Salbania

Postuar në 31 Gusht, 2012 08:57

Dallimi thelbësor mes diktaturës nga njëra anë dhe demokracisë liberale apo edhe kushtetuese në anën tjetër, është ndarja dhe baraspeshimi i pushteteve. Diktaturat janë sundim i shtetit nga një parti me anë të përqendrimit të të gjithë pushteteve në duart e liderit të saj që mund të jetë kryeministër, president ose që mund të mos mbajë asnjë post qeveritar. Në diktatura nuk qeveriset, po sundohet. Në demokracinë liberale pushtetet janë realisht të ndara dhe baraspeshojnë e kontrollojnë reciprokisht njëri-tjetrin, duke pasur si arbitër Kushtetutën, ligjin, drejtësinë. Pasi jetoi për shekuj me radhë modelin e shtetit të sunduar nga një njeri i vetëm, në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, shqiptarët u ngritën me thirrjet liri-demokraci! Por 23 vjet pas rënies së diktaturës komuniste, shikojmë që në Shqipëri është rikthyer dhe këmbëngul modeli i sundimit të shtetit nga një njeri i vetëm, ndërkohë që ndarja e pushteteve po katandiset gjithnjë e më rrezikshëm në një garniturë pa vlerë. Është një degradim që i dedikohet në radhë të parë strategjisë autokratike, këmbënguljes dhe intrigave të pashtershme të një politikani të vetëm me emrin Sali Berisha dhe klanit që e mbështet atë. Rreth 23 vjet pasi hyri në politikë me slogane kundër diktaturës komuniste, Sali Berisha është bërë mishërimi i një rreziku të ri diktatorial për vendin. Kështjellat e pushteteve kanë rënë njëra pas tjetrës nën sundimin e këtij autokrati që i ka sulmuar i maskuar me flamurin e “demokracisë” dhe “antikorrupsionit”. Aq i madh dhe i ramifikuar është ndikimi i pushtetit të tij në jetët personale të njerëzve (nëse do të kenë një vend pune apo jo, nëse do të kenë të hanë apo jo) sa tashmë jo pak shqiptarë kanë nisur ta kenë frikë. Si qëmoti diktatorin. Dikur një kardiolog, me ambicien e dështuar për të kuruar insuficensat e tiranit komunist, Berisha është shkaku kryesor i infarkteve të njëpasnjëshme të foshnjës së demokracisë shqiptare. Të gjitha katastrofat, tragjeditë dhe megakorrupsionet e më shumë se dy dekadave, mbajnë damkën e këtij tirani që e do “demokracinë” vetëm si maskë për të maskuar pushtetin e tij pa mbarim me “vullnetin e popullit”. Si të gjithë diktatorët përhap fjalë se “e do dhe e voton populli”. Ai e do demokracinë vetëm për t’ia pirë gjakun. Dy dekada pas rënies së komunizmit, ende shteti më i varfër dhe më i korruptuar i Europës, Shqipëria, që të huajt e njohin si Albania, po merr fytyrën e kryepolitikanit Sali. Prandaj mund të quhet fare mirë Salbania!

Diktatorët e kanë pasur prirje për t’i pagëzuar qytete dhe vepra industriale me emrat e tyre. Një shprehje e manisë për përjetësi edhe pas vdekjes. Kështu kanë lindur Peterburgu, Stalingradi, kombinati i autotraktorëve “Enver Hoxha” apo hidrocentrali Mao Ce Dun. Por sa janë gjallë, shteti, jeta, mendimet, veshjet e njerëzve dhe gjithçka, kanë atë formë dhe atë përmbajtje që duan diktatorët. Prandaj nuk do të kish qenë fare e gabuar sikur shtetet diktatoriale të ishin pagëzuar me emrat e diktatorëve të tyre: Stalinistan, Enveristan, Maocedunistan. Madje mbajtja nga shtetet diktatoriale të emrave kombëtarë, sikur e maskonte thelbin e vërtetë të tyre, që ishte sundimi i një njeriu të vetëm. Prandaj nuk është aspak e gabuar që edhe Shqipërinë e sotme ta quash SALISTAN ose edhe SALBANIA, në mënyrë që edhe disa perëndimorë të kuptojnë më në fund, se nuk po ndihmojnë perëndimorëzimin por aziatizimin e mbramë të Shqipërisë. Sepse gjithçka që ndodh në të, mban vulën prej Lalë Krosi të vullnetit të një njeriu të vetëm me emrin SALI dhe jo atë të institucioneve të lira që, sipas aksiomave të qytetërimit perëndimor, janë të vetmet që mund të formësojnë të ardhmen me liri të një kombi.

