Paradite festojnë 7 marsin, pasdite janë studentë

Postuar në 07 Mars, 2013 07:52

 

Pas urimeve të nisura që në mëngjes, luleve e dhuratave, orëve të shkurtuara dhe ndonjë dreke me kolegët, disa mësues do shkojnë në shtëpi e do u rrëfejnë familjarëve 7 Marsin e tyre të radhës. Të tjerë, duhet ta shtyjnë për më vonë këtë orë, sepse pasdite duhet të jenë në auditor, këtë herë të ulur në banka si studentë të masterit që janë duke ndjekur. Ca nga ata janë studentët e masterit 90-kreditësh të Shkencave të Edukimit, e brezit të tretë në UET, që sot pasdite do zhvillojnë lëndën e administrimit shkollor.

Universiteti Europian i Tiranës është një nga universitetet jopublike në vend që i ka kushtuar vëmendje kërkesës së mësuesve të rinj apo atyre të karrierës, për kualifikim pasuniversitar. Pas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të gjithë mësuesit e ciklit parauniversitar për të pasur dhe një cikël tjetër studimi në CV përveç shkollës së lartë të dikurshme, interesimi i tyre për studimet master është kthyer në një kërkesë këmbëngulëse. Së cilës tregu universitar i është përgjigjur me ofertat e tij. Në këtë pikë, detyrueshmëria e kryerjes së një masteri pasurohet me një zgjedhje të lirë të universitetit, ku secili mësues mund ta kryejë atë. Duhet thënë se MASH, në këto kushte, ka shtuar lehtësirat, duke i dhënë prioritet licencimit të të gjitha qendrave, universiteteve, agjencive, institucioneve që plotësojnë standardet e ekspertizës për të ofruar cikle studimi për kualifikimin e mësuesve. UET është një nga universitetet i cili shfaqet në këtë treg, me oferta unikale. Kjo, bashkë me emrin e mirë, siç tregojnë vetë mësuesit që e kanë zgjedhur si universitetin e tyre, bën që auditorët ku zhvillohen leksionet e masterave profesionalë apo shkencorë të mbushen me mësues nga e gjithë Shqipëria, por dhe nga jashtë kufijve të saj. Çdo javë në UET vijnë për t’u kthyer në studentë mësues nga Ulqini, Suhareka, Shkodra, Elbasani, Fieri, Berati e Vlora…Dallojnë qendrat e mëdha urbane të Shqipërisë, për shkak se në to edhe kërkesa e mësuesve për t’u futur në punë është më e lartë. Jo vetëm të larmishëm gjeografikisht, por edhe në vite përvoje, janë mësuesit-studentë. Disa vazhdojnë menjëherë pas përfundimit të ciklit të parë të studimeve në universitete të tjera publike, sepse dega e Mësuesisë Bachelor në UET është hapur këtë vit akademik, por ka dhe nga ata me më shumë se 10 apo dhe 20 vite përvojë si mësues në qytetet e tyre të ciklit të ulët, nëntëvjeçar apo të shkollave të mesme. Një nga masterat që ofrohet për ta është ai profesional për mësuesi, i hapur në vitin 2010.

“Tani më vjen keq që po mbaron. Jam e mendimit se njeriu mëson gjatë gjithë jetës. Ky Master ka qenë gjëja më me vlerë që kam bërë për formimin tim”, është shprehur Majlinda Beqi, mësuese në qytetin e Shkodrës prej 19 vitesh, pak muaj më parë kur ciklit të studimeve po i vinte fundi.  Masteri profesional “synon t’u japë mundësi mësuesve që janë në shërbim të pasurojnë njohuritë e tyre, të përditësojnë metodat, teknikat e reja të mësimdhënies mbështetur në përvojën e tyre, traditën shqiptare dhe modelet e përparuara anglosaksone”, sqaron dr. Tomi Treska, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe të Edukimit në UET, “Ai është pjesë e një reforme dhe risie komplekse që lidhet me shkencat e edukimit në përgjithësi, psikologjinë dhe shkencat e edukimit si program dhe mësimdhënie”, thotë Treska. Dhe përvoja e kthimit në studentë bashkë me atë luksin që dikush tjetër do ketë përgjegjësinë e drejtimit të orës së mësimit, që vetëm mësuesit mund ta ndiejnë, ka qenë dhe është interesante për këta studentë pasuniversitarë. Ka nga ata që i kanë parë përfitimet e këtij cikli studimesh menjëherë. “Doja një përvojë pune në arsim dhe prej tre muajsh jam mësuese. Më ka pëlqyer gjithmonë mësimdhënia dhe ky master më ka shërbyer më së miri për t’i mësuar disa gjëra”, ka treguar Lutfije Ballkoçi, mësuese në qytetin e Elbasanit, e cila këtë vit feston 7 Marsin e parë si mësuese duke dëshmuar dobinë e këtyre studimeve.

