Rama në Lezhë: Përbuzje për tradhtarin Kadeli, i ktheu kurrizin PS-së për një karrige

Postuar në 14 Maj, 2013 16:04

 

Kryesocialisti Edi Rama, para nisjes së tij për në Londër, prezantoi kandidatët e PS-së në Lezhë. Ai nuk ka mundur dot të shmangë komentet për ish-deputetin socialist Gjovalin Kadeli, që vendosi të largohej nga PS për të pandiduar në radhët e PD-së.

“Sot ne jemi gati t’i japim vendit të drejtën e mohuar për 8 vjet rresht për t’u qeverisur nga shumica natyrale e Shqipërisë. Dua të shpreh këtu në këtë shesh të gjithë përbuzjen time për një tradhtar si Gjovalin Kadeli, i cili erdhi katër vjet më parë në Parlamentin e Shqipërisë me votat e socialistëve dhe progresistëve të Lezhës dhe sot katër vjet më vonë u ka kthyer atyre kurrizin duke dhënë votën vetëm për një karrige druri me katër këmbë që është turpi i përhershëm i tij dhe i turpit të tij në këtë qytet. Megjithatë gjyshja ime, grua shumë e mençur katolike nga Shkodra, thoshte gjithmonë se jo të gjitha të këqija vijnë për keq, e pra me ikjen e atij tradhtari sot Partia Socialiste është më e pastër është më e fortë është më e gatshme për të marrë këtu në Lezhë dhe për të shkuar në Parlamentin e Shqipërisë me 4 deputetë”, ka thënë Rama.

Ai ka bërë thirrje për një votë plebishtare, në mënyrë që Berisha të mos vazhdojë t’i tërheqë zvarrë në varfërinë e tyre.

“Nuk është një votë që duhet të qëndrojë e lidhur askund përveç se te interesi i kombit, te interesi i vendit, tek interesi i Lezhës, i Kurbinit, i Mirditës, të interesi i familjes së çdo votuesi. Socialistët dhe progresistët e Lezhës duhet t’ia tregojnë tradhtarit Gjovalin Kadeli se nuk janë siç thoshte ai delet e tij që i çonte nga të donte dhe se ose do ishte ai aty ku donte ose delet do t’i merrte me vete si të donte dhe për ku të donte sepse socialistët dhe progresistët njerëzit e zakonshëm të këtij qyteti të këtij rrethi dhe këtij qarku mund të jenë të varfër mund të jenë të papunë, mund të kenë nevojë edhe për bukën e gojës, por nuk ka mëkat më të madh se sa të përpiqesh t’i tërheqësh zvarrë me bukën e gojës siç ka 4 vjet që i tërheq Sali Berisha ose siç kujton se do i tërheqë Gjovalin Kadeli. Kush nuk do falimentimin e dyqanit duhet që në 23 qershor të votojë PS. Kush nuk do që t’i shtohet ushtrisë 1 milionëshe të të papunëve duhet të votojë PS”, u shpreh kryesocialisti Rama.

“Së fundi, ne jemi të vetëdijshëm që edhe për shkak të tradhtarëve nga të cilëve tani besoj jemi çliruar, kemi shpëtuar, vota këtu në këtë qark, sidomos në këtë rreth është shitur. Vota këtu në këtë rreth është bërë pazar. Vota këtu në këtë rreth është lënë rrugë. Ndërkohë që në 23 qershor vota juaj dhe e çdo qytetari të këtij rrethi dhe këtij qarku që do të vijë në kutinë e votimit për Partinë Socialiste do të jetë e garantuar dhe ndërkohë secili për ta bërë votën e vet më të fortë dhe për ta bërë rezultatin më të thellë, të mos vij më vetëm tek kutia e votimit. Por të vij me dikë tjetër, me një njeri të shtëpisë, me një mik, me një komshi, me një krushk, me një të afërt, me një farefis që nuk ka votuar në 2009. Në mënyrë që çdo votë ne do ta dyfishojmë dhe nëse çdo njëri nga ne dyfishon votën e vet, atëherë në 23 qershor ne nuk do të fitojmë por do të triumfojnë. Do të triumfojmë mbi këtë regjim të varfërisë, mbi këtë regjim të papunësisë, mbi këtë regjim që e shkatërroi Shqipërinë dhe që tani më ka hyrë në shtëpitë e gjithë shqiptarëve duke mbjellë varfëri dhe duke mbjellë frikë në shpirtrat e tyre. Na duhet një Shqipëri e lirë miqtë e mi.

Ne nuk e hoqëm Enver Hoxhën dhe regjimin tij për të mbajtur në kurriz 25 vjet një mikro Enver Hoxha. Ne u ndamë nga ai regjim për të pasur liri, për të pasur mirëqenie, për të pasur drejtësi sociale, për të qenë të gjithë të barabartë para ligjit dhe njëkohësisht për të pasur të gjithë akses të barabartë në shërbime. Për të gjitha këto arsye është dita për të votuar vetëm një drejtim, Aleancën për Shqipërinë Europiane, Partinë Socialiste të Shqipërisë,” tha Rama./b.l

 

 

 

TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.