Klubi i Mundjes

Postuar në 31 Korrik, 2012 03:19
Simon Shuster

Adem Sajtiev, kampioni olimpik i mundjes në stilin e lirë, nuk reagon fare kur krismat e armëve dëgjohen që jashtë, duke oshëtitur mbi muret e shtëpisë së familjes së tij në qytetin rus Kasavjurt. Duket sikur vijnë nga prona ngjitur, një truall i papunuar ku ai dhe vëllai i tij më i madh, Buvajsar, tre herë kampion olimpik, hapën një shkollë olimpike për mundje në Maj, tamam në kohë për të ndihmuar mundësit e boksierët lokalë për tu trajnuar për Lojërat Olimpike të verës. Fytyra mjekroshe e Ademit, një shenjë e një myslimani sunit në këtë zonë të Rusisë, buzëqesh kur unë instinkivisht stepem nga zhurma e të shtënave. “Relaksohu” thotë. “Me siguri dikush po gjuan thjesht për qef.”

Kjo nuk është shumë qetësuese në një zonë si Kasavjurt. I vendosur mu në qendër të Kaukazit të Veriut, një sipërfaqe malesh në jug të Rusisë që përfshin republikat e paqëndrueshme të Çeçenisë e Dagestanit, ky qytet prej 130.000 banorësh është një nga frontet më të panënshtruara në luftën e Rusisë kundër terrorizmit. Për dy dekada, sidomos gjatë dy luftërave çeçene të viteve 1990, kryengritësit e përdorën si vend pushimi e furnizimi.

Kohët e fundit at kanë filluar të shkojnë atje për të rekrutuar, që tregon se kultura mundëse e qytetit ka të bëjë me më tepër se me fitimin e trofejve. Buvajsar, i cili i fitoi tre medaljet e tij Olimpike të arit në kategorinë 74 kg, e përshkruan mundjen njësoj siç përshkurante Karl Marksi fenë – si “një mënyrë për të kontrolluar masat.” Ideja është që të shërbejë si një lloj vaksinimi ndaj ekstremizmit, ose të paktën si një hutim prej tij, duke u ofruar fëmijëve lokalë një mundësi për të dalë nga getoja pa “dalë në pyll”, thotë Buvajsar, duke përdorur slang-un rus që nënkupton bashkimin me kryengritësit.

Kjo është zgjedhja që sundimi rus u ofron burrave të Çeçenisë: ose asimilohu ose rreziko persekutimin si simpatizues i terroristëve. Kjo i detyron ata në një lloj loje të pamundur balancimi midis përshtatshmërisë dhe krenarisë, dhe vëllezërit Sajtiev, si shembuj modelë, ecin mbi këtë fill të tendosur në dy mënyra krejt të ndryshme. Me moshë dhe sukses, Buvajsar, 37 vjeç, është dorëzuar ndaj integrimit rus, ndërsa Ademi, 34 vjeç, të paktën me fjalë, vazhdon të rezistojë. Përgjatë rrugës, ata të dy kanë frymëzuar një gjeneratë çeçenësh për ta kanalizuar agresivitetin e tyre drejt sportit, duke u bërë aktorë në një formë të fuqisë së butë që deri tani i ka shërbyer mirë Rusisë. Çdo vit, Rusia shpenzon më pak se një miljon dollarë për të mbështetur shkollën e mundjes në Kasavjurt – shumë më pak se çdo duhej për të ndërtuar universitetet apo për të siguruar punët e paguara mirë për të cilat ky qytet me të vërtetë ka nevojë.

Për numrin e medaljeve të Rusisë, rezultati ka qenë i mahnitshëm. Në katër lojërat e fundit Olimpike, mundësit nga Kasavjurt kanë sjellë në shtëpi 8 medalje ari në stilin e mundjes së lirë, bashkë me të paktën 12 medalje nga kampionatet botërore dhe shumë e shumë trofej nga turnetë kombëtarë e Evropjanë.

