Lagjia Muradije dhe marrëzia e Babëzisë

Postuar në 05 Gusht, 2011 05:32
Alfred Lela

Qytetet amerikane të prezantohen me gjithëfuqinë e madhështisë së qiellgërvishtësve dhe, sikur arkitekti të kish qenë i njëjti për të gjithë, ata shfaqen buzë apo në krye të një autostrade ndërqytetëse a ndërshtetërore që i skajon duke e lënë të pashlyer përshtypjen e tyre edhe sikur të mos ndalesh e të mos i vizitosh kurrë. Qytetet shqiptare m’anë tjetër janë kryesisht të strukura; ato nuk të godasin, nuk të thonë ja ku jam; nuk vetëprezantohen. Qytetet shqiptare duhet t’i kërkosh; diku përtej tabelave të imëta blu ku shtrihen në të bardhë emrat e tyre; të rrëmosh për to nëpër guida turistike të huaja a të vendit dhe, pasi t’i kesh gjetur, të kqyrësh vëmendshëm për shtresat e shekujve mbi e nën to. Qytetet shqiptare, më shumë se flagrancë e triumfit historik janë shtresëzim i historisë, humbje pas humbjeje, pushtim pas pushtimi e qytetërim pas qytetërimi. Që do të thotë se, për sa kohë që betoni shqiptar nuk mund të jetë aq qiellor dhe arrogant sa ai amerikan, ne nuk e kemi luksin e shkatërrimit të këtyre shtresëzimeve për shkak të dëshirës së babëzisë për pallate 7 katëshe.

***

Vlora, për shembull, një nga qytetet, për nga natyra, më të bukur të Shqipërisë, ka një lufte të egër për të humbur: atë mes detit e betonit. Ky i fundit ka mundur ndërkohë edhe një rival tjetër: monumentet e kulturës. Pjesë e kësaj beteje ndërkohë të humbur duket se po bëhet një pjesë e vjetër dhe sharmante e qytetit, lagjia Muradije. Kjo lagje, kur i afrohesh qendrës së qytetit me xhaminë dhe kodrën e bukur përballë, ku ndodhet Kuz Babaja, e nxjerr Vlorën prej
gërdisë që të jep takimi me hyrjen e saj. Muradija, xhamia dhe Kuz Babaja janë shenja elegante të historisë dhe karakterit të qytetit ku përzihet otomanja e vonë me stilin e fillimshekullit 20. Ato janë kundrapesha e arkitekturës së re të pallateve të banimit, forma monotone e të cilave të kujton ngrehinat që, në vendet e zhvilluara, shteti i ngre për të strehuar shtresat sociale në nevojë (projects).

Shembulli përmes kontrastit është ndoshta më ilustrativi. Lagjia Muradije vjen përmes një serie fotosh të shkrepura të dielën që shkoi (shihni fotot në slide show, poshtë lajmit kryesor). I keni të dyja në një: Muradijen e vjetër të shtëpive karakteristike dy-tre katëshe dhe shemrin prepotent në formën e një pallati të ri. Si në legjendën e lashtë kur muret e mëdha kërkonin flijime të mëdha, edhe ngrehinat e sotme vijnë e shtyhen, kacafyten deri kur u marrin frymën e i shtyjnë në varr simbolet e së kaluarës. Por mjafton fotoja e fundit për t’u kujtuar se me shtëpitë karakeristike nuk është i lidhur vetëm imazhi i qyteteve dhe historia jonë e përbashkët, por edhe historitë familjare, brezat e trashëgimia personale.

“Rroftë Shpëtim Gjika që e varrosi përfundimisht familjen Metaj! shkruhet në një banderolë të madhe që varet në ballkonin e një shtëpie të lagjes Muradije, e cila do të shtyhet e shtyhet me pallatin e ri përmbi krye për ta humbur përfundimisht luftën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.