Nuk është rastësi që qysh gjatë qeverisjes së tij të parë, Sali Berisha u njoh edhe në arenën ndërkombëtare si një president autokrat që kërkonte të përqendronte të gjitha pushtetet. Por pas rënies nga pushteti, ai mundi të mashtrojë një pjesë të opinionit, vendas dhe ndërkombëtar, se kish ndryshuar dhe se tash e tutje, qëllimi i tij do të ishte shteti ligjor, sundimi i ligjit dhe jo i atij vetë. Por vetëm pak orë pasi erdhi në pushtet në vitin 2005, Berisha nisi avazin e vjetër të kapjes së shtetit nga qeveria. Autokratizmi biologjik i këtij njeriu, u bë rrënja e konflikteve zinxhir me Presidentin Moisiu, me ish-kryeprokurorin Sollaku, me opozitën politike, me kryeprokuroren Rama, me shefin e shërbimit informativ Shaqiri. Ka pasur dhe ka konflikt me ta, sepse nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen dhe t’i shërbejnë pushtetit të tij. Sot, në sajë edhe të një gafe të opozitës për ndryshimin e Kushtetutës, Berisha vendosi një besnik të tij si në krye të Presidencës. Po ashtu edhe në krye të SHISH-it. Të emëruarit prej tij janë vetëm emra. Ata nuk kanë vullnet të tyrin, nuk janë të lirë. Sot në Shqipëri shumica parlamentare ka një emër: SALI. Ekzekutivi ka një emër: SALI. Presidenca ka një emër: SALI. SHISH ka po një emër: SALI. Tashmë ndarja e tri pushteteve, themelore për demokracinë, është thjesht një butafori. Edhe ekzekutivi, edhe gjyqësori, edhe legjislativi janë sot të nënshtruara ndaj një njeriu me emrin SALI. Shumë shpejt do të caktojë një tjetër kryeprokuror dhe, pavarësisht nga personi, në atë post do të jetë realisht i gjithëpushtetshmi me emrin SALI. Prandaj themi se Shqipëria e meriton të quhet SALBANIA!

Mbreti Luigji XIV deklaronte: Shteti jam unë! Sali Berisha nuk e thotë, por e bën një gjë të tillë. Në asnjë shtet në botë nuk mund të shohësh për natë e për ditë një Kryeministër që i flet “popullit” nga ekrani. Një populizëm i pështirë mediatik që u ka dhënë jo pak televizioneve fytyrën e Kryeministrit duke i shndërruar dashur pa dashur në altoparlantë të propagandës së tij sa ngrehaluce aq mashtruese edhe vulgare. Shqipëria ngjason sot me një odë të madhe patriarkale, ku plaku Mere u bën përnatë moral djemve dhe i dikton se ç’duhet të bëjnë. Edhe një çezmë po të përurohet, shiritin do ta presë Saliu. I gjithë pushteti është ngritur mbi kultin e këtij njeriu që shfaqet kudo, kurdo dhe flet për gjithçka! Ai për arrorët, Ai për naftën, Ai për gazin, Ai për plehrat, Ai për bankat, Ai për ushtrinë, Ai për shkencën dhe artin, shkollën dhe universitetet, Ai për sportin dhe Olimpiadat, Ai deri edhe për zhurmën e lokaleve gjatë verës apo për pastrimin e çative nga bora në dimër. Të krijohet përshtypja se në Shqipëri nuk ka ministra, por vetëm një oktapodh që qeveris gjithçka. Ka momente ku Ai po i jep këshilla edhe Europës si ta zgjidhë krizën! Kaq e hatashme është megalomania e Kryeministrit “të madh” të një shteti jo vetëm të vogël, por edhe të rrudhur nga varfëria. Por ai nuk e percepton këtë rrudhje, sepse vetë është bërë i pasur.

