Shpresa Beçaj mbaron mandatin: Qytetarët të mos e humbasin besimin tek drejtësia

Postuar në 21 Mars, 2013 14:37

 

TIRANE- Vetëm dy ditë para mbarimit të mandatit të saj kushtetues në krye të Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj ka mbledhur këtë të enjte trupën gjyqësore të Gjykatës së Lartë.

Gjatë fjalës së saj, Beçaj është shprehur se organi gjyqësor unik dhe më i lartë i pushtetit gjyqësor shqiptar është përballur me problematika të cilat kanë penguar dhe vazhdojnë të pengojnë përmirësimin e eficencës së kësaj gjykate në kuadër të administrimit të drejtësisë.

“Për shkak të kompetencave të gjera që ajo ka, Gjykata e Lartë vazhdon të jete e mbingarkuar me gjykimin e çështjeve nga më të thjeshtat deri tek ato më të komplikuarat, të cilat kanë sjellë si rezultat vonesa të ndjeshme në gjykimin e çështjeve, duke e shmaguar atë nga qëllimi i saj kryesor që është gjykimi i çështjeve vetëm për shkaqe ligjore, duke zbehur në të njëjtën kohë kompetenca kushtetuese për unifikimin e praktikës gjyqësore. Kjo tregohet edhe në analizën e detajuar që i është bërë regjistrimit të çështjeve për vitin 2012 krahasuar me vitet e mëparëshme. Krahasuar me vitin 2011, rezulton se pranë Gjykatës së Lartë gjatë vitit 2012 janë regjistruar rreth 581 çështje më shumë, me një efekt në rritjen e pervitshme të numrit të çështjeve gjyqësore të pashqyrtuara, i cili arrin në 9961 çështje.”- thuhet në deklaratën e shpërndarë për media pas takimit.

Beçaj vlerëson se përpjekje të lavdërueshme janë bërë nga ana e faktorëvë dhe aktorëvë politikë për përmirësimin e kësaj atmosfere në drejtim të veprimtarisë së gjyqësorit, e konkretizuar kjo në marrjen e disa masave të rëndësishme legjislative, ç’ka sipas saj, është një shprehje serioze dhe reale e faktit se është maturuar ndërgjesësimi i legjislatorit për nevojën e ndryshimit apo përmirësimit të situatës në gjyqësor, në koherencë me zhvillimet politike, ekonomike e sociale të shoqërisë.

Në frymën e proceseve integruese, ka theksuar Beçaj, është e një rëndësie të veçantë të shtohet bashkëpunimi institucional ndërmjet të tre pushteteve, në respekt të pavarësisë kushtetuese të secilit, në drejtim të arritjes së praktikave dhe standarteve demokratike mbi të cilat duhet të organizohet dhe funksionojë pushteti gjyqësor.

Në fund ajo e ka mbyllur me një apel ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilëve u bën thirrje që pavarësisht problematikave me të cilat ndeshet sot drejtësia shqiptare të mos humbasin besimin tek organet e drejtësisë, pasi kjo do të ishte fatale për mirëfunksionimin e shtetit ligjor.

Deri në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj gjykate, detyrën do ta ushtrojë Besnik Imeraj, që është njëkohësisht edhe Kryetar i Kolegjit Civil.

PANORAMA

 

 

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.