Mundja u zhvillua shumë në këtë cep të Kaukazit pasi Sovietikët e dalluan shkathtësinë dhe forcën e burrave lokalë në vitet ’60 dhe dërguan disa nga mundësit më të mirë sovjetikë në këtë rajon për të krijuar shkolla trajnimi. Rezultati ka qenë një linjë e fuqishmë mundësish medalistë nga kjo zonë. Në Lojërat e Londrës, të paktën dy mundës nga Kasavjurt do garojnë për të afirmuar nofkën e qytetit të tyre si: Furrnalta e Kampionëve, e cila është e shkarravitur në reklama me shkrim jeshil pranë pazarit kryesor, duke treguar Buvajsarin në mes të një mbërthimi.

Padronët e rinj

Vëllezërit Sajtiev, të cilët kanë 13 gjenerata në Kasavjurt, kanë shërbyer për më shumë se një dekadë si djemtë modelë të idesë së paqësimit nëpërmjet sportit. Ata u rekrutuan në këtë rol menjëherë pas luftës së dytë Çeçene, e cila përfundoi në 2000-shin me pushtimin nga Rusia të republikës separatiste. (OKB-ja e quajti kryeqytetin e Çeçenisë, Groznin, “qyteti më i shkatërruar në tokë.” Më shumë se 500.000 veta vdiqën, kryesisht civilë.) Disa javë më vonë, ndërsa tanket ruse akoma pushtonin rajonin, presidenti i sapozgjedhur, Vladimir Putin, zgjodhi një myfti ish-rebel të quajtur Ahmed Kadirov për të drejtuar Çeçeninë, duke i dhënë atij detyrën për ti kontrolluar separatistët me çdo mënyrë të mundshme. Kadirov, si një udhëheqës shpirtëror i respektuar, ishte një nga burrat e paktë të cilët mund ti bënin çeçenët ta pranonin disfatën e të vazhdonin jetën.

Pas caktimit të tij, Kadirov thirri një takim të sportistëve lokalë, disa nga të cilët sapo ishin kthyer nga Lojërat Olimpike të Sidnejit. Djali i tij, Ramzan Kadirov, i cili do merrte drejtimin e Çeçenisë pas vrasjes me atentat të babait të tij nga separatistët më 2004-ën, shkoi në Kasavjurt për të ftuar vëllezërit Sajtiev. Ata vozitën të nesërmen në mëngjes për në Gudermes, një qytet që po shërbente si qendra e komandës për forcat ruse.

Ahmed Kadirov i priti ata me dhurata të shtrenjta. Buvajsar mori një televizor, ndërsa Ademi, i cili sapo ishte kthyer nga Sidnej me një medalje ari në kategorinë 85 kg, mori çelsat e një makine të re. Dhuratat ishin simbole të rolit të Sajtievëve në elitën e re çeçene që po formohej rreth Kadirovit. “Kjo ishte pjesë e politikës së tij sociale,” thotë Buvajsar. “Socializim nëpërmjet sportit.” Si çeçenë dhe kampionë olimpikë, vëllezërve iu kërkua ta aplikonin këtë politikë dhe të ndihmonin rusët që sapo kishin pushtuar atdheun e tyre.

Ky nuk ishte një propozim i lehtë. Duke u rritur, Ademi dhe Buvajsar kishin mësuar të mbanin mend krimet e kryera nga sovjetikët. “Memorja e tyre më e gjallë kolektive”, siç e përshkruan Buvajsar, ishte deportimi në masë i 1944-ës, kur Jozef Stalini akuzoi gjthë çeçenët si bashkëpunëtorë të nazistëve dhe shpërnguli gati gjysëm miljon prej tyre në Siberi dhe në stepat e Kazakistanit, me mijëra milje larg shtëpive të tyre. Mes gati 130.000 çeçenëve që vdiqën gjatë deportimit ishte dhe gjyshi nga nëna i vëllezërve Sajtiev. Deri në kohën kur familja u lejua të kthehet në shtëpi, më 1956-ën, nëna e tyre kishte humbur 6 nga 10 vëllezërit e motrat e saj. “Kjo është ajo me të cilën ne jemi rritur,” thotë Buvajsar. “Këto memorje, gjithë ajo dhimbje – e bën një çeçen ta humbë durimin për punë sekondash.”