Nëse Saliu vendos që të bëhet diçka, ajo do të bëhet, pavarësisht se çfarë thotë Kushtetuta. Madje ai ka nisur ta përsosë këtë formë sundimi duke pasur kujdes që ta bëjë në përputhje me Kushtetutën. Për këtë i kanë volitur edhe disa lajthitje fatale të opozitës. Saliu ka vendosur që t’ia falë një pjesë të detit Greqisë dhe pavarësisht se ç’tha Kushtetuesja, vullneti i tij do të realizohet se s’bën. Ky është edhe thelbi i rinisjes së negociatave me Greqinë. Sa ishte në opozitë, Saliu e nëmi Fatos Nanon për privatizimin e Telekomit apo për importin e plehrave. Dhe ato nuk u bënë se kështu ishte vullneti i Saliut. Por me të ardhur në pushtet, vullneti i Saliut ndryshoi. Edhe privatizimi i Telekomit u bë, edhe importi i plehrave po ashtu. Berishës i ka shkrepur në mendje që ta zhveshë opozitën nga imuniteti. U ka hedhur trutë e gomarit edhe disa perëndimorëve, se gjoja kjo duhet bërë për të luftuar korrupsionin. Opozita pati më në fund zgjuarsinë të mos e japë konsensusin për këtë kurth që i përgatiste Saliu. Por Saliu ka një vendosmëri të pathyeshme prej lideri historik. Ai ka shpallur se do ta hedhë në referendum çështjen e imuniteteve, pavarësisht nëse një gjë e tillë është kushtetuese apo jo. Në SALBANIA gjërat duhet të bëhen vetëm ashtu si do Saliu. Nëse ai do, për shembull të hedhë 1 miliardë euro në një rrugë (që e emëron demagogjikisht si rruga e kombit për të maskuar me patriotizëm një korrupsion të qartë me këto miliona), kjo do të bëhet, edhe pse shteti nuk ka ende as spitale për të qenë, as shkolla të mjafta, as helikopterë për shuarjen e zjarreve apo as makina për pastrimin e rrugëve. Jetët e njerëzve kanë nevojë urgjente për gjëra të tilla, por ato duhet të presin, sepse kështu është vullneti i Saliut. Nuk zemërohen shqiptarët me këtë gjendje? Ka plot që zemërohen, madje në shumicë. Por edhe kësaj Saliu ia ka gjetur anën. Ai i vjedh zgjedhjet, hapur dhe fshehtë, me anë të një mekanizmi manipulimi, ku banditët e kutive të natës janë në aleancë me institucionet e “pavarura”, si KQZ apo Kolegji Zgjedhor. Saliu e do demokracinë jo vetëm për t’ia pirë gjakun, por dhe për t’u trukuar me të. Ndoshta prandaj edhe disa perëndimorë nuk po arrijnë të shikojnë se në vend që të europianizohet, Albania po kthehet prapa në traditën e shtetit të një njeriu të vetëm duke degraduar në një SALBANIA!

Shqip

Comments

Submitted by nik (not verified) on

andrea.

paske harxhuar shume euro ne pushimet e frances dhe shpejt me artikuj te mbushur me mashtrime kunder berishes qe ti zevendesosh keto euro.

thone kot ata qe shprehen : "lereni andrene rehat se pershesh me kos po ha".kur ne fakt ti nuk indan nga vetja tavolinat e shtrenjta duke i qare hallin  shqiperise.

he me te lumte.

