Vepra për rilindasin, promovohet studimi për Petro Nini Luarasin

Postuar në 09 Tetor, 2012 03:21

Jeta, vepra dhe puna e rilindasit Petro Nini Luarasi është përmbledhur në një libër të veçantë përgatitur nga profesori Alfred Uçi, i cili është promovuar të hënën në qytetin e Shkupit.
Libri për mendimtarin martir të Rilindjes Kombëtare kishte mbledhur në një audiencë të posaçme në Shkup, shqiptarë jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Shqipëria dhe Kosova. Botimi i këtij libri studimor mbi veprën e Petro Nini Luarasit është mundësuar nga Familja Taçi, e njohur për lidhjet dhe kontributin e saj në rilindjen kombëtare. 

"Meritën kryesore jo vetëm për subvencionimin e plotë e bujar të botimit të librit mbi jetën dhe veprën e Petro Nini Luarasit, nga personaliteti i mirënjohur e dashamirës i arsimit dhe kulturës, Rezart Taçi, nga familja e lidhur që në kohë të lashta me Petro Nini Luarasin, i cili pati mik të ngushtë një pararendës të familjes Taçi, Sali Butkën dhe pastaj dhe gjithë familja jonë e Petro Nini Luarasi dhe familja e Sali Butkës kanë qenë gjithmonë të përkushtuar për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, kanë qenë gjithmonë bashkë, dhe nuk janë ndarë njëri nga tjetri, siç ka ndodhur, për të keqen e atdheut tonë, edhe shumë më vonë. Dhe pikërisht për këtë arsye dua të falenderoj edhe babain e Rezartit, që e kemi këtu në mesin tonë dhe që është një njeri i përkushtuar për kulturën, që është Presidenti i kolegjit që mban titullit e Nobelit, që është një nga institucionet arsimore që vazhdon traditat e mira kulturore në arsimin tonë", u shpreh  autori i librit, profesor Alfred Uçi. 
 
Mbi vlerat e librit foli akademiku Ali Aliu, i cili çmoi punën e njerëzve që bënë të mundur publikimin e kësaj vepre.
 
"Do të përshëndes praninë e profesorit dhe mikut tim që nga vitet e 70', Alfred Uçi, autor i këtij libri dhe nipi i Petro Nini Luarasit, nga nëna. E ëma e Alfred Uçit ka qenë motra e Skënder Luarasit. Më lejoni të përshëndes edhe zotin Mustafa Taçi që është përkrahës, dashamirës, e pa të cilin vepra të tilla të rëndësishme e kanë të vështirë të gjejnë dritën e daljes në botë", u shpreh akademiku Ali Aliu.  

Zoti Mustafa Taçi tha se ishte në nderin e familjes Taçi që të kontribuojë në botimin e këtij libri, kontribut që ai premtoi se familja e tij do ta jap edhe për veprat e rilindasve të tjerë shqiptar.

"Është në nderin e çdo shqiptari që të nderoj dhe respektoj kontributin e paçmuar që ka dhënë rilindasit tanë të kombit, një nga të cilët është edhe Petro Nini Luarasi. Rrjedh nga një familje patriotike e zonës së Kolonjës, e lidhur ngushtësisht me rilindasit tanë të kombit. Ishte në nderin tim dhe familjes sime që të kontribuoja i pari për të botuar këtë libër kaq të çmuar, të një figure kaq të çmuar, siç është, Petro Nini Luarasi. Këtë kontribut do ta jap për të gjithë rilindasit tanë, për atë sakrificë dhe kontribut që kanë dhënë për kombin tonë", u shpreh Mustafa Taçi.

Gjatë promovimit u vlerësuan përpjekjet e rilindasve për forcimin e identitetit dhe arsimit kombëtar ku vepra e Petro Nini Luarasit ka një rol të veçantë. 

 

Albanian Screen

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.