Precedent me pasoja të dëmshme

Postuar në 27 Korrik, 2012 05:25

Para disa ditëve u njoha me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u shpall më 19 Korrik 2012. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje nga Presidenti i Republikës që kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit Nr. 106 datë 23.06.2011 të Kuvendit të Shqipërisë. Presidenti i kërkonte Gjykatës Kushtetuese zgjidhjen e konfliktit të kompetencës ndërmejt Institucionit të Presidentit dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Sipas vendimit të mësipërm, në kërkesën e vet, Presidenti pretendonte se me vendimin Nr. 106 datë 23.06.2011 të Kuvendit atij i është cënuar kompentenca për emërimin e anëtarëve të Gjykatës parashikuar nga nenin 125/1 i Kushtetutës (në këtë nen thuhet se "Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë të cilët emërohen nga Presidenti I Republikës me pëlqimin e Kuvendit).
Po sipas këtij vendimi, Presidenti ka ngritur edhe disa çështje të tjera siç janë:
a) Kuvendi ka bllokuar procedurat kushtetuese për shqyrtimin e dekreteve për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese;
b) Kuvendi, nuk mundet me vendim, të pezullojë dekretet e Presidentit
c) Kuvendi nuk ka zbatuar vendimin Nr.24/2011 të Gjykatës Kushtetuese, por ka vepruar në bazë të një vendimi të zakonshëm (vendimi Nr. 106 datë 23.06.2011)
d) Kuvendi duke mos zëvendesuar tre anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ka krijuar konflikt kompetencash dhe ka vënë në dyshim legjitimitetin e Gjykatës Kushteteuse

Pak histori
Në muajin nëntor 2010, Kuvendi i Shqipërisë vendosi të pezullojë disa dekrete të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetese dhe në të njëjtën kohë 1/5 e deputetëve të mazhorancës qeverisëse ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese, veç të tjerave, edhe për interpretimin e nenit 125/3 të Kushtetutës që parashikon përtëritjen çdo tre vjet të Gjykatës Kushtetuese.
1/5 e deputetëve i kërkonin Gjykatës Kushtetuse të caktonte "një mekanizëm të vlefshëm me qëllim respektimin e nenit 125/3 të Kushtetutës për përtëritjen e Gjykatës Kushtetuese çdo tre vjet me 1/3 e anëtarëve të saj".
Në vendimin e saj Nr.24/2011, Gjykata Kushtetuese, në përgjigje të kërkesës për përcaktimin e një mekanizmi të tillë shprehej se: "Në zbatim të parimit bazë të shtetit të së drejtës, atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kushtetutbërësi ka përcaktuar për secilën nga organet që përfaqësojnë këto pushtete kompentecat që përputhen/ i përgjigjen qëllimit të tij. Për sa kohë që kompetencat janë përcaktuar nga normat kushtetuse është e palejueshme që një organ tjetër t'i marrë ose ti anashkalojë ato me vullnetin e tij".
Fill pas kësaj, Gjykata Kushtetuese në vendimin e mësipërm, i është përgjigjur qartë edhe pa ekuivoke kërkesës së 1/5 së deputetëve. Në të thuhet se mekanizmi i përshtatshëm për përtëritjen ishte në kompetencën e ligjvënësit kushtetues (Për tia bërë më të qartë lexuesit, ligjvënësi kushtetues është Kuvendi që vendos të amendojë këtë apo atë nen të Kushtetuëts, ose të miratojë ndonjë dispozitë tranzitore kushtetuese. Kjo nismë mund të vihet në lëvizje nga jo më pak se një e pesta e deputetëve, ndërsa projekti miratohet nga jo më pak se në dy të tretat e të gjithë deputetëve).
Kuvendi nuk e zbatoi detyrën ose urdhërimin e mësipërm të Gjykatës Kushttuese dhe me vendimin e saj Nr.106 ja ktheu dekretet Presidentit për ti vënë ato në lëvizje deri në Prill të vitit 2013 me arsyetimin se në Gjykatën Kushtetuese nuk kishte vende vakante për të plotësuar.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të shpallur në datën 19 korrik 2012, me shumicë votash u vendos: Rrëzimi i kërkesës së Presidentit të Republikës me arsyetimin se nuk kishte konflikt të kompetencave midis Presidentit dhe Kuvendit.

