Nikita e Fierit: Nuk më plas të vjedh plaka, kam lekë të blej gjithë Fierin

Postuar në 14 Janar, 2013 03:16

 

Enkelejda Merka, e njohur ndryshe si Nikita, e ka mohuar kategorikisht autorësinë e saj në grabitjen e një femre, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës të javës së kaluar në lagjen “Liri” të qytetit të Fierit.

Ajo ka pohuar se gjithçka është një ngatërresë, ose dikush do t’i punojë ndonjë rreng, duke kryer denoncim të rremë kundër saj. Më tej, siç shkruhet në gazetën Shqip, 27- vjeçarja ka deklaruar se që në moshë të vogël ka jetuar me prindërit dhe motrën e saj në Itali prej nga është kthyer pak ditë më parë.. Ajo ka shtuar se familja e saj disponon mjaft prona dhe se prindërit kanë emigruar në Itali që prej vitit 1991 dhe babai është sipërmarrës ndërtimi në vendin fqinj.

Ndërkohë në një intervistë për gazetën Panorama, i ati i Enkelejdës, Hadil Merka ka deklaruar se: “Asnjë gjë nuk e ka shtyrë, se vajza ime nuk ka vjedhur. Enkelejda nuk ka nevojë të vjedhë dymijë lekësha, ne si familje kemi para me “thasë”.”

Ndërsa i pyetur për sendet e gjetura në makinë, i ati përgjigjet: “Pistoleta lodër është e vajzës së Enkelejdës dhe si ajo ka edhe të tjera. Për dorezat më tha vajza ime se ishin të saj. Sa për kapuçin ai është i imi dhe ka qenë në makinë. E theksoj se vajza ime nuk është maskuar, nuk ka kërcënuar dhe nuk ka vjedhur asnjeri”.

Zoti Merka lëshon akuza ndaj emërtimit të vajzës së tij si Nikita.

“Policia ka të tjera hesape për të dhënë. Nikita është gjobë, vajza ime është në kurth për milionat e familjes. Se nga kush këtë ta gjejë policia dhe jo të fantazojë nofka. Nëse nuk i gjen autorët e vërtetë, atëherë e gjithë kjo është lojë e vetë policisë për të zhvatur këto para, se ndryshe nuk e shpjegoj dot”.

Ndërkohë Policia e Fierit i ka hedhur poshtë deklarimet e Hadil Merkës duke pohuar se kanë prova që e implikojnë Enkelejdën në grabitje, ndonëse kjo e fundit i ka ofenduar uniformat blu duke deklaruar se: “Nuk më plas për lekët e plakave nëpër rrugë, kam para të blej gjithë Fierin”.

   TEMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.