Hungareze e cila në fillim kishte nën sundim vetëm territore përreth Shtaiermarkut, Kernten dhe Tirolit. Ndërsa, shteti i Zvicrës historikun e ka në aleancën e tri kantoneve për të përfunduar më vonë në 26.
Parimi “bottom-up” (nga poshtë lartë) është shembull paralel në mes të Zvicrës dhe UE-së. Në fillim ishin kantonet, të cilat u kuptuan si subjekte sovrane, pastaj u krijua shteti (unioni) i përbashkët. De jure, Zvicra nuk ka qendër; de facto, qendra është Berna. Në UE de jure nuk ka kryeqytet, de facto qendra janë Brukseli, Strasburgu, Frankfurti, si dhe kryeqyteti i presidencës së radhës në Këshill. UE-ja është rritur me anëtarë sikurse Zvicra me kantone, nga poshtë lartë. Për dallim nga Perandoria Austro-Hungareze, e cila kishte vetëm një qendër, Zvicra kishte më shumë dhe për më tepër në vend fliteshin katër gjuhë. Çështja e gjuhësisë dhe e përfaqësimit të qytetarëve të shteteve anëtare është rregulluar në atë mënyrë që askush të mos e ndiejë vetën të dobët përballë shteteve të tjera. Çdo shtet anëtar i UE-së e ka të garantuar me kontratat në fuqi përdorimin e gjuhës së vet. Ndërsa, përfaqësimi i shteteve anëtare në UE u rregullua në atë mënyrë që në Parlamentin Evropian të përfaqësohen qytetarët, ndërsa në Këshill shtetet. Derisa në Parlament vlen parimi i përfaqësimit të qytetarëve të shteteve anëtare në bazë të numrit të tyre (Gjermania 99 deputetë, Malta 5 deputetë), në Këshill përfaqësohen shtetet (Gjermania 29 deputetë, Malta 3). Pavarësisht peshës së shteteve është lënë hapësirë e vendosjes së vetos. Ky parim i përfaqësimit në UE është krahasimisht i ngjashëm me atë në Zvicër. Gjermania ka peshë shumë më të madhe se Malta, sikurse kantoni i Cyrihut me atë të Uri-t. Por, me sistemin e paraqitur dhe me peshën që kanë edhe Malta. edhe Uri e ndjejnë veten të përfaqësuar drejt, e para përballë Gjermanisë, e dyta përballë Cyrihut. Një përfaqësim i tillë i shteteve dhe banorëve zhvillohet edhe në SHBA me sistem politik të pastër federativ.
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është për ta proklamuar UE si shtet, por tamam çfarë është, si e tillë. Nesër UE-ja mund të bëhet edhe shtet, por vetëm nëse këtë e dëshirojnë qytetarët evropianë. Nesër UE-ja mund të bëhet edhe shtet federal, por vetëm nëse shtetet anëtare vendosin që të heqin dorë nga sovraniteti i tyre dhe nga 27 qendra të kenë vetëm një. Dhe, nesër UE-ja mund të shndërrohet në “Shtetet e Bashkuara të Evropës”, por vetëm nëse forcohet identiteti mbinacional, ai evropian. E tëra kjo është e mundur, vetëm me anë të integrimit evropian. E integrimi arrihet vetëm atëherë kur vlerat demokratike janë kultivuar mirë dhe kanë lëshuar rrënjët e veta.

(Autori është duke ndjekur studimet për doktoraturë në Shkencat Politike pranë Universitetit të Vjenës)

 

Marrë nga Koha Ditore

Comments

Submitted by Elsi (not verified) on

<p>Analize mjaft e qelluar e cila deri me tani ka munguar ne debatet tona shqiptare. uroj te kemi me shpesh artikuj te tille jo vetem nga ju por edhe nga analistet tjere mbi ceshtjet e EU-se.</p>

Submitted by Shpetim Cami (not verified) on

<p>Nje analize krahasuese&nbsp; shume e mire&nbsp; ne fushen e shkencave politike.</p><p>urime zoti&nbsp; Faruk !</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.