* * *
E lexova dhe e rilexova këtë vendim. E studjova atë me vemëndje dhe të them të drejtën pata një farë zhgënjimi.
Krijova përshtypjen se shumica nuk e ka patur të lehtë të arsyetojë vendimin për shkak të mungesës së argumentave kushtetuese dhe ligjore. Ky mendoj se është shkaku i frazeologjisë të tepruar, pjesërisht të përsëritur dhe kontradiktorë, i shmangies nga thelbi i çështjes dmth nga objekti i kërkesës, i zgjatjes me disa faqe për të evidentuar bashkëpunimin e nevojshëm midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit. Në vendim disi në mënyrë të forcuar është synuar të argumentohet legjitimiteti i qëndrimeve të mbajtura nga Kuvendi, në mënyrë të veçantë i vendimit të tij Nr. 106/2011, etj.
Lidhur me këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, mendova të parashtroj disa opinione të natyrës kritike, i ndërgjegjshëm se ai është përfundimtar dhe i formës së prerë.
A ka zbatuar Kuvendi, vendimin Nr. 24/2011 të Gjykatës Kushtetuese dhe në mënyrë të veçantë dispozitivin e tij ku thuhet: gjetja dhe zbatimi i një mekanizmi të përshtatshëm për të respektuar nenin 125/3 të Kushtetutës është në kompetencë të ligjvënësit kushtetues?!
Ky detyrim i përcaktuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kërkonte ndërhyrjen në Kushtetutë, nga Kuvendi, por në rolin e ligjvënësit Kushtetues që do të thotë jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit të merrnin nismën për rishikimin e Kushtetutës.
Ky vendim edhe pse nuk u zbatua nga Kuvendi, Gjykata Kushtetuese jo vetëm nuk u ndal në këtë çështje, por siç përmëndëm edhe më lart u mundua të legjitimojë veprimet antikushtetuese të tij (Kuvendit).
Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar të ligjshëm vendimin Nr. 106/2011 që ka vendosur ndërprerjen e procedurave të shqyrtimit të Dekreteve të Presidentit të Republikës gjë që është jashtë kompetencave të saj. E shikoj të nevojshme të përmënd se një nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që ka paraqitur mendim pakice, mbasi ka evidentuar faktin se kjo gjykatë edhe në jurisprudencën e mëparshme është shprehur se: "Kuvendi e kontrollon Qeverinë dhe aktin e Presidentit me mjekte demoraktike" i referohet një vendimi të Gjykatës Kushtetuese Federale Gjermane ku theksohet se: "duke mos shqyrtuar dekretet e Presidentit, pra duke mos ushtruar Kuvendi të drejtën dhe detyrën e tij, krijohet një precedent i rrezikshëm për funksionin e shteit dhe qeverisjen e vendit".
Gjykata pranon se Kuvendi ka vendosur të mos shqyrtojë dekretet e Presidentit deri në Prill 2013, por nuk ka patur për qëllim pengimin e kompetencës së Presidentit për zgjidhjen e konfliktit të komptencave.
Ky mendoj se është një mendim i sforcuar dhe i pajustifikueshëm sepse nga një anë anashkalohet moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që mekanizmi i përtëritjes mund të zgjidhet vetëm duke ndërhyrë në Kushtetutë, nga ana tjetër i njihet Kuvendit një kompetencë që nuk e ka: pezullimin e shqyrtimit të dekreteve të Presdientit dhe kthimin e tyre përsëri atij për të mos i vënë lëvizje deri në Prill të vitit 2013.

