Çfarë nënkupton Siria

Postuar në 31 Gusht, 2012 04:19
Jaswant Singh

Agonia e Sirisë ka gjeneruar një mori përgjigjesh joproduktive: dënimin verbal të ekseseve të regjimit të presidentit, Bashar al-Assad; mospajtimet rreth mënyrës së intervenimit të armatosur dhe ngatërrime gjithandej për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjate. Ç’është më e keqja, në një situatë të tillë keqardhëse, bota mund të përballet me një tregues të hershëm të të ardhmes tejet të shëmtuar.
Pikë së pari le të tentojmë të veçojmë disa prej ironive dhe kundërthënieve kryesore që po i ndërlikojnë përpjekjet për përfundimin e dhunës në Siri.
Ndonëse Siria po ua mohon liritë politike qytetarëve të vet, ajo toleron lirinë sociale dukshëm më shumë sesa shumica e shteteve arabe, e veçanërisht Arabia Saudite, dhe e cila po u prin kërkesave për rrëzimin e Assadit. E qeverisur nga shumica alevite (një sekt shiit), Siria strehon një kaleidoskop të grupeve të ndryshme”: arabë, armenë, të krishterë, kurdë, druze, ismailas dhe beduinë.
A është kjo tolerancë e diversitetit kulturor dhe fetar ajo që mund të rrezikohet, në rast se revolta e inspiruar nga sunitët e përfshin shtetin. Dhe kjo është arsyeja pse Siria gjeneron në mënyrë simultante zmbrapsje në mizoritë e regjimit dhe i druan asaj që mund të pasojë, në rast se regjimi mposhtet.
Në një tokë antike si Siria, nuk mund të ketë ekzaminim të problemeve të së tashmes pa reflektuar të kaluarën. Historia, mbi të gjitha, është gjithnjë nëna e së tashmes, ndërsa gjeografia stërgjyshe.
Në historinë e botës arabe të pasluftës së Parë Botërore, në librin “Paqja e të gjitha paqeve”, David Fromkin sugjeron se Lindja e Mesme sot reflekton dështimin e fuqive evropiane për të konsoliduar sistemet politike që vetë i kanë imponuar. Britania dhe aleatet e saj ”shkatërruan rendin e vjetër”, duke e thyer sundimin turk të Lindjes së Mesme arabofolëse. Mirëpo më pas ata “krijuan shtete, nominuan sundues, përcaktuan kufij, (dhe prezantuan) një sistem shtetëror” që nuk do të funksiononte.
Mirëpo, në valën e luftërave amerikane në Irak dhe Afganistan, dhe intervenimit në Libi, a nuk po ndodh përsëritja e të njëjtit eksperiment pothuajse një shekull më vonë? Kjo është pyetje që politikanë realistë duhet t’ia shtrojnë vetes ndërsa mendojnë se çfarë duhet të bëjnë me Sirinë.
Në gusht të vitit 1919, ministri i Jashtëm britanik, Arthur Balfour, e kishte përkufizuar thelbin e problemit që tani po i vë përball njëri-tjetrit politikanët. “E vërteta e trishtuar”, shkroi ai, “është ajo se Franca, Anglia dhe Amerika janë bërë... aq pazgjidhshmërisht të ngatërruara saqë... asnjë përgjigje e kënaqshme tani nuk është e mundur”.
A nuk ju tingëllon familjare kjo? Dhe a nuk është një version i freskuar i paralajmërimit të Mbretit sirian (dhe më pas irakian) Faisal për arabët – “Zgjidhni ose të jeni skllevër ose pronarë të vetë identitetit tuaj” – që bëri jehonë në prononcimet politike të liderëve të rinj në Egjipt dhe në vende të tjera.