Submitted by Anonim (not verified) on

Nik dhe Altin Goxhaj janë I njejti person. Mos jua varrni qenerve te Berishes se per te provokuar paguhen nga regjimi.

Submitted by nik (not verified) on

pse merzitesh moj zemer.

nuk kalohet opozita me merzi deri ne 2017.

do semuresh moj shpirt.

Submitted by Reformer (not verified) on

nik nuk e kuptoj se si mund te behesh i pasur duke "share" Berishen. Perkundrazi te pjell belaja nga te gjitha anet, sidomos nga tipa si puna jote qe fillojne te shajne e te degradojne personalisht me akuza te ulta dhe poshteruese. Nese qellimi i vetem dhe kryesor i  Stefanit do te ishte te pasurohej, ai duhet te shkonte pas Zhejit, i cili allaheilala, nuk e ze kurre me goje Sali padishahun, jo me ta shaj...

Sa per dinamiken e kthimit te shtetit ne mjet per te mbajtur pushtetin qe pershkruan Stefani, ajo eshte provuar me mijra here. Ceshtja eshte se tanime eshte pak si vone per te folur per ndarje pushtetesh e per uzurpim fronesh. Tashme jemi ne fazen, kur konsolidimi i pushtetit personal te Saliut dhe te partise se tij shtet ka arritur kulmin. Tani duhet te llogarisim se ne c'menyre ta heqim qafe kete "tiran" qesharak me sa me pak kosto.

Por une kam nje besim te cuditshem tek demokracia. Ne demokraci ndodh dicka e magjishme. Ndersa ne diktature cdo arritje, cdo fitore e Partise shtet, duket se eshte perfundimtare dhe e pakthyeshme, ne demokraci cdo dite e re qe fillon ve ne pikpyetje te gjithe pushtetin e kalbur dhe te kamufluar duke i kthyer edhe qeniet me te deshtuara ne luane qe kerkojne lirine dhe te drejtat e neperkembura.

Ndersa ne diktature arritjet jane strukturale, te perhershme, trupi i shoqerise eshte i ngurtesuar, ne kerrusje te panderprere, ne demokraci cdo fitore e partise shtet duket sikur e rrit edhe me shume rezistencen dhe revolten e te gjitheve kunder padrejtesive. Diktatura eshte si guri, nen goditjet e se keqes guri thyhet. Demokracia eshte si nje litar prej llastiku, sa me shume e terheq ate pushteti, aq me e veshtire behet per te ta mbaje litarin te terhequr.

Submitted by nik (not verified) on

nik nuk e kuptoj se si mund te behesh i pasur duke "share" Berishen............

edhe une po te bej nje pyetje : Si ka mundesi qe te gjithe keto ANAListe qe shajne berishen 8 dite te javes qe ka shtate dite i kalojne pushimet verore dhe dimrore jashte shtetit ne vendet me te shtrejta.si arrijne qe te mbajne familjen dhe veten me rrogat e gazetarit.

sa per perrallat e stefanit per gjithepushtetin e berishes (kur ai ka aq pushtet sa i jep kushtetuta e shqiperise e bere nga socialistet e stefanit dhe qe i kishin te gjitha pushtetet nga 97 deri ne 2005,por qe stefani ben sikur nuk e di), ti i jep pergjigje vete me poshte :"Ki besim te demokracia" qe ja hoqi keto pushtete me vote ne 2005 dhe jo me kallash si ne 97 dhe polici si ne 2001

Submitted by Labi Vlore (not verified) on

Nje filozof i madh qe nuk me kujtohet emri ka pat thene."Te kundershtosh Diktaturen do te thote ti bindesh Zotit dhe anasjelltas".Nik-u i bindet diktatures ne kundershtim te plote me zotin.O Nik,ty kemi per te te futur presh Karbunare.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.