Mund të rikthehet dënimi me vdekje në Europë?

Postuar në 05 Gusht, 2011 04:02

Dënimi i fundit me vdekje në Britaninë e Madhe ka ndodhur në vitin 1964; pastaj erdhi viti 1969, kur Dhoma e Komuneve miratoi ligjin që e shfuqizonte njëherë e mirë ndëshkimin kapital. Kanadezët e kanë shfuqizuar në vitin 1976; francezët më 1981; australianët në vitin 1971; në Shtetet e Bashkuara ka ende shtete që e mbajnë në fuqi këtë dënim; gjykatat shqiptare nuk dënojnë më me vdekje qysh nga vitet ‘90.

Është dukur gjithë kohën, se “humanizimi i procesit penal” është një tendencë që s’mund të ndalej. Por po shtohen zërat për rikthimin e dënimit me vdekje. Kjo ndodh, së pari sepse shumica e opinionit publik në vijimësi ka qenë në favor të dënimit kapital (zakonisht, kanë qenë parlamentet ato që kanë vendosur shfuqizimin), dhe së dyti sepse herë pas here ndodhin tragjedi të shkaktuara nga “monstra’, e në raste të tilla dhembshuria e empathia ia lënë vendin zemërimit e nevojës për siguri më të madhe. Masakra e Oslos ishte një e tillë. Dhe shumë njerëz po mendojnë se nuk është hiç e drejtë – thuhej në numrin e sotëm të gazetës the Guardian – që Bernie Madoff, autori i skemës piramidale Ponzi, të dënohet me 121 vjet, dmth praktikisht me vdekje, ndërsa vrasësi i Oslos të dënohet jo më shumë se sa 21 vjet.

Ky diskutim është rihapur në Britaninë e Madhe, ku qeveria është zotuar të marrë në konsideratë çdo çështje, që ngrihet nga një e-petition (peticion i realizuar online), mjaft që ky peticion të nënshkruhet nga jo më pak se 100 mijë vetë. Kaq vetë në favor të dënimit me vdekje në Britani mund të mblidhen online brenda disa orësh. Por kjo s’do të thotë se dënimi me vdekje mund të rikthehet. Deri atje është rrugë e gjatë për t’u bërë. Dhe gati e pamundur.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.