Libri që duam dhe teknologjia që “na merr mendtë”

Postuar në 30 Gusht, 2012 05:20

Kënaqësia e një libri të shtypur që merret në dorë, lexohet, shfletohet, nuhatet, vendoset në bibliotekë apo te koka e krevatit, sigurisht që është diçka e veçantë. Historia e njerëzimit me librin e shtypur është një histori e gjatë dhe sigurisht vështirësisht e zëvendësueshme, të paktën jo menjëherë. Nënvizimi i një libri, kthimi i një flete për ta rifilluar aty ku e le, kontakti pothuajse ndjesor që krijohet me librin e shtypur, janë tashmë pjesë e kulturës sonë të thellë edhe në botën më të përparuar.

Por nuk mund as të mos hapim sytë përballë mundësisë që na ofron teknologjia bashkëkohore, e në fushën e librit atë që na ofron iPad dhe simotrat e tij: luks, thjeshtësi, kursim, komoditet, prakticitet. Një iPad mund të jetë një bibliotekë e tërë që njeriu nuk mund ta ketë në shtëpinë e tij, por e ka në dorë. Në pak minuta dhe me pak para mund të kesh në një ekran veprat më të mëdha të kulturës botërore, të letërsisë, artit, religjionit, filozofisë etj. Por nga ana tjetër iPad nuk është vetëm libër, ai është edhe internet, edhe facebook, edhe twitter, skype, lajme etj., dhe prandaj përqendrimi nuk është krejt i duhur.

Unë nuk mendoj për një zëvendësim, por për një përzgjedhje momentesh. Do të thotë që të dyja mund të bashkëjetojnë dhe duhet të bashkëjetojnë, sikurse nuk mund të humbim traditën e narracionit gojor, të shkrimit të një letre me dorë. Ashtu sikurse nuk do të mjaftojë kurrë të shikosh një person në skype dhe nuk do të jetë e barabartë me takimin me të, shtrëngimin e dorës, përqafimin, shikimin në sy, përlotjen nga hidhërimi apo nga gëzimi, situata që mundet t’i përçojë vetëm një takim personal.

Gjithsesi, pavarësisht avantazheve apo disavantazheve funksionale të njërit apo tjetrit, format libri, reflektimi mendoj se shtrihet në një rrafsh më të thellë, atë të marrëdhënies së njeriut me zhvillimin teknologjik.

Nuk e dimë çfarë mund të na sjellë e ardhmja. Unë kam besim tek aftësia përzgjedhëse dhe shoshitëse e njeriut të atyre gjërave që e ndihmojnë atë në rritjen dhe evoluimin e tij. Sigurisht është i njëjti njeri që mendoi se mund të përdorë njohjen e atomit për të krijuar energji, por e shfrytëzoi edhe mbi Hiroshimë. Zhvillimi i teknologjisë është thikë me dy presa: varet sesi e përdor. Shpesh refuzimi ndaj së resë dhe teknologjisë është shenjë dembelizmi për ta kuptuar atë dhe përparësitë që ky zhvillim sjell dhe sidomos për ta edukuar këtë përparim dhe jo duke e lënë që të na “edukojë” ai ne. Duke e refuzuar, thjesht humbet. Nga ana tjetër, ne shpesh e shohim zhvillimin si një zëvendësim të së vjetrës me të renë. Ky konceptim i zhvillimit sigurisht është humbës, pasi çdo herë krijon rrënjë të reja e për këtë arsye jo të thella dhe të qëndrueshme. Zhvillimi duhet të jetë në shenjën e vazhdimësisë.

Duke u kthyer te testament i Kunderës, nuk e di çfarë e ka shtyrë atë të bëjë një gjë të tillë. Duke dashur të mos ia dorëzojë veprën e tij zhvillimit më duket si një baba që do të mbrojë fëmijët e tij nga shokët e këqij dhe kështu e mban të mbyllur në shtëpi. Ka njëfarë të drejte, sepse e njeh jetën më mirë se fëmijët e tij, por tanimë fëmijët duhen lënë të lirë, sepse vetëm kështu do të kuptojnë se çfarë babai të mirë kanë pasur. Ndoshta i ngjan ende frikës nga zbrazëtia, rënia në zbrazëti. Na e thotë vetë Kundera te Pesha e papërballueshme e qenies: “Kush dëshiron të shkojë lart, herët a vonë duhet ta dijë se do t’i merren mendtë. Çfarë është marramendja? Frika nga rënia? Po atëherë pse na merren mendtë edhe në një belvedere që ka një rrethim të sigurt? Marrja e mendve është diçka e ndryshme nga frika e rënies. Marrja e mendve është zëri i zbrazëtisë poshtë nesh që na tërheq, na ndjell, është dëshira për të rënë, nga e cila mbrohemi me frikë”.

Mapo

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.