Jo! Kriza nuk ishte si piramidat

Postuar në 09 Tetor, 2012 03:34

Me para mund të blihet gjithçka, por një gjë nuk blihet dot! E shkuara. Këtë problem ka kryeministri i sotëm, i cili po përpiqet të pastrojë ndërgjegjen e vet me atë që ndodhi në vitin 1997, me rënien e skemave piramidale, me kolapsin e shtetit dhe mijëra të vrarët. Pastrimi i ndërgjegjes nuk po kryhet përmes pranimit të fajit dhe përgjegjësive, por përmes justifikimit. Kjo u bë e qartë dje, kur përballë Këshillit të Europës, përmes një argumentimi të çuditshëm, Berisha deklaroi se mungesa e institucioneve e shkaktoi krizën e vitit 1997 në Shqipëri dhe se kjo është “pothuajse identike” me krizën e sotme të botës. Ai nuk nguroi të japë mendimin e tij se çfarë duhet të ndryshohet në Europë. Berisha mori përsipër t’u shpjegojë europianëve se nuk kanë para të paguajnë shtetin e tyre social, pensionet e majme dhe ndihmën ekonomike për të gjithë.

Duket se për Berishën, më kot kanë shkruar me mijëra ekonomistë mbi rrënjët e krizës së sotme. Ai ka një ide origjinale për ta shpjeguar atë dhe kjo ide, përkon rastësisht me skemat piramidale në Shqipëri. Në pamundësi për të pranuar fajin e vet për krizën që ai vetë prodhoi, po dëshiron të shpallë të gjithë botën skemë piramidale. Për shkak se i mungon vullneti për të ndihmuar njerëzit në nevojë në Shqipëri, përfshirë edhe ish të persekutuarit politikë, ai dëshiron të bindë Europën se as ata nuk kanë mundësi të ndihmojnë njerëzit në nevojë. Europa ka mbi 60 vjet që i ndihmon të varfrit e vet dhe garanton jetesë normale për të gjithë, kujdes shëndetësor, banesë, ngrohje. Nuk besoj se i hyn në punë mendimi i kryeministrit të një vendi të mjerë, ku njerëzit hyjnë në grevë urie dhe i vënë flakën vetes pasi kërkojnë atë që me ligj u është premtuar e moralisht u takon.

Ai flet në Strasburg, por është e qartë se flet për shqiptarët, jo për europianët. Dhe ka shumë gjëra që nuk shkojnë në argumentimin e tij justifikues për veten:

Kriza e sotme e botës u krijua për shkak se qeveria amerikane dëshironte t’i jepte kredi dhe rrjedhimisht të bënte pronar të shtëpive të gjithë popullatën e vet. Kriza e vitit 1997 në Shqipëri u krijua për shkak se qeveria dhe hajdutët e saj u përpoqën të zhvasin çdo shqiptar nga shtëpia, lopa dhe kursimet e veta. Kriza e sotme e Eurozonës u krijua për shkak se europianët e pasur të Veriut ëndërruan dhe e panë të mundshme që grekët, italianët e Jugut, spanjollët, portugezët, irlandezët apo sllovenët, mund të rrisnin mirëqenien e tyre me shpejtësi për t’u barazuar sa më parë me gjermanët, francezët e holandezët. Suedezët thjesht nuk e panë të mundshme këtë gjë dhe qëndruan jashtë. Kriza e skemave piramidale në Shqipëri u krijua për shkak se një grusht hajdutësh panë se shqiptarët kishin ca para, të cilat mund t’u vidheshin përmes mashtrimeve. Berisha dhe lakenjtë e tij e panë mashtrimin si një mjet për të ruajtur pushtetin e vet. Nuk lëvizën asnjë gisht për të ndaluar megamashtrimin, megjithëse tashmë është e stërprovuar historikisht se Shqipëria i kishte njerëzit mjaftueshëm të mençur, të cilët dhanë alarmin dhe deklaruan se mashtrimi nuk të bën as më të mençur dhe as më të pasur.

Kontrasti është i dukshëm. Presidentët amerikanë besonin se edhe zezakët mund të punonin, të blinin një shtëpi dhe të paguanin kreditë. Baballarët e Eurozonës besonin se edhe grekët mund të merrnin kredi me interesa të ulëta, të punonin dhe t’i shlyenin këto kredi. Defekti ndodhi për shkak se Greqia kishte nevojë për interesa kredish prej 6 apo 7 përqindësh dhe jo për interesa prej 4 apo 5 përqindësh në vit që rridhnin nga politika e Bankës Qendrore Europiane. Kjo nuk kishte shumë ngjashmëri me interesat 6, 8 apo 10 apo 30 për qind në muaj, dhe theksoj, në muaj, të Vefës, Kamberit, Gjallicës, Sudes etj.

Ndryshimi është i madh edhe sa u përket pasojave të krizës. Në asnjë vend europian, shteti nuk u rrëzua dhe mijëra qytetarë nuk e humbën jetën pasi doli në pah kriza. Berisha duhet ta mbajë mend mirë se çfarë ndodhi në Shqipëri. Në asnjë vend që sot gjendet në krizë, nuk pati inflacion 42 për qind, siç pati në Shqipëri në vitin 1997, apo inflacion 13 për qind më ‘96 e 23 për qind më ‘94.

Kur Bernard Madoff bëri skemën e vet piramidale, 4800 amerikanë u mashtruan. Gjysma e tyre nuk humbën para. Gjysma tjetër rikuperuan 50 për qind të investimit. Madoff humbi çdo gjë, përfshirë bizhuteritë personale, u dënua me 150 vite burg. Dëmi që ai bëri me mashtrimin e vet qe 65 miliardë dollarë, e barabartë kjo me 0.4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të SHBA-së. Në Shqipëri, të gjithë krerët e skemave piramidale u liruan, falë ligjit të amnistisë së vitit 2007, që u miratua nga vetë mazhoranca e Berishës. Sot kapardisen rrugëve dhe është e qartë se as mirëqenia dhe as liria nuk iu dëmtuan për shkak se mallin e grabitjes së tyre e ndanë me qeveritarët. Ata mashtruan të gjithë shqiptarët njëherësh, ku shumica dërrmuese e tyre rikuperuan 2, 5 apo 10 për qind të investimit fillestar. Dëmi i vlerësuar në 600 milionë dollarë të kohës ishte i barabartë me 25 për qind të PBB-së. Prodhimi i Brendshëm Bruto i SHBA-së në vitin 2009, pra në vitin e krizës, ra me 3,5 për qind, në Shqipëri, më 1997, ra me 10 për qind.

Jo! Kriza e sotme e botës nuk ka kurrfarë ngjashmërie me piramidat në Shqipëri.

 

*SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.