Evazioni verbal në realitetin mediatik shqiptar

Postuar në 22 Mars, 2013 02:30
Gilman Bakalli

Fjalën “evazion” e gjejmë thuajse gjithmonë në togfjalëshin “evazion financiar”, por mund ta përdorim përdorim për të ilustruar prirjen e aktorëve publikë shqiptarë për t’i rrëshqitur apo për t’iu shmangur verbalisht  substancës së një fenomeni të sikletshëm që hedh dritë mbi diçka që duhet mbajtur larg syve të publikut. Njëlloj si ai pasaniku miliarder që kërkon t’i shmanget sistemit agresiv të taksimit duke i transferuar bizneset nëpër të ashtuquajtura parajsa fiskale, ashtu edhe aktorët politikë e mediatikë përpiqen të gjejnë strehë nëpër parajsa linguistike për ta fshehur krizën, gënjeshtrën apo dështimin. Lexojeni listën e mëposhtme të disa nga fjalëve dhe shprehjeve që dëgjoni çdo ditë disa herë në ditë dhe do zbaviteni tej mase nga eleganca dhe delikatesa e kamuflazhit verbal, me të cilën politikanë të të gjitha niveleve rreken ta fshehin zhguallin e tyre bajat pas ornamenteve linguistike të tipit: “prezencë uji”, “park industrial”, “emisioni Opinion”, “reformë”,  “vizion”, “sfida”, “projekt”, “ka patur edhe gabime”!  Të gjitha këto, raste të një evazioni të pastër verbal! Shtimi i evazionit verbal në një shoqëri tregon se sistemi ka “bërë bark” nën peshën e krizave dhe fenomeneve të sikletshme, të cilat duhen dërguar në punishten e bojatisjes linguistike për t’iu rikthyer të freksëta e të lustruara publikut.

Në Shkodër, këto tre vitet e fundit ka patur disa përmbytje, por mediat flisnin për “prezencë uji”. Nuk e di se cila imagjinatë polli togfjalëshin “Parqe industriale”,  por më duhet ta pranoj se, sado kreativ ky trill imagjinativ që na fton drejt asociacioneve ekologjike parqesh me pemë, bar dhe lule, ai nuk arrin dot ta zbukurojë shkretëtirën estetike të realitetit të njimendët. Çdo javë titulli “Opinion” në ekran përpiqet të etiketojë bukur-bukur një përleshje verbale dekonstruktive televizive, në fund të së cilës, teleshikuesit mund t’i shkërmoqen edhe ato pak opinione që kishte. Në gojën e çdo ministri termi shpresëdhënës “reformë” ekskluzivisht paketon me stil shkarkime drejtuesish, largime nga puna, ulje pagash dhe shkurtime fondesh. Evazion i pastër verbal! E kush nuk zbavitet kur politikanët artikulojnë termin sugjestionues “vizion” apo “mision”, i cili në fakt s’është gjë tjetër veçse streha parajsore ku politikani fsheh ëndrrën e tij për pushtet! Kurse kur flasin për “sfidat”, sidomos ato të integrimit, politikanët thjesht na paralajmërojnë për problemet e mëdha me të cilat duhet të përballemi ne, qytetarët e thjeshtë. Nuk po zgjatem për fjalën “projekt”, sepse dihet tashmë që pas saj fshihen sipërmarrje të dështuara, të cilat mund të shpëtohen vetëm nëpërmjet projekteve të tjera shtesë.  Nuk po zgjatem as për strehën brilante gjuhësore të tipit “ka pasur edhe gabime”, ku prehet paqësisht çdo dështim flagrant i qeveritarëve.

