Rritja e pagave ndryshon masën e kontributeve, ja pagesat minimale

Postuar në 07 Gusht, 2013 10:12

Rritja e pagës minimale dhe pagave në tërësi ka ndikuar edhe në rritjen e pagesave minimale të sigurimeve. Ja tarifat e reja për të gjitha kategoritë e të punësuarve

Për shkak se pagat gjatë muajit korrik janë rritur edhe për kufijtë ekstremë, pagë minimale dhe pagë maksimale, është rritur edhe masa e kontributeve të sigurimeve shoqërore që të punësuarit dhe vetëpunësuarit do të paguajnë çdo muaj. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se shuma minimale mujore e kontributeve për të gjitha degët e sigurimit, për periudhën 1 gusht e në vijim është 5308 lekë.

Sigurimet
I vetëpunësuari, në ortakëri ose që punëson të tretë, duke filluar nga ky muaj e në vazhdim paguan për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind (23 për qind sigurim shoqëror dhe 7 për qind sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 19 026 lekë, të barabartë me 5 708 lekë. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij mbi 16 vjeç, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, nga ky muaj e në vijim paguan kontribut të detyrueshëm për sigurimet, shoqërore dhe shëndetësore, në masën 30 për qind (23 për qind sigurim shoqëror dhe 7 për qind sigurim shëndetësor) të pagës mujore minimale prej 19 026 lekësh, të barabartë me 5 708 lekë në muaj. Personat e vetëpunësuar në veprimtari, tregtare apo shërbimi, ambulante do të paguajnë në shumën 2 500 lekë. Ndërsa personat mbi 16 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pronësia e që nuk janë të punësuar diku tjetër, të paguajnë kontribut vetëm për sigurimin shëndetësor në masën 7 për qind të pagës minimale. Të vetëpunësuarit në bujqësi, do të derdhin kontribut vjetor për sigurimet shoqërore, në masën 30 000 lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 23 000. Ndërsa kontributi i detyrueshëm për sigurimet shoqërore për personat, që punojnë si punëtorë shtëpie, nga 1 gushti e në vijim do të jetë 2 500 lekë në muaj.”

Përfitimet

Për shkak të rritjes së masës kontributeve ndryshon edhe përllogaritja e pensioneve dhe masës së përfitimeve për barrë lindjeje. Shuma bazë e përfitimit nga data 1.8.2013 e në vazhdim të jetë 12 024 lekë në muaj. Shuma e përfitimit për personat, që nuk plotësojnë kushtet për përfitimin e masës së pensionit do të jetë 8 233 lekë në muaj.

Baza mujore, për efekt të llogaritjes të të ardhurave për barrë-lindje, për rastet kur e drejta e përfitimit ka lindur, por përfituesja nuk ka pagë gjatë gjithë muajve të vitit të fundit kalendarik, llogaritet duke bashkuar shumën e pagave faktike për muajt që është derdhur kontribut për sigurimet shoqërore me shumën e pagave minimale, të përcaktuara për efekt të derdhjes së kontributit të sigurimit shoqëror për muajt pa kontribut, pjesëtuar me 12 muaj. Shuma bazë e përfitimit për gratë, të cilat e kanë periudhën e fundit të sigurimit si të vetëpunësuara në bujqësi, nga data 1 gusht e në vazhdim është 8 233 lekë në muaj. Këto tarifa tashmë kanë nisur të aplikohen.

Tarifat e reja minimale të sigurimit

Shuma minimale mujore 5 308 lekë.

Kontributi minimal mujor sipas degëve :

Dega e sigurimit të sëmundjeve 57 lekë

Dega e sigurimit të barrë-lindjeve 4 266 lekë

Dega e sigurimit të pensioneve 4110 lekë

Dega e sigurimit të aksidenteve 57 lekë

Dega e sigurimit të papunësisë 171 lekë

Sigurimet shëndetësore 647 lekë

1-I vetëpunësuari 5 708 lekë

2- Personat e vetëpunësuar ambulantë 2 500

3-Të vetëpunësuarit në bujqësi 30 000 lekë, në Veri 23 000 lekë.

13. Punëtorë shtëpie 2 500 lekë

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.