Si djalë i ri, Buvajsar e kanalizoi zemërimin e tij drejt sportit. Në 1996-ën, kur ai ishte 21 vjeç, garoi në lojërat olimpike të Atlantës. Ishte një garë e dhimbshme, jo dhe aq për shkak të brutalitetit të ndeshjeve, por sepse ai po përfaqësonte ekipin rus ndërsa çeçenët po zmbrapsnin ushtrinë ruse. “Gjithkush që njihja po luftonte,” thotë ai. “Dhe ja ku isha unë, si një i marrë në rrobat e ngushta të mundjes, sepse e dija që pushka ime e vetme nuk do i shtonte shumë betejës.”

Ai ishte tepër i vetëdijshëm që në qytetin e tij, shokët dhe familjarët e tij po strehoeshin në bodrume nga bombat ruse, duke kthyer antenat në televizorët e tyre portativë për të kapur një shikim të tijin në tapetin e mundjes. Kështu, pasi e fitoi ndeshjen e fundit, Buvajsar e dedikoi fitoren e tij live në televizjonin rus ndaj vuajtjeve të popullit çeçen. “Deri atëherë Rusia më ishte shfaqur vetëm përmes tytës së tankut,” thotë ai. “Vetëm kaq kisha parë nga ajo.”

Për shumicën e çeçenëve, Buvajsar ishte një hero. Po, ai kishte garuar nën flamurin e pushtuesve, por ai ishte çeçeni i parë në histori që fitonte medalje ari në lojërat Olimpike – një ngritje morali shumë e madhe. Një muaj pas fitores së tij Olimpike, çeçenët i mposhtën forcat ruse dhe, me firmosjen e një marrëveshje paqeje, fituan pavaresinë e tyre de facto për të parën herë në një shekull e gjysëm.

Fitorja do ishte e jetë-shkurtër. Tre vite më pas, konflikti u rindez nën komandën e Putin, i cili në atë kohë ishte kryeministri i Rusisë, dhe forcat pushtuese kësaj here nuk ishin batalionet e paorganizuara që pati dërguar Presidenti Boris Jeltsin në 1996-ën. Putini mobilizoi krejt fuqinë e ushtrisë ruse kundër rebelëve, të cilët shumë shpejt e kuptuan se rezistenca e mëtejshmë ishte e kotë. Mijëra prej tyre, duke përfshirë klanin e Kadirovëve, bënë paqe me Moskën. Separatistët e mbetur dolën jashtë shtetit ose u fshehën në male, ku ata filluan një fushatë kundër rusëve që vazhdon deri sot. Të frymëzuar nga një formë puritane e Islamit Sunit të quajtur Selefizëm, liderët e kryengritjes kërkojnë themelimin e një kalifati në Kaukaz nën Sheriatin.

Përgjigja ruse ndaj kryengritjes është e gdhendur në pamjen e Kasavjurtit. Përtej rrugës nga prona e Sjatievëve, në rrugën Sulltanova, qëndron gërmadha e djegur e një shtëpie ku forcat ruse kohët e fundit rrethuan një grup të dyshuar si kryengritës. Artileria e rëndë u soll në terren për të bombarduar shtëpinë, duke vrarë të gjithë ata që ishin brenda. Këto operacione speciale ndodhin çdo javë në rajon, duke vazhduar një konflikt i cili mori 285 jetë vetëm tre muajt e parë të këtij viti, sipas një numërimi të kryer nga agjencia e pavarur e lajmeve Kavkaz Uzel.

