Zbulime të rëndësishme në Butrint

Postuar në 21 Qershor, 2012 05:04

Ekspedita arkeologjike në Butrint ka dhënë rezultate mbresëlënëse këtë vit. Për herë të parë arkeologët njohin përmasat e forumit romak, ata ishin dëshmitarë të zbulimit para tyre të një bazilike dhe shndërrimit të të njëjtit objekt në shek. IV në të parën kishë të Butrintit. 

Arkeologët thonë se kanë zbuluar një rradhë kolonash mermeri të importuara. David Hernandez bashkëdrejtori  amerikan i ekspeditës nga Universiteti i Notre Dame bën me dije se në këtë ekspeditë kërkimore u angazhuan për herë të parë rreth 55 specialistë, mes tyre arkeologë, atropologë , bioarkeologë, gjenetistë dhe studentë  nga Shqipëria, SHBA,Italia, Hungaria, Greqia, Cekia, etj.   

Nga rrënojat ku po kryhen tashmë sistemimet e fundit arkeologët kanë arritur të nxjerrin gjatë javës së fundit një objekt druri të identifikuar paraprakisht si parmendë për punimin e tokës e shek. VII para Krishtit. Ky është i pari zbulim me këtë vlerë në rang Ballkanik dhe i pari objekt druri i identifikuar në një shtresë kaq të hershme rreth 6,5 meter ne thellesi. 

Objekti prej druri qe cuditerisht eshte ruajtur i zhytur ne uje ne bregdetin e dikurshem te qytetit por edhe gjetje te tjera  te kesaj shtrese dokumentojne per here te pare fillimet e jetes se qytetit te Butrintit. Gjetjet në qeramikë dhe monedha gjithashtu kanë dokumetuar periudha të rëndësishme të jetës së Butrintit. Shtresat kanë qenë mjaft të pasura në qeramikë të importuar nga i gjithë pellgu i Mesdheut duke përforcuar rolin e qytetit në shkembimet tregtare në antikitet.

“Unë jam shumë e befasuar prej kësaj qeramike fine të pikturuar që daton në shek. IV-III para Krishtit. Tani po punoj për rindërtimin e skicave të objekteve dhe analizën e qeramikës.  Këtë vit janë gjetur shumë amfora dhe terrakota enë të përdorimit të përditshëm prej qeramike mes të cilave edhe vepra të mirëfillta arti", thotë Nadia Aleotti, specialiste qeramike.

Në përfundim të ekspeditës rreth 250 monedha të periudhave të ndryshme,  pjesë skulpturash, kryesisht krahë dhe këmbë, një mbishkrim romak i paplotë ku ishte shkruar fjala “Sextus” për t'ju referuar shifrës 6 në latinisht, objekte bronzi, spatula, fibula, bizhuteri, enë xhami dhe një bilbil mesjetar që mendohet së është përdorur për thirrjen e fajkojve do të jenë materialet që do të analizohen prej specialistëve përgjatë këtij viti për ti shtuar pjesë të reja historisë së qytetit antik të Butrintit pjesë e trashëgimisë botërore, i mbrojtur nga UNESCO.

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.