 

Përshëndetje! Unë jam mësues karriere.

Kualifikimi nuk është vetëm një detyrim i ngutshëm për të ruajtur vendin e punës, por dhe një investim i mirë për të gjithë mësuesit e cikleve parauniversitare, pasi MASH ka prezantuar edhe konceptin e mësuesit të karrierës, çka do të thotë se ngjitja në karrierë e një mësuesi nuk ndjek vetëm rrugën për në drejtoritë arsimore dhe institucione të ngjashme, por dhe atë të mësimdhënies, ku, duke u kualifikuar vazhdimisht, ke mundësi të rritësh statusin dhe të ardhurat. Pikërisht për këtë arsye, shumë profesionistë, të dhënë pas profesionit të tyre, shumë vite pas diplomimit u janë kthyer shkollave duke lënë për disa ditë në javë katedrën e duke u ulur në bankat e universiteteve.

 

Në fillim mësues, pastaj student, pastaj specialist arsimi

Por ka dhe nga ata mësues, që duan ta orientojnë karrierën e tyre në profilin e specialistëve të arsimit. UET është ndër të parët që ua ka krijuar këtë mundësi nëpërmjet masterit shkencor në profilin Shkenca Edukimi. “Në programet e fakulteteve të edukimit në përgjithësi, kemi vënë re se nuk përgatiten specialistë të arsimit, por mësues. Ne jemi në vitin e dytë  të një masteri shkencash të veçantë, të quajtur Shkencat e Edukimit. Kjo është një mundësi për ata që kanë mbaruar studimet Bachelor brenda apo jashtë fushës së arsimit, për t’u specializuar si ekspertë të arsimit, që synojnë të punësohen në institucione të arsimit, si janë agjencitë qeveritare të arsimit, drejtoritë arsimore, pushteti vendor, Ministria e Arsimit.  Ne duam të nxjerrim specialistë të aftë të planifikojnë, të hartojnë strategji, programe, kurrikula, pra ekspertë të fushës së edukimit”, thotë dekani Treska. Një gjetje e këtij universiteti është dhe masteri shkencor që u ofrua në tetor të 2012-ës. për Menaxhim Arsimi. “Këtë vit ne ofrojmë një joint venture mes fakultetit tonë dhe Ekomomikut, pasi kemi studiuar tregun dhe e kemi parë me interes, një master profesional me profil Menaxhim Arsimi për ata punonjës të arsimit që aspirojnë për drejtues shkollash. Dhe këtu janë futur disa lëndë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me menaxhimin, financën, projektet”. Të gjitha këto oferta, bashkë me kërkesat e MASH që qëndrojnë të aktivizuara, bënë që numri i mësuesve-studentë të vijë duke u rritur. Përveç studimeve master, sot mësuesit kanë mundësi për të vazhduar studimet doktorale në Shkencat e Edukimit.

 

Projektet Tempus. Mësuesia, prioritet për Shqipërinë

 

Programi Tempus, që synon modernizimin e arsimit të lartë në vendet që rrethojnë shtetet e BE-së, përfshirë edhe Shqipërinë, shpall prioritetet kombëtare për çdo vend. Universitetet fituese, që marrin pjesë në projekte të veçanta ose rajonale, përfitojnë nga BE fonde disa miliona eurosh në mbështetje të projekteve të tyre. Projektet që vijnë nga Shqipëria, për periudhën 2012-2013, kanë përparësi nëse i përkasin fushës së edukimit. Në të vërtetë, në krye të listës së fushave prioritare për Shqipërinë nw reformimin e kurrikulave dhe masat strukturore, ose reformimet e sistemit arsimor, është pikërisht trajnimi i mësuesve dhe shkencat e edukimit.

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.