Obama apo Romney? AP: Shtatë shtetet vendimtare

Postuar në 27 Gusht, 2012 09:08

Në prag të konventave kombëtare të partive respektive, Barack Obama dhe Mitt Romney gjenden të mbërthyer në një garë të ngushtë, me vetëm 70 ditë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit. Do të duhen 270 vota të kolegjeve elektorale  për të fituar Shtëpinë e Bardhë, e secili prej rivalëve, e sheh veten pikërisht aty ku e nisi në fillim të verës, të fokusuar në shtatë shtete që pritet të vendosin gjithçka.

Asnjë nga kandidatët, as Obama e as Romney nuk kanë avantazh domethënës në Colorado, Florida, Iowa, Ohaio, Nevada, New Hempshire dhe Virginia, të cilat së bashku ofrojnë 85 vota elektorale. 

Sipas një analize të Associated Press, bazuar në sondazhe private e publike të kohëve të fundit, kandidatët janë duke shpenzuar para dhe kohë në reklama dhe intervista televizive në këto fushëbeteja.

Analiza merr parasysh fuqinë e organizmave që mbështesin kandidatët në shtatë shtetet në fjalë, si dhe axhendën e udhëtimeve të tyre drejt këtyre shteteve. 

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, Obama do të merrte 19 shtete dhe ditriktin Columbia me 247 vota, ndërsa republikani Romney 24 shtete me 206 vota. Presidenti aktual i Shteteve të Bashkuara fitoi të shtatë garat gjatë zgjedhjeve të 2008.

Dhjetë javë përpara Ditës së Votimit, analiza e Associated Press nuk pretendon të japë një parashikim të saktë, por vë në dukje se kjo ditë pritet të jetë një fotografim i kësaj fushate kokë më kokë.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.