Investimet e huaja, eksportet dhe turizmi rriten, euro nuk bie…

Postuar në 05 Gusht, 2011 11:56

Në tregun valutor të Tiranës, euroja, valuta kryesore që qarkullon në Shqipëri, e mbylli javën e parë të gushtit pothuaj në nivelin 141lekë. Siç mund të shihet nga grafiku, ky është niveli më i lartë i shkëmbimit të monedhës europiane me lekun gjatë sezonit intensiv të pushimeve. Ç'po ndodh, pse s'po bie euro kur qeveria shqiptare po na jep sihariqe të njëpasnjëshme për shifra rekord investimesh të huaja, turistësh që vizitojnë Shqipërinë, dhe eksportesh që rriten me ritme galopante? Në Tiranë nuk ka një bursë funksionale, ku hyjnë e dalin shuma të mëdha financiare, gjë që mund të ndikonte në kursin e këmbimit të lekut me euron. Gjithashtu, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në treg për të blerë euro në mënyrë masive, sepse, përndryshe, rezervat e saj valutore do të ishin rritur (ato kanë mbetur në nivelin e mbulimit të importeve për 5 muaj).

Në fortësimin e euros mund të ketë ndikuar pakësimi i dërgesave të emigrantëve, që ishte sipas Bankës së Shqipërisë në nivelin e 300 milionë eurove gjatë vitit të fundit. Por ky pakësim mund të mbulohej me rritjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta gjatë vitit të fundit, që sipas Bankës së Shqipërisë (të cituar nga PNUD-i e Banka Botërore e të ricituar nga qeveria e mediat pranë saj) ishte në nivelin e 500 milionë eurove; ose mund të mbulohej nga rritja e eksporteve gjatë vitit të fundit, që sispas INSTAT-it ishte në nivelin e 350 milion eurove.
Meqënëse kursi i këmbimit euro-lek nuk matet nga disa burokratë qeveritarë, por përcaktohet drejtpërdrejt nga bashkëveprimi i ofertës dhe kërkesës në treg, ndoshta nuk u duhet besuar shumë shifrave zyrtare dhe duhet ndjekur pikërisht ai. Kështu, grafiku i mësipërm na tregon se çmimi i euros në tregun valutor shqiptar ishte i qëndrueshëm në nivelin rreth 125 lek gjatë periudhës korrik 2004 - janar 2009. Që prej atëherë, euro ka njohur vetëm rritje, gjë që tregon se panorama makroekonomike shqiptare është keqësuar. Një pjesë e përkeqësimit mund të ketë ardhur nga faktorë të jashtëm e një pjesë nga faktorë të brendshëm, por e rëndësishme është se kurba e këmbimit euro-lek na sinjalizon se punët s'kanë qenë mirë këto dy vitet e fundit.

E.Z.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.