Dhe na lejoni t’i ekzaminojmë veprimet e Perëndimit më 1919 dhe në vitet në vijim. Francezët, siç na kujton Fromkin, “e tkurrën Sirinë, në mënyrë që të mund ta kontrollonin”, duke i shpërblyer “aleatët e tyre të krishterë me zmadhimin e kufijve të Malit Liban me luginën Bekaa, portet mesdhetare të Tyres, Sidonit, Bejrutit dhe Tripolit, dhe... me tokë...të veriut të Palestinës. Me mijëra myslimanë (përnjëherë) i takuan një shteti të dominuar nga të krishterët”.
Kështu që, siç edhe historiania e Oxfordit, Margaret Macmillan, argumenton në librin e saj “Paqebërësit, liderët e Sirisë kujtojnë këto ngjarje, kur perëndimorët mbase nuk i kujtojnë”, “e shfrytëzuan rastin” e dhëna nga kriza e shtatorit të zi të vitit 1970, për të dërguar trupa në duart e humbur të shtetit të tyre.
Kombinimi i frikës dhe rivaliteteve etnike dhe sektare, i kujtimeve historike dhe verbërisë së vullnetshme, në mesin e fuqive të jashtme duket pothuajse i paracaktuar që të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme përsëri. Turqia është në telashe; Iraku është okupuar dhe braktisur; Irani është i izoluar dhe i kërcënuar; Izraeli i shqetësuar dhe agresiv ndërsa Afganistani dhe Pakistani janë të pabalancuara nga brendia dhe politikisht të brishta.
Në të vërtetë, boshti i madh që shtrihet nga Kajroja deri në Kushin indian kërcënon të shndërrohet në një qendër të çrregullimit global. Pak nga kjo e supozon ajo që tha i dërguari iranian, Saeed Jalili, pas takimit me Assadin në Damask kohë më parë, se “Irani assesi nuk do të lejojë që boshti i rezistencës, si shtyllë kryesore të të cilit e konsideron Sirinë, që të thyhet në asnjë mënyrë”.
Për Turqinë premtimi i Sirisë është si një ankth strategjik, për shkak se çdo ndarje e Sirisë nënkupton një rritje të mundshme të një Kurdistani më të madh, i cili mund t’i rrisë edhe pretendimet për një hise më të madhe të territorit turk.
A ekziston një zgjidhje për këtë bllokim të zymtë? Pa dyshim, por zgjidhja nuk mund të gjendet në imponimin e më shumë rezolutave të Kombeve të Bashkuara, për ç’arsye dhe presidenti amerikan, Barack Obama, tani besohet se favorizon një “transicion të menaxhuar” në Siri, i cili nuk do të shkatërronte fatalisht instrumentet ekzistuese të shtetit sirian.
Siç Michael Ignatieff kishte vënë re mençurisht, kriza e Sirisë ka zbuluar se ky është “momenti në të cilin Perëndimi duhet ta shohë se bota vërtet është ndarë në dysh. Një aleancë e lirë e demokracive kapitaliste në telashe” po lidhet nga Rusia dhe Kina. Interesat kombëtare të shteteve perëndimore nuk do t’i përcaktojnë më impulset morale dhe politike të komunitetit global të së sotmes. Në të vërtetë, cilido qoftë rezultati, agonia e Sirisë ka nënvizuar një dobësim të mëtutjeshëm dhe të pashmangshëm të rolit dominues global të Perëndimit.

Koha Ditore

(Jaswant Singh është i vetmi person që ka shërbyer si ministër i Financave (1996, 2002-2004), ministër i Jashtëm (1998-2004), dhe ministër i Mbrojtjes (2000-2001) në histori të Indisë. Derisa ishte në detyrë, ai lansoi marrëveshjen e parë të tregtisë së lirë (me Sri-Lankën) në histori të Azisë Jugore, inicioi hapjen më të guxuar diplomatike të Indisë me Pakistanin, përmirësoi marrëdhëniet me SHBA-në dhe braktisi doktrinat sovjetike dhe iu afrua Perëndimit. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.