Edhe pse e stisur është krejt e vërtetë

Postuar në 05 Gusht, 2011 04:55
Eugenio Scalfari

Në shkrimin më të fundit në rubrikën "Zarfthi i Minervës", botuar një javë më parë po te kjo faqe, nën titullin "Të gënjesh dhe të bësh sikur", Umberto Eco-ja trajton një temë me interes të posaçëm letrar: vërtetësia e jetës reale dhe trilli tregimtar e romanesk. Ndodh shpesh, thotë Eco-ja, që lexuesit të bëhen njësh me intrigën dhe personazhet e romanit aq sa besojnë (ose kanë përshtypjen) se kjo histori ka ndodhur vërtet dhe këta njerëz kanë jetuar realisht. Shumë prej autorëve kanë aq skrupuj sa i paralajmërojnë lexuesit që të mos i besojnë trillet e tyre, ndërsa ka të tjerë që bëjnë çka munden për t’i shtënë në lajthim, duke sajuar sikur kanë qenë ata vetë dëshmitarë të ndodhive që përjetojnë personazhet, aq sa edhe i fshehin njerëzit realë dhe faktet që kanë ndodhur vërtet nën emra të stisur.

 

Eco-ja ka të drejtë: Realiteti është një gjë, romanet janë meselé tjetër. Është një rast fatlum për autorin dhe botuesin kur lexuesit vetënjëjtësohen me protagonistët e romanit, shenjë kjo se ai do të korrë sukses. Kur ky njëjtësim nuk bëhet, kjo do të thotë se romani nuk do të ketë sukses dhe do të mbetet gjatë në raftet e librarive. E megjithatë, faktet janë fakte, trillet janë trille, e ky është fati i tyre. Këtë cak nuk duhet ta harrojmë kurrë, përndryshe shoqëria mund të pësojë dëme.

 

Po vërtet kështu qëndrojnë punët? Është përnjëmend e vërtetë që trilli nuk ka asnjë rol konkret dhe nuk ushtron ndikimin e vet objektiv në ngjarjet e epokës kur është krijuar? Eco-ja citon disa shembuj, duke nisur me Don Abbondion e romanit "Të fejuarit". Manzoni rrëfen takimin e tij me "horrat" e Don Rodrigos sikur kjo përballje të kishte ngjarë vërtet dhe lexuesi mund të yshtet ta besojë falë forcës dhe gjallërisë së kësaj proze. Fakti se Don Abbondio-ja nuk ka ekzistuar kurrë nuk do të thotë se Manzoni nuk ka kapur dhe treguar një ndodhi të vërtetë, duke krijuar me fantazinë e tij një figurë të përjetshme: figurën e qurrashit, të frikacit, që zbythet nga fuqia mujshare e të fortit mbi të dobëtin.

 

"Guximin po s’e pate të lindur, s’ta huan kush", shkruan autori duke vënë, e zeza mbi të bardhë, një të vërtetë të përjetëshme dhe reale. Dhe kështu, natyrisht, ndodh edhe me personazhet e tjera të këtij romani të madh: Don Rodrigoja, Rencoja, At Kristofori, kardinali Federigo, i Paemri, Perpetua, Anjeza, Luçia, Murgesha e Monzës.

 

Ngjarjet zhvillohen në vitet ‘600, në krahinën e Milanos të pushtuar nga spanjollët. Natyrisht, gjithçka është e sajuar. Por "Të fejuarit" krijuan lëvizjen e katolikëve liberalë që luajti një rol themelor gjatë Risorgimento-s, ashtu sikurse e luajtën këtë rol edhe romanet e Guerrazzi-t, D'Azeglio-s dhe Grossi-t, poezitë e Giusti-t dhe Berchet-it dhe muzika e Giuseppe Verdi-t në lindjen e lëvizjes së Mazzini-t dhe të Partisë së Veprimit.
 

Do të doja të sillja një shembull tjetër, romanet "Verter" dhe "Afinitete ndjenjash" të Goethe-s. Dy romane që korrën sukses evropian, krijuan mënyra të reja ndijimesh e sjelljesh dhe, në realitetin e kohës, i shtruan udhën romantizmit dhe dashurisë romantike.

 

Ishte shoqëria evropiane e viteve të para të 1800-ës që i ngjizi këto romane në shpirtin e Gëtes, apo qenë romanet, forca e tyre, që i çeli rrugën romantizmit në shoqërinë qytetare? Mos vallë pati një marrëdhënie të ndërthurrur mes fakteve reale me ato të krijuara nga sendërgjimet e shkrimtarëve?

 

Unë besoj tek fatet e ndërthurrura mes realitetit dhe trillit dhe mendoj se edhe Umberto Eco-ja është i një mendjeje me mua. Ndaj nuk e vras shumë për të veçuar realitetin nga trilli: janë dy anë të së njëjtës medalje.

Përktheu: Henrik Ligori.

Shënim: nesër vijon përgjigjja e Umberto Eco-s

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.