Jemi të rrethuar

Postuar në 24 Mars, 2013 07:19
Ilir Yzeiri

Shqipëria, ashtu si disa shtete të tjera në Europë është rrethuar nga shqiptarë. Them ashtu si disa shtete në Europë dhe kam parasysh fjala vjen që Franca ka në kufi Gjenevën e Zvicrës ose një rajon të tërë që flet frëngjisht, por që nuk u shkon mendja të njëjtësohen si një komb. Francezët vrapojnë në Gjenevë që të gjejnë ndonjë punë, ndërsa gjenovezët, më saktë studentët ose emigrantët më së shumti, shkojnë në Francë që të bëjnë ndonjë Pazar, sepse atje çmimet janë më të lira, ndërsa në Zvicër jetesa është më e shtrenjtë.

Kufijtë në vendet perëndimore sa vjen e po bëhen formalë dhe siç e dimë të gjithë apo siç përmendet shpesh në tekstet e historisë moderne, kufiri që shkaktoi dy luftëra botërore dhe miliona të vdekur, kufiri Francë-Gjermani, sot mbikëqyret nga disa pak policë. Nga kjo pikëpamje vendet perëndimore duket sikur nuk janë të rrethuar nga askush. Për hir të së vërtetës, pas rënies së Murit të Berlinit dhe pas Pranverës Arabe apo luftës në Irak, vendet e Perëndimit u mësynë nga emigrantë të dëshpëruar që kërkonin një jetë më të mirë. Ndërsa në Ballkan kufijtë e brishtë, siç dihet, u bënë shkak për një nga luftërat më të përgjakshme të shekullit të kaluar, siç ishte ajo në ish-Jugosllavi dhe për krime nga më të përgjakshmet gjithashtu.

Ballkani duket se ka një pamje tjetër dhe Shqipëria më në fund është e rrethuar nga shqiptarë që jetojnë në tri shtete. Ajo që të bën përshtypje më të madhe është se shqiptarët në Maqedoni, ata në Kosovë dhe këta në Shqipëri nuk po mësohen dot me jetën në demokraci. Gjatë fushatës për zgjedhje vendore në Maqedoni dëgjuam lloj-lloj skandalesh, morëm vesh se votat blihen me thasë me miell, me euro deri edhe me nuse. Në Kosovë shqiptarëve të atjeshëm, siç raportonte shtypi, u mësohej në shkolla se rocku është një krim dhe media zbuloi se pas këtij teksti ishin dy autorë një nga Kosova, Shatri dhe Erlehta Mato nga Shqipëria. Në Shqipëri, siç e dimë të gjithë,  hyneret dhe dallkaukllëku nuk kanë të sosur. Shqiptarët e Shqipërisë nuk zgjedhin askënd që t’i drejtojë, ata pranojnë cilindo sharlatan apo diktator që u hip në kurriz. Tipari kryesor që shfaqin këta sharlatanë është identifikimi i tyre me Shqipërinë. Berisha nuk llogarit që më shumë se gjysma e popullsisë nuk e voton, pra nuk e njeh si të sajin. Ai që na përfaqëson të gjithëve duhet të jetë Presidenti i Republikës, por në Shqipëri nuk ka të tillë. Kështu, shqiptarët janë të rrethuar nga shqiptarë që nuk e duan demokracinë dhe që nuk luftojnë për të. Ajo që të habit më së shumti është se si ka mundësi që ata i japin njëri-tjetrit gjithë të këqijat që kanë kultivuar. Kështu, këto që po bëjnë shqiptarët e Maqedonisë me votat që blejnë e shesin me miell e para, nuk i kishim dëgjuar më parë. Tani ata po i përvetësojnë me zell. Para disa kohësh në Shqipëri u bë skandal i madh me një tekst të ciklit 9-vjeçar që kishte elemente pedofilie. Kosova kishte mbetur pa prodhuar ndonjë skandal me tekste dhe ja ku e gjeti. Në një tekst të sajin të hartuar nga dy shqiptarë, njëri i Kosovës dhe tjetra e Shqipërisë thuhet se  “rocku është një krim”. Të gjorët fëmijë të Kosovës! Turqia u kërkon që ta mësojnë historinë ndryshe, sharlatanët shqiptarë u thonë se rocku është një krim. Ndërsa në Shqipëri vogëlushë të pafajshëm bëhen pré e një krimineli, sepse shteti nuk ekziston, sepse policia nuk arrin të skedojë kriminelët. Ne jemi të rrethuar nga ligësia dhe kriminaliteti. Mirëpo dëmi që po u bën Shqipëria shqiptarëve në të gjitha shtetet ku jetojnë është i pallogaritshëm. Le të marrim edhe  një shembull tjetër. Përsëri media njofton se agjencitë europiane që luftojnë krimin kanë vënë alarmin se kriminelë shqiptarë kanë shtënë në dorë pasaporta biometrike dhe lëvizin lirisht me tre ose katër emra. Lind pyetja. Si ka mundësi që të falsifikohet pasaporta biometrike? Ku shkuan garancitë që na dha qeveria kur përzgjodhi këtë kompani? Përse nuk ka një hetim serioz për të zbuluar se cilët janë ata që e organizojnë këtë krim? Agjencitë gjithashtu thonë se kriminelët shqiptarë janë ndër më të rrezikshmit në Europë dhe se Shqipëria nuk ka as edhe një kontroll mbi territorin. Kështu në vend që të bëhemi model për të ndërtuar një shoqëri europiane e demokratike, ne po bëhemi model i ndërtimit të një shoqërie kriminale. Më kujtohet se për ish-kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Xhuliani u fol shumë në kohën kur ai uli kriminalitetin në Nju Jork me reforma drastike e të thella. Ndërsa ne nuk arrijmë të numërojmë më pak se tre milionë vetë, t’i ndajmë ata në familje, t’i klasifikojmë sipas seksit, sipas moshave dhe vendbanimit. Kemi 23 vjet që nuk e bëjmë dot. Ky është krim. Ky është një krim që po e përhapim me shpejtësi edhe te shqiptarët e Kosovës edhe tek ata të Maqedonisë. Dhe paradoksi apo ironia më e madhe është se më 23 qershor ne do të bëjmë zgjedhje. Kush? Ne? Ne që nuk dimë sa jemi e çfarë jemi, ne që i zgjasim qafën cilitdo sharlatani që na del në rrugë. /SHQIP/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.