Përpjekjet për ta zbukuruar thelbin e shëmtuar të fenomenit e kalojnë shpeshherë masën e lejuar kozmetike. Në raste të tilla, duke perifrazuar Orwell-in gjuha e bën gënjeshtrën të tingëllojë e vërtetë, ndërsa vrasësin të duket i respektuar. Eufemizmi më cinik që qarkulloi këto ditë ndër media ishte “pedofilia”, një eufemizëm që, në rastin më të mirë, dëshmon injorancën e pashërueshme të disa gazetarëve shqiptarë. Ardian Prrenjasi nuk është thjesht pedofil, është një predator, një ndjekës dhe grabitës fëmijësh që i viktimizon ato seksualisht. Kë duan të mbrojnë mediat, kur, një përdhunues dhe vrasës të tillë si Prrenjasi, shkurt një monstër, e quajnë me emrin klinik “pedofil”? Gazetarët si avoketër të sensibilitetit publik? Eufemizëm i tepruar edhe ky! Bie poshtë si argument kur sheh babëzinë për të publikuar të pafiltruar çdo detaj të ngjarjes makabre.

Mendoj se nuk ia vlen! Evazioni verbal është një sipërmarrje e mundimshme që nuk shpëton askënd. Fjalët, sado të bukura, nuk mund t’i zbukurojnë e as t’i freskojnë konceptet nga myku i kohës. Pas çdo bojatisjeje myku rishfaqet! “Prezenca e ujit” nuk e fsheh dot vërshimin e pakontrolluar të ujit që la pa shtëpi e bagëti mijëra shkodranë, as “opinioni” nuk e ka varakun e duhur për të maskuar agresivitetin e gjuhëve të liga, shuma e të cilave s’prodhon as dialog e as opinion. Nëpër “parqet industriale”, (nëse ekzistojnë), nuk rritet as kaktusi, “vizionet” e politikanëve thjesht na bëjnë të shohim ëndrra, kurse “sfidat” e tyre mbeten problemet tona.  “Projektet” vazhdojnë të mbeten përjetësisht projekte në kërkim të projekteve të tjera. E teksa qeveria pranon se “ka patur edhe gabime”, ne ballafaqohemi ekskluzivisht me dështime spektakolare. Julian Çela nuk vdiq nga dashuria e ekzagjeruar e një pedofili, por u ndoq dhe u mbyt nga një monstër, të cilit po ia zbukurojmë tej mase shpirtin e tij makabër duke e quajtur me atë fjalën e madhe “philos” (dashuri) që mbart “pedofili”.

Mulliri i eufemizmave nuk shpëton askënd. As shkodranët nga uji, as teleshikuesit nga “opinion” e as qytetarët nga problemet që u shkaktojnë qeveritarët. Aktorët publikë mund të shpikin pafundsisht fjalë të sjellshme dhe ornamentale për të shmangur lakuriqësinë e vrazhdë të termave të parehatshme apo fenomeneve të sikletshme. Por dielli nuk mbulohet me shoshë. Çdo linguist e di se fjalët që përdoren për të emërtuar një koncept, ngjyrosen sakaq nga koncepti, i cili ngre krye pafundsisht pas çdo fjale të shpikur.

Comments

Submitted by Mediatori (not verified) on

<p>Shkrim i bukur, energjik qe te merr e te gjun me cok kokes - Hap syt se kjo eshte sajese, eshte butafori, eshte gjasme, esht mashtrim, eshte ngjyrim orgjinali eshte aty ku shpirti po te mbytet dhe duhet te notosh neper kto sajesa e strekomtha qe ti marrin te gjitha fuqite per nje jete normale.</p>

Submitted by dashi (not verified) on

<p>jashtezakonisht artistik dhe elegant ky shkrim, si te gjitha shkrimet tjera te meparshme!.&nbsp;</p>

Submitted by skelptiku (not verified) on

<p>mrekulli! &quot;mulliri i eufemizmave nuk shpeton askend!&quot;</p>

Submitted by profilizuesi (not verified) on

<p>simpatik ky vezhgim i holle, prof! me pelqen lehtesia gati lozanjare e te nxjerrit ne siperfaqe te disa gjerave te thella. e ke tipike kete! si duke luajtur nxjerr ne shesh ca te verteta te forta!</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.