Sigurimi i makinave, kaos në treg nga ulja e çmimeve

Postuar në 06 Mars, 2013 04:01

 

Edhe pse duhet të ishte i mbikëqyrur në të gjithë sektorët e ekonomisë, tregu i sigurimeve ka hyrë në një kaos total. Brenda një muaji, shoqëritë e sigurimeve kanë lëvizur me mbi 100 për qind tarifat e sigurimit të automjeteve. AMF, përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut, deri sot duket se ka dalë jashtë lojës së madhe që po ndodh me sigurimin e detyrueshëm të makinave.

Tarifat e sigurimit dje u ulën ndjeshëm nga të gjitha kompanitë, si një përgjigje e lojës që po bëhet nga dy-tri prej tyre. Sigurimi i makinave me kubaturë deri në 1600 kubikë ra në 5500 deri në 6000 lekë, ndërkohë që sigurimi i makinave mbi këtë kubaturë u ul deri në 6 mijë – 7 mijë lekë.

Brenda një muaji, tarifat u përgjysmuan, u rritën në 140 mijë lekë dhe ranë sërish në nivele që sipas AMF, nuk përmbushin kushtin e garantimit të dëmit.

NDRYSHIMI I ÇMIMEVE

Në fillim të janarit, kompanitë e mëdha në treg, të pasuar detyrueshëm nga kompanitë e tjera, e ulën në nivelet 7500 lekë sigurimin e detyrueshëm vjetor të makinës. Menjëherë pas kësaj, AMF i detyroi të gjitha kompanitë të rritnin çmimin e sigurimit mbi tarifën e provigjoneve të sigurimit të detyrueshëm të miratuar me vendimin nr. 151, datë 29.10.2012. Ulja e çmimit në atë kohë u pa nga AMF si abuzim, pasi nuk garantonte dot pagimin e dëmeve. Pas kësaj lëvizjeve, në fundin e muajit janar kompanitë i rritën sërish çmimet mbi limitet e vendosura nga AMF.

Këto limime, sipas vendimit, janë: 9600 lekë për makinat me kubaturë deri në 1600 kubikë dhe 14 mijë lekë për makinat me kubaturë mbi 1600 kubikë. Këto çmime vazhduan në treg deri dje, kur sërish dy-tri kompanitë e mëdha lëvizën në ulje deri në përgjysmim të tarifave.

AMF deri sot nuk ka reaguar, edhe pse ligjërisht kompanitë raportojnë pranë saj të gjithë çmimet që aplikojnë në treg. AMF nuk ka ndërhyrë edhe pse është pikërisht vendimi i saj që detyron një çmim dysheme për të gjitha llojet e sigurimit të detyrueshëm të makinave.

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.