Tentohet të digjet qendra e internetit ku u pa për herë të fundit Julian Çela, asnjë kërkim për trupin

Postuar në 21 Mars, 2013 14:27

 

Dy ditë më parë është tentuar të digjet pika e internetit ku është parë për herë të fundit 11-vjeçari Julian Çela, i zhdukur që nga 30 nëntori i vitit 2012. Sipas policisë së kryeqytetit, ngjarja ka ndodhur pas rrëfimit të pedofilit Ardian Prrenjasi se kishte vrarë 11-vjeçarin Julian Çela, po atë ditë që e kishte rrëmbyer.

 

Persona ende të paidentifikuar kanë tentuar t’i vënë flakën qendrës së internetit, që disa ditë pas zhdukjes së Julian Çelës u vu në qendër të opinionit publik si vendi i fundit ku ishte parë 11-vjeçari para se të zhdukej pa asnjë gjurmë. Policia ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen, ndërkohë që ende nuk dihet nëse kjo ngjarje ka lidhje me zhdukjen e 11 vjeçarit apo është rastësore.

Pezullohen kërkimet, reagojnë familjarët

Kërkimet për gjetjen e trupit të 11-vjeçarit të zhdukur Julian Çela mbetet i pezulluar, ndërkohë që Prokuroria po has gjithmonë e më shumë vështirësi në gjetjen e provave materiale për të akuzuar Ardian Prrenjasin për akuzën e vrasjes. Të gjitha dëshmitë e tij për vendngjarjet e supozuara nuk po japin rezultat.

Hetimet për zhdukjen e vogëlushit Julian Çela kanë hyrë në kolaps. Të gjitha dëshmitë e dhëna nga i dyshuari për vrasje, Ardian Prrenjasi nuk po përkojnë me rezultatet në terren. Ndërkohë që në banesën e Prrenjasit, nuk u gjet ndonjë provë shkencore që të vërtetonte vdekjen e fëmijës, as kërkimet në landfillin e Sharrës, duket qe nuk po japin ndonjë shenjë të trupit të pajetë të të miturit. Gjatë së enjtes nuk u kryen kërkime, por që sipas burimeve nuk ka pasur asnjë lidhje me motin e keq.

Në perimetrin e rrethuar nga policia, u hoqën edhe patrullimet policore në ruajtjen e vendit të supozuar, se ku mund të jetë hedhur trupi i fëmijës, çka në mënyrë indirekte vërteton se vetë policia nuk beson më në dëshmitë e Prrenjasit se trupi mund të jetë në landfill. Të afërmit e vogëlushit janë irrituar për pezullimin e kërkimeve dhe në një prononcim për mediat, kushëriri i 11-vjeçarit, Besim Tarko ka shprehur sërish zhgënjimin për punën e policisë ndërsa ka kërkuar që nëse shteti nuk i kryen dot kërkimet, duhet t’ia lërë në dorë familjes.

Ndërkohë grupi hetimor vazhdon të mos ketë ndonjë provë për të lidhur zinxhirin e këtij krimi makabër. As rindërtimi i të gjithë ngjarjes referuar deponimit të Prrenjasit në polici nuk ka qenë efikas. Akuza për vrasje ndaj Ardian Prrenjasit, nuk do të ngrihet për sa kohë nuk do të gjendet prova e mundshme për fajësinë e tij, pavarësisht dëshmisë që ai ka dhënë pas arrestimit nga policia për abuzimin me 10-vjeçarin A.C.

Ekspertiza për 10-vjeçarin A.C.

Ka përfunduar sot akt ekspertiza për 10-vjeçarin A.C i cili u rrëmbye për 20 orë dhe abuzua seksualisht nga 45-vjeçari Ardian Prenjasi. Sipas aktit të ekspertizës i mituri ka shenja dhune fizike dhe psikologjike.

Mjekësia ligjore shton se, “Akt ekspertiza është prova kryesore mbi të cilën ngrihen akuzat për Ardian Prenjasin”. Pritet që akt ekspertiza t’i kalojë prokurorisë.

 

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.