PD hap fushatën në Tiranë

Postuar në 13 Maj, 2013 15:19

Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht mbrëmjen e së hënës fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, me një miting madhështor të mbajtur në sheshin Nënë Tereza. 

Në mitingun në fjalë, pasi janë prezantuar kandidatët demokratë, disa prej të cilëve janë futur në listë në minutën e fundit, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se PD shkon në zgjedhje si partia për qytetarin. 

“Çelim së bashku fushatën e zgjedhjeve të 23 qershorit në Tiranën blu. Zotohem para jush se secili prej kandidatëve është kandidat për qytetarin. Për ne i pari është qytetari, interesat dhe aspiratat e tij”, ka deklaruar Berisha, i cili ka ftuar shqiptarët që të votojnë alternativën e djathtë. 

“Më 23 qershor qytetarët janë të ftuar të vendosin për modelin e vokacionit të tyre perëndimor. Ne jemi sot të lirë të gëzojmë një sistem demokratik, sepse për ne ky vokacion u mbrojt në dyert më të fuqishmë, nga sakrificat më sublime”, ka thënë Berisha. 

Kryeministri është shprehur i bindur se, në këtë ditë shqiptarët do t’i japin ndëshkimin e merituar asaj që ai e ka quajtur “trashëgimia e bllokimit” dhe do të shkojnë drejt së ardhmes evropiane. 

“23 qershori do jetë shkëputja nga ajo trashëgimi që bëri gjithçka për të bllokuar integrimin në KiE, për të bllokuar MSA-në, anëtarësimin në NATO, për t’u lënë ju me viza, për të privuar shqiptarët nga pasaporta e shkëlqyer e statusit të kandidatit. Ne të votojmë bashkë për Shqipërinë në Evropë, për Shqipërinë e integruar”, ka thënë Berisha, i cili ka sulmuar alternativën e majtë. 

“Ne jemi për një qeveri për qytetarin, alternativa tjetër është alternativa që të bëjë Shqipërinë të punojë për qeverinë. Alternativa e diktatit shtetëror, diktatit qeveritar, e taksave të larta, e shkatërrimit të vendeve të punës, e dëbimit të investitorëve të huaj dhe e pushtimit të hapësirave të alternativës së lirë”, ka vijuar kryeministri. 

Ai ka ironizuar kandidaturat e Partisë Socialiste duke u shprehur se, vokacionin e parë Ramës ia bëri Lulzim Basha, të dytin Koço Kokëdhima, ndërsa të tretin do t’ia bëjë sipas tij Shqipëria. 

“Përparësia jonë do të jetë punësimi juaj, rritja e rrogave tuaja. 4 vitet që vijnë do jenë vitet e projekteve gjigande për të ardhmen e shqiptarëve. Në 4 vitet që do vijnë Shqipëria do kapë nivelin e vendeve të zhvilluara, e statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave. Ne jemi ndryshimi. Përpara, fitore!”, ka premtuar Berisha.

 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.