22 marsi i tradhëtisë

Postuar në 22 Mars, 2013 04:27
Edvin Kukunja

Çfarë kemi të sigurt ne shqiptarët në këtë fillim mijëvjeçari? Asgjë! Ah po, një gjë e kemi të sigurt. E sigurt është se sa do të përpiqemi e të mundohemi të mbijetojmë në vet-izolimin tonë, si formë proteste apo mënyrë për t'i shpëtuar gjëmave makabre që përditshmëria na sjell në rastin më të mirë në formën e lajmit, aq më shumë dhunohemi dhe nëpërkëmben të drejtat dhe liritë tona.

Faktet e kronikës së zesë ( e zesë përtej etiketës që dallon në gjuhën e gazetarisë “zhanrin” e informacionit që ajo na sjell) mund t'i lexojmë me një vështrim sipërfaqësor si fatkeqësi që dashtë i madhi zot të mos na bien për hise, se jemi njerëz të ndershëm e si kemi bërë keq askujt. Me këtë qasje, e keqja i dorëzohet bestytnisë dhe shpjegohet vetëm me, pranomani eufemizmin, strukturat argumentative të një diskursi, në brendinë e të cilit gjithshka ka një justifikim por askush nuk ka përgjegjësi.

Vetëm në brendinë e këtij diskursi, patetik dhe delirant, mund të përurosh qindra metra rrugë, si përshembull segmenti Gramsh-Kodovjat, ndërkohë që akseve kryesore të sapopëruruara kodra e male zbresin e ulen këmbëkryq. Vetëm në këtë dimension, ti ecën përpara me flamurin e dështimeve që lë pas në çdo hap tëndin duke u çjerrë premtimesh mbi suksese të ardhshme.

Por nuk është kjo që kërkohet prej nesh, si individë dhe shoqëri. Prej nesh kërkohet ta shohim të vërtetën në sy. Dhe e vërteta është që çdo fakt njerëzor gjen një shpjegim dhe shkaqe në dinamika dhe struktura njerëzore.

Përtej bestytnisë, siguria jonë publike, ose më mirë mos-siguria jonë si shoqëri është përpara syve tanë dhe nuk do kallauz për ta parë. Dhe kjo pasiguri, pasiguria e jetëve tona dhe e fëmijëve tanë, është një pasiguri sistemike, sintomë e faktit që sistemi shtet shqiptar është tashmë shndërruar në një derexhe të atillë, sa nuk do të mjaftonin tellallë dhe kurva që me zërat dhe trupat e tyre të zinin sadopak brimat prej nga po rrjedh (në kuptim e marrosjes) shteti ynë.

Si mund të flasësh për drejtësi dhe të pretendosh që ajo të funksionojë pas Gërdecit apo 21 janarit dhe mënyrës sesi u trajtuan këto çështje nga gjyqësori jonë? A mundet të flasim për drejtësi në një vend ku toka, uji, drita dhe mineralet shiten për të dhjamur të ndenjurat e pushtetit apo të familjarëve e klientëve të tyre, ndërkohë që kush ka lindur, është rritur e i ka rënë brektu mbi to nuk ka as bukën e gojës për barqet e uritura të pjellës së vet?

Pasiguria që përjetojmë është sintomë e faktit që po qeverisemi nga një grup njerëzish që nuk kanë vizion, nuk kanë strategji tjetër përveç asaj të imponuar nga rastësia dhe nga nevoja për të mbijetuar politikisht, të kapur pas pushtetit dhe pas imunitetit që të jep ai në një shtet lacash dhe cubash. Kjo pasiguri kërkon, që të zgjidhet, një rishikim të raporteve ekonomike dhe sociale mbi të cilat kemi ndërtuar demokracinë tonë.

Kjo qeveri ka shndërruar në flamur të vet politika ekonomike tipikisht neoliberale (dhe këtu një e qeshur do t'i shpëtonte çdo ekonomisti me pak tru). Pikërisht shprehi e kësaj qasjeje janë dhe privatizimet me çdo kusht. Këto politika bashkë me praktikat korruptive, të përvetësimeve të fondeve publike, të militantizimit të administratës publike, të “privatizimit” të sistemit të drejtësisë, kanë thelluar dhe radikalizuar padrejtësinë duke e vënë atë në themel të shoqërisë tonë. Pasuritë po përqëndrohen në pak duar, këto janë duar që shtrëgojnë skeptrin e pushtetit, këto duar nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë.

Brenda këtij sistemi i cili implementon padrejtësinë në pafundësi kuptohet pasiguria jonë si shoqëri dhe shkaqet e saj. Një shoqëri që nuk ka mundësi të mbrojë vehten, kjo shoqëri jemi ne. Një shoqëri ku tradhëtia ndaj individit është bërë normalitet. Prokurori që formulon një akuzë pa bërë hetimet e duhura, një gjykatëse që për dy lekë mbyll të dyja sytë, të dy këta janë fajtorë për tradhëti. Ata kanë tradhëtuar ty dhe mua, fëmijën e tyre në emër të të cilit dhe të sakrificave për të justifikojnë vetvehten. Ndërkohë...ndërkohë Neroni në tribunë qesh, me ne gladiatorët që dihasim stërmundimeve për të mbijetuar. Neroni qesh dhe niset për në përurimin e ndonjë rrugice apo hajati.

Sot është 22 mars dhe ne e kemi shumë të qartë tashmë që po qeverisemi nga pandershmëria dhe tradhëtia. Sot është 22 mars dhe ne një gjë e kemi të qartë. E kemi të qartë që asgjë të sigurt nuk arritëm të ndërtonim në këto 22 vjet. Jo sepse nuk ishim të zotë apo se ndërkohë përtuam. Por sepse u qeverisëm nga pandershmëria dhe nga tradhëtia, shëmbëlltyrën e të cilës do e shihni sot të çirret në shesh duke rrahur gjoksin për “sukseset” e tij, fatkeqësitë tona.

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>nqs je i merzitur me Edi Ramen se nuk po arri nte hedhe Berishen nuk ke pse te quash 22 marsin dita e tradhetise. Ka te tjere qe ate dite e kujtojne me shume kenaqesi. Jeta kjo eshte. Zgjodhet kalin humbes per te vene bast dhe prano pasojat. Nuk po dua te them me kete qe Berisha eshte kali fitues sepse ai eshte thjesht nje plehre dhe kriminel, por as nuk e pranoj qe te barazosh 22 marsin me Berishen. Sepse keni bere kete gabim, ju gazetaret e majte, per 21 vite rrjesht, duke identifikuar Berishen me cdo date, ngjarje, strukture te &nbsp;PD-se, gjendemi ketu sot me nje Berishe ne version superman. PD e 1992 nuk ishte Berisha, per shume ishte nje enderr dhe nje shprese. Kuptohet qe per <strong>ju</strong> ishte nje burim urrejtje.</p>

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Po si tha ta gëzoni 8 marsin ky po duhet votuar se bashkë me këtë do na vinë të mirat</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.