* * *

Interpretimi original i ligjvënësit
Në vendimin e Gjykatës thuhet: "Mosshqyrtimi i dekreteve nga ana e Kuvendit ka ardhur si pasojë e interpretimit original, që ligjvënësi i ka bërë dispozitave kushtetuese si dhe vendimit Nr.24/2011 të kësaj gjykate për të realizuar përtëritjen e përbërjes së saj me një të tretën çdo tre vjet…"
Deri sa Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj Nr.24/2011 u shpreh se çështjen e ripërtëritjes duhet ta zgjidhte ligjvënësikushtetues, çfarë interpretimi kishte përparësi? Interpretimi përfundimtar i Kushtetutës apo interpretimi origjinal i Kuvendit?!.
Në fakt, i ashtuquajturi interpretim origjinal që përmëndet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese s'është gjë tjeër veçse një "Interpretim" që nxjerr jashtë loje dispozitivin e vendimit Nr. 24/2011 të Gjykatës Kushtetuese.
Derisa, Kuvendi, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese paskishte të drejtën që në raste të tilla të bënte interpretime origjinale përse ishte nevoja ti drejtohej Gjykatës Kushtetutse?!

Kuvendi organi më i lartë ligjvënës
Për të evidentuar rolin e rëndësishëm të Kuvendit në legjitimimin e interpretime të tilla, Gjykata Kushtetuese, e ka parë të arsyeshme që Kuvendit si organ (pushtet) ligjvënës ti shtohen edhe fjalët "më I lartë". Nuk di të ketë organe më të ulta ligjvënëse! Sipas nenit 7 të Kushtetutës: "sistemimi i qeverisjes në republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin e pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor", ndërsa sipas nenit 124 të Kushtetutës "gjykata kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj. Të gjitha organet mund të bëjnë interpretim të ligjit dhe të Kushtetutës por interpretimin përfundimtar të Kushtetutës e bën vetëm Gjykata Kushtetuese. Si rrjedhim, Kuvendi në këtë rast nuk kishte të drejtë të bënte interpretime "origjinale" por të zbatonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, duhet ti tërhiqte vëmendjen fakti se, Kuvendi duke zbatuar vendimin e saj Nr. 106 nuk ka vepruar si ligjvënëskushtetues, por si ligjvënës i zakonshëm. Në këtë mënyrë heshtazi ka pranuar dhe toleruar që urdhërimet në vendimet e saj të mos zbatohen nga Kuvendi gjë që është një precedent me pasoja të dëmshme, një përmbysje e doktrinës dhe e praktikës që krijon pasiguri dhe çoroditje. Një kthesë kaq e fortë, në një çështje kaq konkrete që kërkonte zgjidhje, edhe nëse do të ishte e nevojshme ndonjë ndryshim nga praktika e mëparshme do të duhej një arsyetim bindës vetëm në frymën e Kushtetutës dhe garantimin e plotë të normave të saj, gjë që nuk është bërë.

Kuvendi zgjati mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese
Kjo është një nga çështejt që ngrihet në kërkesën e Presidentit drejtuar Gjykatës Kushtetuese gjë që nuk është në kompetencën e Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese është shprehur kundër kësaj kërkese sepse sipas saj Kuvendi ka vendosur ndërprerjen e procedurave të shqyrtimit të dekreteve të Presidentit me qëllim rregullimin e një çështjeje konkrete lidhur me përtëritjen e përbërjes së Gjykatës Kushtetuese. Në fakt asnjë nen i Kushtetutës nuk i jep një kompetencë të tillë Kuvendit.

Legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese
Kërkuesi thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ka pretenduar se vendimi Nr. 106/2011, ka pezulluar përtëritjen e përbërjes të Gjykatës dhe si pasojë qëndrimi në detyrë tej mandatit kushtetues prej 9 vjetësh të tre anëtarëve të pazëvëndësuar, ka venë në diskutim legjitimitetin e saj.
Gjykata këtë pretendim e konsideron të pabazuar sepse sipas nenit 125 pika 5, gjyqtari I Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij, deri në emërimin e pasardhësit të tij, sepse kjo krijon vazhdimësinë e drejtësisë kushtetuese "pavarësisht situatave të mundshme që mund të krjohen gjatë procesit të emërimit të anëtarëve të rinj".
E shikoj të nevojshme të përmënd se lidhur me këtë çështje jam shprehur publikisht në një nga organet e shtypit të përditshëm fill mbas vendimit të Kuvendit që i ktheu Presidentit dekretet.
Titulli i shkrimi ëshët "Përtëritja, Kuvendi dhe Presidenti" (përfshirë në publikimin "Refleksione mbi shtetin e së drejtës", botim i vitit 2011 faqe 147 - 151). Më lejoni të citoj: "Kur gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese i mbaron mandati, detyrim kushtetues i Presidentit është dërgimi në Kuvend i dekretit për emërimin e gjqytarit të ri. Kur Kuvendit i dërgohet dekreti I mësipërm detyrimi i tij Kushtetues është që ai të vendosë dhënien ose jo të pëlqimit. Kushtetuta nuk njeh pezullim të kësaj procedure as nga Presidenti dhe as nga Kuvendi. Madje edhe vonesat për zbatimin e kësaj procedure që kanë ndodhur dhe që vazhdojnë është e qartë se shoqërohen me pasoja të dëmshme. Kthimi i dekreteve Presidentit ose mosshqyrtimi i tyre, mund të krijonte një konflikt të panevojshëm në një kohë kur midis këtyre dy organeve, ashtu siç orienton edhe Gjykata Kushtetuese, duhet të vepronte parimi i luajalitetit. Duke e shtyrë mandatin e gjyqtarëve deri në vitin 2013, pa ndërhyrje në Kushtetutë, Kuvendi do t'i atribuonte vetes, një kompetencë që nuk e ka. Afati i mandatit është garanci për pavarësinë e gjykatës dhe të gjyqtarit kushtetues. Ndërsa shtyrja e tij jo në përputhje me Kushtetutën, mund të ndikonte negativisht në vetë gjyqtarin që I ka mbaruar mandate. Ky është një precedent që mund të krijonte një praktikë të gabuar ekstra - kushtetuese".
Kam patur dhe kam mendimin se ligjbërësi kushtetues në nenin 125 pika 5 të Kushtetutës nuk ka patur parasysh zgjatjen me vite të mandatit, por afatet relativisht të shkurtra që do të duheshin për procedurat përkatëse që do të përfundonin me dhënien ose jo të pëlqimit të dekreteve të Presidentit dërguar Kuvendit.
Një pezullim i tillë i dekretve të Presidentit që duhet të qëndronin në sirtarin e Presidentit deri në Prill të vitit 2013 s'ka asnjë lidhje me të konceptuarit e pikës 5 të nenit 125 të Kushtetutës.
Është e vërtetë se Gjykata Kushtetuese funksionon, shqyrton çështje dhe jep vendimet por veprimet jo në përputhje me Kushtetutën që tolerojnë ose çojnë në zgjatje të mandateve që kanë mbaruar para dy apo të vjetëve, deri në një fare mase nuk mund të mos cënojnë legjitimitetin e një gjykate të caktuar me ligj Kushtetues. Në këtë shkrim mendova të shfaq vetëm disa mendime. Por meqë çështja ka të bëjë me një vendim të Gjykatës Kushtetuese disktuimi nga një rreth më i gjërë i këtij probelmi mendoj se do të ishte i dukshëm, si në aspektin doktrinar edhe në atë praktik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë ndikim të veçantë.
Jemi të interesuar për një Gjykatë Kushtetuese që garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin e saj përfundimtar. Këto parime të sanksionuara në Kushtetutë ka interes t'i njohë edhe qytetari i thjeshtë madje në raste të veçanta të bëjë edhe ballafaqimin me zbatimin e tyre në praktikë.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.