Vrasja e Lamajt, presion dëshmitarëve

Postuar në 08 Mars, 2013 05:26

 

Avokatët mbrojtës të Frrokut tentojnë të komunikojë me personat që panë ngjarjen. Policia i merr në mbrojtje

 

Policia vihet në lëvizje për të mbrojtur dëshmitarët okularë të vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt. Informacionet e fundit flasin se të afërm të Arben Frrokut kanë filluar lëvizjet për të siguruar prova për lirimin e biznesmenit, ndërsa kanë tentuar të pyesin edhe personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes. Një gjë e tillë është konsideruar si “presion” nga ana e grupit hetimor, ndërsa është ndërmarrë një plan masash për të mbrojtur këta persona, që konsiderohen nga prokuroria si personat kyçë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e vrasjes së 24 shkurtit.

“Ditët e fundit, në vendin e ngjarjes, kanë shkuar disa persona dhe janë interesuar se kush ka qenë dëshmitarë okularë. Janë pyetur një sërë personash, ndërsa këto informata i kanë marrë edhe agjentët civilë të policisë, që kishin shkuar për të ruajtur sigurinë fizike të familjes së kryekomisar Dritan Lamajt”, pohojnë burimet nga Policia e Shtetit, pa dhënë detaje mbi personat në fjalë, vendin ku kanë qenë dhe se çfarë kanë dëshmuar.

Megjithatë, burimet konfidenciale pohojnë për gazetën “Shqip” se janë të paktën tre dëshmitarë okularë që kanë parë të gjithë skenën, emrat e të cilëve janë mbajtur sekret, me qëllim që të mos influencoheshin nga mbrojtja, pasi gjithmonë provat me dëshmi janë të luhatshme. Kujtojmë këtu se disa dëshmitarë në procese gjyqësore të rëndësishme, kryesisht për disa banda kriminale, kanë ndryshuar thëniet, në momentin e ballafaqimit me të pandehurit.

Duke i paraprirë kësaj situate, hetuesit kanë preferuar që emrat të mbahen sekretë, ndërsa mësohet se dëshmia e tyre nuk i është servirur as mbrojtësve, pasi në këtë mënyrë dekonspirohej hetimi. Burimet nga Policia e Shtetit pohojnë se një nga dëshmitarët ka treguar momentet para vrasjes. Mësohet se ai ka qenë personi i fundit që e ka takuar kryekomisarin shëndoshë e mirë, madje ka biseduar për një çast, rreth parkimit të automjetit. Ky dëshmitar është pyetur se ku ka qenë Lamaj në momentin e vrasjes dhe lëvizjet e tij. Ai ka thënë se kryekomisari është qëlluar në momentin që i ka kthyer shpinën.

Ndërkohë, dëshmitari i dytë, dyshohet se ka parë autorët duke qëlluar në drejtim të automjetit tip “Lancia”. Ai ka qenë shumë afër vendit të ngjarjes, ndërsa mësohet se është shtrirë në momentin e breshërisë. Pas ngjarjes, u mor në pyetje, madje tregoi edhe disa të dhëna, kryesisht për automjetin dhe për personat që ndodheshin në të. Ishte personi i parë që pohoi se në automjet ishin më shumë se dy persona.

Dëshmitari i tretë është komshiu i Dritan Lamajt, 30-vjeçari që e ka transportuar në spital, në momentin që në trup kishte 11 plumba. Ai ka parë skenën, pasi ishte pranë vendit të ngjarjes, automjetin e autorëve dhe ka folur i fundit me kryekomisar Dritan Lamajn. Ky i fundit i ka lënë edhe amanetin e fundit, të cilin e kishte për t’i ruajtur vajzën, ndërsa i belbëzonte se “më vranë”.

Të tre këta dëshmitarë, sipas policisë, kanë treguar të dhëna të rëndësishme për hetimin, ndërsa është ngritur një plan masash për ruajtjen fizike.

Ndërkohë, dy ditë më parë, bashkëshortja dhe kunati i Lamajt, Anila Lamaj dhe Alket Hyseni, kanë hyrë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve. Këta dy persona janë marrë në pyetje nga hetuesit e Krimeve të Rënda dhe mësohet se kanë dhënë detaje interesante, rreth konfliktit që ka pasur me familjen Frroku. Mësohet se ata kanë pohuar se Dritani është kërcënuar disa herë, ndërsa si provë për akuzën kanë lënë edhe telefonat e tyre celularë. Red.Akt

 

Gjykatë

Frroku apelon vendimin për masën “arrest me burg”

Avokati i Arben Frrokut apelon vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda për masën e sigurisë “arrest me burg”. Biznesmeni pukjan është i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Ai është arrestuar në Selanik për ngjarjen, ku dhe është njohur me ekzistencën e një urdhër-arresti ndërkombëtar, ku mbi të rëndon akuza e vrasjes se ish-shefit të Komisariatit Nr. 6 në Tiranë, Dritan Lamaj. Avokati i Frrokut, Tonin Prenga, tha dje se kërkesa e tij është depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa u shpreh se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit në lidhje me këtë masë. Biznesmeni Arben Frroku ndërkohë ndodhet në paraburgim në Selanik, ku pritet të qëndrojë 40 ditë në pritje që drejtësia shqiptare t’i dorëzojë drejtësisë greke dosjen e ekstradimit, në të kundërt do të lirohet. Vetë Frroku ka mohuar të ketë kryer vrasjen. Frroku dhe kushëriri i tij, Jakë Jaku, u arrestuan si të dyshuarit kryesorë për përfshirje në atentatin ndaj ish-kreut të Komisariatit të Kombinatit në Tiranë, Dritan Lamaj më 24 shkurt. Më 1 mars, dy të akuzuarit u njohën me akuzat, si dhe nisjen e procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.