Në pyll

Në një sinjal të keq që tregon sa i papajtueshëm ky konflikt është bërë, mudja ka filluar të prodhojë luftëtarë rebelë në Kasavjurt, dhe ideja se ky sport mund të shërbejë si një vaksinë kundër Islamizmit ka dështuar. Natën e 18 Prillit, pranë një ure që qëndron mbi një fabrikë me tulla të kohës sovjetike, tre burra u vranë në një luftim me policinë e Kasavjurtit. Dy nga ata më vonë u identifikuan si mundës profesionalë, duke përfshirë Ramazan Saritov, 28 vjeç, i cili gati sa nuk u pranua në ekipin Olimpik të Rusisë në 2004-ën dhe 2008-ën. Sipas forcave të sigurisë ruse, ai ishte lideri i një grupi kryengritësish që kërkoheshin për bomba me makina, prita ndaj policisë, dhe sulme ndaj dyqaneve që shesin alkool. Pesë ditë pas përleshjes së armatosur, Islamisët lokalë postuan një “video martiri” online për të vajtuar vdekjen e Saritov. Në një nga fragmentet ai mban veshur një bluzë me mëngë të shkurtra me fjalët RUSSIA WRESTLING TEAM (ekipi rus i mundjes) ndërsa drejton një armë gjysëm automatike në ajër.

Ibragim Irbajkhanov, drejtori i shkollës së mundjes ku Saritov dhe vëllezërit Sajtiev filluan karrierat e tyre, e kujton Saritovin si një mundës të mençur në një rrogë të mirë atletike i cili sapo kishte ndërtuar një shtëpi në Kasavjurt për familjen e tij të re. “Ai mund të kishte vajtur në Lojërat Olimpike të Londrës në kategorinë 60 kg,” thotë Irbajkhanov. “Nuk a kam idenë ç’i kishte hipur në mendje.” Por ky nuk ishte një incident i izoluar. Në 2008-ën, një kampion mundjeje 15 vjeçar, Movsar Shaipov, u vra në një përleshje me armë me policinë në të dalë të Kasavjurt. Dy vjet më vonë, e njëjta gjë i ndodhi një tjetër sportisti lokal, 19 vjeçari Nariman Satiev, tre herë kampion bote në boksim Thai. “Janë aq shumë sa është e komplikuar,” thotë Ademi. “Disa detyrohen në këtë punë. Të tjerëve u ikën durimi me forcat e sigurisë. Ata arrestohen njëherë, dy herë, dhe më pas është më e lehtë për ata të shkojnë diku e të fillojnë të luftojnë.”

Edhe stresi i mungesës konstante të ligjit në Kasavjurt i shtyn burrat në pyll, thotë Ademi. Grupet e të drejtave të njeriut kanë dokumentuar mijëra raste torturash, zhdukjesh, apo vrasjesh të jashtligjshme nga forcat ruse të sigurisë në Kaukazin e Veriut gjatë dekadës së fundit, dhe qeveria lokale e Kasavjurtit është aq e paaftë sa as plehrat nuk i mbledhin. Kur bie nata, njerëzit fillojnë ti djegin pranë pazareve, duke krijuar një konstelacion të çuditshëm zjarresh të vogla që, sëbashku me erën e padurueshme të plehrave që digjen, evokojnë imazhin e një shteti të dështuar.

Dy rrugë

Për djemtë e rinj lokalë, ka vetëm dy rrugë jashtë nga ky realitet. Mundësit e talentuar mund ta gjejnë rrugën drejt elitës ruse nëpërmjet sportit, një rrugë më së miri e ilustruar nga Buvajsar, i cili do ndihmojë në trajnimin e ekipit rus të mundjes në Londër. Ai e kalon shumicën e kohës këto ditë në Moskë, duke u trajnuar dhe relaksuar në një kompleks në pronësi të Ministrisë së Emergjencave në qendër të qytetit. Ajo ka banjo me avull, fushë futbolli, palestra luksoze, një sallë ngrënjeje, dhe një flotë me Mercedesa për transportin e anëtarëve. Duke ndejtur atje një mbrëmje pas darke, Buvajsar ishte dorëzuar ndaj faktit se Rusia është bërë atdheu i tij. “Nuk mund ta detyrosh një çeçen ta dojë Rusinë derisa ai ta mësojë atë dashuri vetë,” thotë ai. “Dhe unë mundohem ta mësoj veten ta dua atë.”

