Rekordet e notit dhe rekordet krimit!

Postuar në 29 Korrik, 2012 14:00

Muaji Korrik shënoi sërish rekorde, që nisin nga ato më qesharaket për rekorde noti të Kryeministrit Berisha, tek ato më seriozet që i përkasin rritjes së nivelit të vdekshmërisë nga aksidentet automobilistike dhe vrasjeve me dashje a paramendim, për gjakmarrje a hakmarrje.

Është e pamundur të hapësh televizorin e të mos shikosh menjëherë me titra një lajm “flash” për humbje jetësh njerëzore. Janë bërë kaq monotone këto lajme duke u futur dhunshëm në të përditshmen e gjithsecilit, saqë kanë filluar të mos bëjnë më as përshtypje, biles e kundërta e saj do sillte habi.

Kaq shumë krime ndaj personit dhe aksidente me pasojë vdekjen, e barabartë me sasinë e të vrarëve ditorë të raportuar në zonat e nxehta të globit ku ka konflikte të armatosura. Shumëkush këtë rritje të kriminalitetit dhe aksidenteve rrugore e lidh me fluksin e rritur njerëzor që mbizotëron gjatë muajve të verës. Afërmendsh që në këtë kohë kthehen edhe shumë emigrantë të cilët vitet e gjata të mërgimit u’a kanë tretur besimin se dikush i pret tek porta për të larë hesapet e vjetra. Të tjerë që janë mësuar me normat e lëvizjes në Evropë dhe këtu në Shqipëri përballen me një xhungël të sinjalistikës dhe infrastrukturës rrugore, masave mbrojtëse dhe kulturës së mangët në qarkullim të shoferëve. Ka edhe të tjerë që vapa e madhe u vapos edhe trutë duke ç’rregulluar nivelin e adrenalinës e për pasojë i bën më “trima” për të nxjerrë koburet për të grabitur, për të vrarë kushërinjtë a të afërmit e rrethit familjar apo gjitonët që u kanë prekur tokën që po ashtu është e grabitur.

Të nesërmen në mëngjes herët, ke mundësinë që në pikat e shitjes së gazetave të shfletosh faqe pa fund të kronikës së zezë e të njihesh me detajet më të imta të këtyre krimeve. Asnjë prononcim nga strukturat e larta qeveritare nuk dëgjon, përveç njoftimeve të thata të zëdhënësave policorë që fundja e kanë detyrë atë gjë. Jeta e njeriut ka kapur nivelin më të ulët të vlerësimit dhe është pikërisht kjo heshtje që e vërteton atë. Anëtarëve të qeverisë, përgjegjës për sigurinë në rrugë, por edhe të parandalimit të krimit, u intereson të mos shfaqen ekraneve, sepse në të kundërt do merrnin rolin e dështakut. Qeveritarëve u intereson të mos prononcohen, të mos marrin masa konkrete, të mos kërkojnë llogari tek përgjegjësit, por ta kalojë heshturazi, për ta kanalizuar thjesht si një çështje që u takon individëve të papërgjegjshëm apo kriminalë që ose nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit, ose u ka marrë koka erë.

Por, nëse në rastin e vrasjeve, strukturat shtetërore e gjejnë një alibi standarde sipas të cilës “nuk kishim informacion paraprak për ngjarjen me qëllim, parandalimin e saj” dhe “autori është larguar në drejtim të paditur, por strukturat policore po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tij”, çfarë justifikimi duhet të ngrenë për aksidentet rrugore? Lind pyetja: sa përgjegjës është dikush që shkel rregullat e qarkullimit dhe sa përgjegjëse janë strukturat që duhet të menaxhojnë situatën për të mos patur raste të shkeljes, për më tepër, me pasojë vdekjen?

Jeta e njeriut është e shenjtë, ajo mbrohet me ligj, siç thuhet në nenin 21 të Kushtetutës, prandaj nuk na ngelet tjetër veçse t’i drejtohemi me një apel këtij kryeministri mitoman : Zoti Kryeministër! Mos thyeni më rekorde noti që nuk i hyjnë në punë askujt, por rekorde në uljen e vdekshmërisë nga vrasjet dhe aksidentet automobilistike, për të cilën, ju dhe strukturat përgjegjëse që keni ngritur, paguheni nga taksat tona!

PS. Kryeministri Berisha ka parashikuar një tjetër thyerje rekordi noti në muajin Gusht. Dhëntë Zoti që ngjarjet kriminale dhe aksidentet automobilistike nuk ecin paralelisht me nivelin e rekordit të tij, për të rivalizuar muajin Korrik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.