Skandal në Greqi, përgjohen telefonat e 50 000 personave

Postuar në 28 Gusht, 2012 04:54

Policia dhe Shërbimi informativ Kombëtar e kanë kthyer Greqinë në një Big Brother të madh me anë të përgjimit telefonik. 

Provat tregojnë se rreth 50 000 telefona fiksë dhe të lëvizshëm kanë qenë nën përgjim, ndërkohë që 7 kompani të komunikimit telefonik kanë raportuar probleme sigurie në rrjetin e tyre. 

Të dhënat që vijnë nga Autoriteti i Privatësisë së Komunikimeve ADAE, dhe që publikohen nga gazeta “To Vima”, janë tronditëse. 

Sipas ADAE, gjatë vitit 2011 janë lëshuar 4061 urdhra përgjimi nga Prokuroria, në krahasim me 2950 urdhrat e vitit 2010. Sipas raportit, gjatë viteve 2010-2011, përgjimet janë rritur me 70%.

Autoriteti i Privatësisë së Komunikimeve bën të ditur gjithashtu se ka marrë mjaft ankesa nga qytetarët për shkelje të fshehtësisë së komunikimit me celular, në telefona fiksë, por edhe në e-maile dhe në lidhjet e internetit. 

Policia dhe Shërbimi Informativ grek përmendin luftën kundër terrorizmit, kriminalitetit dhe çështjen e sigurisë kombëtare, për marrjen e vendimeve të përgjimit.

Me rëndësi është fakti që, Autoriteti i Privatësisë së komunikimit ka dyshime rreth monitorimit duke vërejtur parregullsi ligjore dhe "vrima të zeza" në proces. ADAE i ka dërguar një letër Gjykatës Supreme, me rekomandimet dhe vëzhgimet e veta për këtë çështje. 

 

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.