Pashmangshmërisht, roli i tij si ambasador i sportit rus e ka tërhequr atë në politikë. Këtë vit, Buvajsar shërbeu si një nga “fytyrat e besueshme”, ose përfaqësues të fushatës, për Putinin gjatë garës presidenciale, e cila i dha Putinit një mandat tjetër në detyrë.

Por Ademi, i cili është shumë më tepër fetar, ka zgjedhur një rrugë tjetër. “Ai e ndan kohën e tij më tresh – palestra, xhamia, dhe shtëpia e familjes së tij,” thotë Salim Nutsalkhanov, trajneri kryesor i shkollës së mundjes së Sajtievëve. Akoma beqar, Ademi e sheh fenë si qëllimi i tij – shumë më tepër se sporti, të cilin ai e lidh me krenarinë e cekët. Përgjatë viteve, besimi i tij e ka tejkaluar ambicjen e tij sportive, dhe kur ai dështoi për shumë pak nga kualifikimi për në Londër, ai nuk dukej fort i mërzitur. “Ka gjëra shumë më të rëndësishmë në jetë,” thotë ai.

Për shkak të besnikërisë dhe respektit ndaj vëllait të tij, Ademi ka rënë dakort të ndihmojë me menaxhimin e shkollës, por ai shumër rrallë shkon me Buvajsarin në Moskë. Dy herë në ditë ai shkon me nënën e tij për tu kujdesur për lopët e familjes, dhe ndërsa kafshët pëllisnin në stallën e tyre një mbrëmje Qershori, ai fliste për Islamin si e vetmja mbrojtje ndaj influencës së huaj të filmave rusë, alkoolit, dhe laicizmit. “Imazhet e Evropjanëve që ne shohim në filma nuk janë të pranueshme për një mysliman. Në asnjë mënyrë,” tha ai. “Nëse një mysliman e humbet fenë e tij, ai humbet çdo kuptim në jetën e tij. Prandaj lufta vazhdon.”

Nuk është një luftë për tokë a për burime resursesh por një luftë për identitet, sugjeron Ademi. Dhe nëse qëllimi i rusëve ishte të përdornin sportin si një mjet asimilimi, duhet të kishin zgjedhur një strategji më të mirë. Nxënësit në shkollën e mundjes së Sajtievëve, disa vetëm 9 vjeç, flasin çeçenisht me njëri tjetrin, dhe shumica e tyre ndjekin medresetë e Kasavjurtit, të cilat tani janë më të numërta se palestrat. Dy herë në ditë, disa dyzina djemsh vijnë tek shkolla e Sajtievëve për tu trajnuar me kampjonët që mblidhen aty, duke ngritur pesha, bërë prova ndeshjeje, dhe duke planifikuar fitoret e tyre në lojëra Olimpike të ardhshme. Asnjë nga ta nuk duket se i vë re zhurmat e të shtënave që vijnë nga dritaret herë pas here. Por kur thirrja për në lutje kumbon nga minaret, ata ndalojnë trajnimin e tyre dhe me devotshmëri kthehen nga Meka.

 

Marrë nga Time Magazine

Përktheu: Armir Taraj

Comments

Submitted by arnaut (not verified) on

<p>Kur isha ne klase te peste dilnim shpesh pas shkolle e benim mundje. Jo per tu mburrur, por isha nje nga mundesit me te mire te nivelit tim, haesha me nje djale tjeter pak me te gjate se une per vend te pare. Diku nga klasa e gjashte vijne disa studente te rinj ne shkolle, nga veriu, pjese e te ardhurve ne ate kohe qe u ngulen ne rrethinat e Tiranes. Nje djale nga Kukesi ishte fenomen ne mundje. Na vuri te gjitheve poshte e nuk i dilte kush para. Ishte vertet talent dhe shume i fuqishem. Tani qe po lexoj kete shkrim me duket sikur po te kishte pas mundesine ai djale te trajnohej profesionalisht, do kish pas shume mundesi me pas dal mundes olimpik, njesoj si keta cecenet e Rusise.&nbsp; Sikur te kish pas edhe Sala politiken e &quot;paqesimit nepermjet sportit&quot; kundrejt ceceneve tane do kishim pare spektakel ne lojerat olimpike...</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.