KQZ-ja si rrezik publik

Postuar në 20 Qershor, 2012 05:22

Në datën 13 mars 2012, mbi 62 mijë qytetarë shqiptarë dorëzuan firmat dhe fotokopjet e kartave të tyre të identitetit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke shprehur publikisht vullnetin e tyre, sipas Kushtetutës, për një referendum të përgjithshëm në lidhje me importin e mbetjeve në Shqipëri. Ishte hera e parë që qytetarët shqiptarë ushtronin të drejtën e tyre themelore për të organizuar një referendum kombëtar. Ishte hera e parë që në KQZ dorëzoheshin mbi 60 mijë firma dhe kopje të kartave të identitetit (nga 50 mijë që kërkon ligji) për të organizuar një referendum qytetar. Në këtë aspekt, 13 marsi shënoi një ngjarje në historinë e varfër të demokracisë sonë, ku referendumet janë organizuar nga qeveritë, por kurrë nga qytetarët.
Kjo ngjarje sot rrezikohet jo sepse kërkesa e qytetarëve është rrëzuar, por sepse ajo po injorohet në mënyrë publike nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Me ligj KQZ-ja ka 90 ditë kohë për të verifikuar nënshkrimet dhe për t’u shprehur në lidhje me kërkesën. Ka kohë që koha ka mbaruar dhe KQZ-ja, pavarësisht reagimeve publike të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP), hesht duke bllokuar publikisht dhe brutalisht vullnetin e dhjetëra mijërave qytetarëve për referendum.
Prandaj sot KQZ-ja është kthyer në një rrezik publik. Ajo ka marrë një atribut thelbësisht antidemokratik dhe antikushtetues: injorimin e vullnetit publik. Një institucion që është ndërtuar për të lexuar vullnetin popullor e injoron këtë vullnet në shkelje të ligjit, pa dhënë arsye dhe madje pa denjuar as t’u përgjigjet reagimeve dhe thirrjeve publike të shoqërisë civile. Sot qytetarëve shqiptarë u mohohet një e drejtë që ia garanton Kushtetuta nga një institucion që mbahet më këmbë me taksat e tyre.
Heshtja skandaloze e KQZ-së, injorimi publik që ky institucion u bën qytetarëve që paguajnë për ekzistencën e tij është simptomë e një sëmundjeje të rëndë të institucioneve tona demokratike. Sot shumica dërrmuese e institucioneve të demokracisë sonë (Parlamenti, gjykatat, KQZ-ja, qeveria), reagojnë vetëm ndaj shqetësimeve partiake dhe politike teksa injorojnë tërësisht vullnetin qytetar. KQZ-ja është shembulli tipik i një institucioni publik që formësohet dhe vihet në lëvizje nëpërmjet partive politike dhe që për pasojë është krejtësisht e pandjeshme ndaj publikut, vullnetin e të cilit e ka për detyrë ta pasqyrojë.
Natyrisht që skandali i fundit i KQZ-së është shfaqja e radhës në një spektakël politik ku qytetari vendoset në rolin e spektatorit të budallallepsur. Ama deri tani, qytetarit e drejta për të folur i është hequr me “lezet”. Herë duke e hutuar me integrimin europian, herë duke e habitur me spektakle pseudo-publike si zgjedhja e Presidentit, ngjalat e Lalzit apo me pafajësinë e Metës. Ndërsa sot kemi të bëjmë me një përshkallëzim të rrezikshëm. Pasi qytetari me shumë përpjekje e mori mundimin për të folur duke dorëzuar mbi 60 mijë firma dhe karta identiteti, KQZ-ja hesht dhe injoron publikisht zërin e tij në shkelje të hapur të ligjit. Ndaj, nëse nuk reagojmë sot, nesër do ta kemi tërësisht të pamundur të flasim.

Panorama

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Vetem dy mesazhe duhet te leshoje opozita tashme (kryesisht ndaj nderkombetareve)
1. Me kete dictator mesjetar nuk mund te behet as njelloj marreveshje qe shkon ne te mire te shqiptareve dhe ca me pak te rajonit dhe te vete interesave te perendimoreve.
2. Me kete Bishe orientale, hajdut e mashtrues amoral nuk do te kete zgjedhje....

Rama dhe opozita duhet te pergatitin popullin per lufte te gjithanshme dhe te panegociushme me Bishen - ai duhet te ike nje ore e me pare. Negociatat me dike tjeter dhe perpjekje per nje qeveri teknike vec per sigurimin e zgjedhjeve normale. Lufte nuk do te thote vrasje e terror pasi keto di ti bej mjaft mire Maloku I Viçidolit, por perdorimi I cdo forme legjitimitetin dhe demokratike.

Lufta duhet te jete ne cdo front dhe duke filluar me financat, bizneset dhe pasurite e vjedhura te klanit te regjimit.
Kjo duhet te ishte platforma e nje opozite reale qe rrezikon cdo dite te humbase legjitimitetin dhe katandisjen e saj ne nj OJQ.

Submitted by Anonim (not verified) on

Shume dakort me Kajsiun ne cdo aspect, por keta qafire do te vazhdojne te shkelin cdo norme e afar ligjor perderisa te mos perballen me ligjin dhe protesten popullore.
Cfare I ndalon organizuesit e mbledhjes se firmave per referendum qe te marrin konsulence ligjore per ta çuar Ristanin e Berishes para drejtesise dhe do perendia edhe prapa hekurave per ta bere kete qelbesire edhe shembullin me te mire te ndeshkimit me ligj te sherbetoreve te regjimeve dhe me te drejte edhe targetin e urrejtjes kombetare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.