Rrethanat e kapjes së Goran Haxhiçit si mishërim i banalitetit

Postuar në 05 Gusht, 2011 05:04

E përditëshmja britanike The Guardian ndalet në numrin e saj të 3 gushtit te kriminelët serbë të luftës dhe kapja e më të fundit syresh, të cilën gazeta e konsideron si “mision të përfunduar”. Julian Borger, autori i shkrimit e nis me një përshkrim të rrethanave të kapjes së Goran Haxhiçit i kërkuar për krime kundër kroatëve në Vukovar dhe në arrati prej 20 vjetësh. “Burri që u shfaq duke ecur në një pyll të Serbisë veriore nuk ngjante me një komandant lufte që kishte disa vjet në arrati. Fytyrën nuk e kishte të maskuar dhe as veshje ushtarake në trup; ishte veç një burrë i dhjamosur dhe flokërënë veshur me një t-shirt bojëqielli dekoruar me dicka, që i ngjante imitimit modernist të një kaushi akulloreje”.

The Guardian, në një stil të pamëshirshëm që vetëm britanikët e kanë, e përmbyll portretin e Haxhiçit me “është e vështirë të imagjinosh një sendërtim më përkryer të banalitetit të së keqes”. Haxhiç akuzohet për shkatërrimin e qytetit kroat të Vukovarit, të parit qytet europian të rrënuar që nga Lufta e Dytë Botërore. The Guardian shkruan se gjithçka i ngjante metodave naziste. Më tej përmend se Haxhiç kaloi 7 nga 20 vitet e fundit nën një alias të rremë në Rusi, ku jetonte i fshehur nga priftërinj ultranacionalistë të Kishës Ortodokse Serbe. Kur filluan t’i mbaroheshin paratë, në një përpjekje të dëshpëruar për të shitur një pikturë të Modiljanit (nuk dihet ende e njëmendtë apo e rrejshme, shkruan gazeta) ai dekonspiroi veten. 

L.A.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.