A duhet konsideruar më si “potencialisht opozitare” LSI?!

Postuar në 22 Mars, 2013 17:24
Skënder Minxhozi

Prej javësh, edhe atëhere kur nga podiumi i PD nuk flet njeri, zyrtarët më të lartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk harrojnë të pickojnë Ramën dhe deputetët e tij, në lidhje me tre ligjet e pamiratuara ende nga Kuvendi. Jo vetëm aq. Çdo deklaratë apo nismë të kryeministrit dhe partisë së tij, merr brenda pak orësh mbështetjen e partnerit të vogël Meta. Kështu ndodhi për shembull me propozimin hileqar dhe të parealizueshëm të votës së 16 vjeçarëve, por edhe për nisma të tjera që janë përshëndetur rregullisht “nga jashtë” prej kësaj partie. Paralelisht me këtë suport të vazhdueshëm, përfaqësues të LSI nuk humbin asnjë rast pa nënvizuar se aleanca qeverisëse ka ecur pa probleme dhe se Berisha ka qenë një partner korrekt. Gjithçka shkon mirë, pra, nën çadrën e qeverisjes.

Kjo forcë politike, domethënë LSI-ja, ka premtuar se do ta ndajë dilemën e saj, në lidhje me aleancat zgjedhore, gjatë muajit prill. Pra, vetëm dy muaj pasi të jetë sosur mandati formal i koalicionit ku LSI bën pjesë me të drejta dhe përfitime të plota, që vijojnë sot e gjithë ditën. Torta e 20 përqindëshit nuk ka mbaruar akoma dhe partia e Metës po tregohet e zellshme për të konsumuar edhe thërrimet e saj të fundit. Futjet me lista në punë, premtimet gjithfarësh që rrjedhin nga pjesëmarrja në qeveri, përfitimet financiare që burojnë nga të gjitha poret e shtetit, kanë bërë që LSI t’i rezistojë tundimeve jo të pakta për ta prerë litarin e aleancës me PD e lodhur e të konsumuar, për të ndërtuar një imazh të rrejshëm të një gjoja-shkëputjeje, e cila vetëm e tillë nuk është.

Pasi premtoi 100 mijë vende pune gjatë mandatit të bashkëqeverisjes, Ilir Meta i është rikthyer tani (së bashku me Berishën, çfarë koincidence), tezës së punësimit. Po krijohet përshtypja se partitë e qeverisë po e kthejnë veten në zyra të vërteta pune, ku paraqitesh, merr angazhim për të votuar për to në 23 qershor dhe si shpërblim, futesh diku në punë.

Nga ana tjetër, në rrafshin e taktikës elektorale, LSI ka deklaruar se është në bisedime për një pol të tretë zgjedhor, ku do të bënin pjesë PBDNJ e ndoshta edhe FRD. Një lëvizje, e cila për kushtet, momentin dhe mënyrën sesi po formësohet, duket më tepër një dredhi e vogël e çiftit Berisha-Meta, sesa si fundi i natyrshëm i pakthyeshëm i një bashkëpunimi katërvjeçar.

Në të gjithë këtë dinamikë ngjarjesh, LSI është brenda lëkurës së vet politike. Ajo ka të drejtën ta konsumojë sipas dëshirës së vet peshën, imazhin dhe mandatin që ka nga zgjedhësit që e kanë votuar. Pyetja e vërtetë në këto kushte nuk shtrohet për të, por për opozitën e majtë. Ose më saktë për PS dhe kreun e saj Rama, të cilët vijojnë formalisht të presin një përgjigje nga Ilir Meta, për një bashkëpunim eventual para 23 qershorit. Përtej elementëve të mësipërm, përtej faktit që vetë LSI ka deklaruar se do të angazhohet për një formacion alternativ ndaj partive të mëdha, marrëdhëniet aktuale mes PS e LSI mund të jenë gjithçka, përveçse parathënia e një koalicioni elektoral parazgjedhor.

Ka ardhur koha që PS ta vendosë shpirtin në paqe, që me Metën nuk do të ketë shtrëngim duarsh para zgjedhjeve. Se ç’do të ndodhë pas 23 qershorit, kjo është një çeshtje krejt tjetër. Por tani hapësira duket inegzistente dhe iluzioni i një bashkimi bëhet përherë e më i zbehtë. Ilir Meta nuk do të po jep shenja se është pro rotacionit politik më 23 qershor. Ka gjithë të drejtën morale dhe materiale, të ndjehet mirë me qeverisjen aktuale, për të cilën ka edhe vetë një barrë të madhe përgjegjësie. Po socialistët pse s’duan ta kuptojnë ende këtë?!  /JAVA/

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Pershendetje zoti Minxhozi! Te uroj per kurajon qe tregon kur kritikon haptas linjen e Partise. Populli socialist nuk do bashkim PS-LSI. Perkundrazi shpreson qe Edi ta beje Ilirin copash gjate fushates. Do ta gjeni rrugen per t&#39;ia mbushur mendjen Edit?</p>

Submitted by Driton Bakija ... (not verified) on

<p>Te Lumte.</p>

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Këta të dy përhapin kancerin në shoqërinë Shqipëtare sa më shpejtë tu japim kortizonë që të na largohen sa më shpejtë</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.