Heronjtë personalë të Albin Kurtit

Postuar në 08 Mars, 2013 04:15

Mos fol se janë këtu familjet e të vrarëve në demonstratën e shkurtit të vitit 2007!

Për herë të parë, prej se u zgjodha deputet, e bëra ketë kompromis, nëse vërtet duhej të flisja për debatin që e kishte ngritur Lëvizja VV apo duhej të heshtja përballë një hipokrizie ku po merrnin pjesë të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Të cilën hipokrizi, në fund e përmbylli ai që më së paku e prita – nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti.

Ndoshta, sepse aty ishin përfaqësuesit e familjeve, fëmijët e të cilëve ishin vrarë ose plagosur në një demonstratë të organizuar nga Lëvizja VV.

Në fakt, ky debat i organizuar nga VV ishte fitorja e parë bindëse e këtij subjekti fundamentalist, përballë deputetëve pa kurrfarë sedre. Aty, pos tjerash, nga VV u përbalt edhe figura e ish-ambasadores Tina Kaidanow, e cila, më së paku që mund të themi, është se ishte ndrikulla e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ambasadoren Kaidanow, në pamundësi që ta falënderoja në Kuvend, sepse m’u sugjerua që të mos flisja për shkak të familjeve të viktimave të demonstratës së shkurtit 2007, edhe prej kësaj perspektive dëshiroj ta falënderoj për punën e jashtëzakonshme dhe ndihmën e paçmueshme të saj për t’u bërë Kosova shtet i pavarur.

Në Kosovë tashmë është shndërruar në rutinë keqpërdorja e gjakut të të tjerëve. Tash, kemi shkuar aq larg, sa kemi filluar edhe të japim hipoteza se po të ishte gjallë filan heroi a filan komandanti, si do të reagonte përballë kësaj ose asaj situate. Në emër të të rënëve – edhe në emër të vëllezërve e motrave të rëna – janë uzurpuar pompa të benzinës, hotele e motele, kazino e bungallova, janë emëruar anëtarë bordesh e profesorë fakultetesh, janë fituar tituj doktoraturash e tituj faqesh të zeza. Çka nuk është bërë në emër të gjakut të derdhur. Për një gjë të jeni të sigurt, se ata që e përmendin më së shumti gjakun e derdhur – ata janë duke e keqpërdorur më së rrasti atë gjak.

Dhe këtu nuk bën dallim as Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, dallim bën mënyra sesi ka ndodhur keqpërdorja e gjakut të derdhur.

Shokët, miqtë, farefisi i të rënëve në luftë me Serbinë, kur të afërmit e tyre janë vrarë në beteja, asnjëherë nuk e kanë besuar se në emër të më të dashurve të tyre nuk do të lënë banesë pa uzurpuar a biznes pa filluar. Pra, pasurimi i tyre ishte pasojë e një akti heroik, i një rënie në fronte, i një të riu a të reje të vrarë. Pra, nuk ishte qëllim.

Kurse, në rastin e Lëvizjes Vetëvendosje, keqpërdorimi ka qenë që prej fillimit – qëllimi. Lideri i kësaj lëvizjeje e kishte pasur qëllim që ta derdhë gjakun – jo të tijin normalisht – në mënyrë që më vonë ta përdorë atë. Kurti kishte nevojë që t’i kishte heronjtë e tij. Të subjektit të tij. Të ideologjisë së tij. Kurtit i nevojitej një imitim i djegies së “Rajshtagut”, në mënyrë që të fillonte betejën e tij. Dhe ishin pikërisht këta dy djem të rinj që u vranë në mënyrë kriminale nga policët rumunë, ata që po përdoren tash nga Kurti – dhe po duartrokiten nga i gjithë spektri politik – për nevojat e tij ultrapersonale. Pra, Kurti po e ndërton tempullin e tij. Dhe një tempull, ose një religjion, ose një ideologji, nuk quhet e tillë nëse për të nuk është derdhur gjak.

Ju kolegë servilë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, a mund të tregoni se për çfarë po protestonte Kurti me bandën e tij? A po protestonte kundër Pakos së Ahtisaarit? A po protestonte kundër klasës së atëhershme politike? A po protestonte edhe kundër Kuvendit të atëhershëm? A po thoshte se duhet të vdesim të gjithë sepse pavarësia nuk do të vinte kurrë?

Dhe a erdhi Pavarësia?

Problemi në seancën e djeshme ishte se askush nuk kishte kurajë të fliste për shkaqet që çuan në organizimin e protestës – sepse ishin familjet e viktimave në sallë! – por flisnin për aktin e vrasjes. A nuk është edhe vrasja e Diana Kastratit një akt kriminal që kërkon që përgjegjësit të vihen përpara drejtësisë? A nuk janë edhe qindra vrasje të tjera të pazbardhura akte të shëmtuara kriminale? Pra, unë nuk e kuptoja – dhe më sugjeruan që të mos flisja, sepse ishin familjet e viktimave në sallë! – nëse ishim mbledhur për ta dënuar një akt kriminal, apo për ta lartësuar kauzën e Lëvizjes Vetëvendosje? Apo, përmes gjakut të derdhur të të rinjve të keqpërdorur brutalisht për nevoja të Kurtit, edhe ne po përdoreshim për atë kauzë?

Familjeve të viktimave të shkurtit 2007 unë dëshiroj që përmes këtij shkrimi t’ua shpreh dhimbjen time më të thellë për humbjen e më të dashurve të tyre. Këtyre familjeve – që dje ishin në sallë, por më sugjeruan që të mos flisja për shkak të prezencës së tyre – dëshiroj t’ju them se protesta ishte organizuar me qëllim që dikush të vritej. Nëse unë do të isha Kurti – gjë që nuk do të doja të më ndodhte kurrë një transformim i tillë i statusit tim fizik – do të më brente ndërgjegjja për jetët e humbura.

Kosova do të ishte kjo që është me apo pa atë demonstratë. Kosova do të ishte e pavarur – dhe me shumë probleme gjithashtu – me apo pa viktimat e atij shkurti.

Ata u vranë për t’u përdorur. Sepse Kurti kishte nevojë për heronjtë e tij personalë. Më tregoni, ju lutem, nëse dikush prej jush deri më tash e ka parë Kurtin, hajt ta zëmë, duke bërë homazhe përpara varrit të presidentit Ibrahim Rugova?! Ose, diku tjetër? Nuk do ta shihni, sepse ai i ka heronjtë e tij. Personalë. Normalisht i ka edhe rreth 100 deputetë të Kuvendit të Kosovës që i përdor për qëllime të tij.

P.S. Ky tekst ishte supozuar të lexohej në seancën e djeshme parlamentare. Por, m’u sugjerua nga të gjitha anët të mos e lexoja. Gabova.

Comments

Submitted by Hasan (not verified) on

Keni filluar te publikoni shkrime te deputeteve militant te PDK-se.

Nuk mund te vrasesh protestues pavarsisht se a pajtohesh me qellimin e protestes, ky eshte FUND i muhabetit.

Submitted by Boiken (not verified) on

Redaksise te Respublica duhet ti vije TURP qe publikon shkrime militantesh te cilit mundohen te relativizojne gjakun e derdhur te protestuesve ne emer te luftes politike.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.