Ndërtimet pa leje, inspektorët bashkiakë nën presionin e pronarëve

Postuar në 06 Gusht, 2013 03:31

Policia bashkiake sekuestron betonierët dhe objektet e tjera që ndihmojnë në ndërtim

Pronarët që kanë ngritur objektet e klasifikuara pa leje janë të shqetësuar për aksionin e policisë bashkiake.
Një pjesë e objekteve të ndërtuara është ngritur duke marrë aprovimin nga përfaqësues të pushtetit vendor. Këta pronarë kanë rënë dakord me strukturat vendore para nisjes së ndërtimit për konstruksionin e objektit, duke respektuar kushtet dhe kriteret e vendosura, sipas rregullave të parashtruara nga këto struktura.
Nga ana tjetër, inspektorët e bashkisë deklarojnë se kanë bërë gati databazën e të dhënave për secilin objekt të ndërtuar gjatë muajve të fundit, duke grumbulluar listën e vetëdeklarimeve dhe në bazë të këtij rrjeti të dhënash është përgatitur edhe grafiku i aksioneve. Dy ditë më parë, për shkak të prishjes së një godine te Rruga Bardhyl, një nga inspektorët është goditur me mjete të forta nga pronari i objektit, ndërsa institucioni ka bërë kallëzim penal për ngjarjen. Po ashtu, kreu i inspektoratit ka deklaruar dje se deputetë dhe eksponentë të Partisë Socialiste po inkurajojnë dhunën dhe po stimulojnë ngritjen e objekteve pa leje, dhe kjo çështje nuk duhet politizuar. Nga ana tjetër, inspektorët janë nën presionin e pronarëve, të cilët pretendojnë se godinat e tyre janë ndërtuar duke marrë aprovimin e strukturave vendore. Dje, aksioni i ndërtimeve pa leje ka vijuar gjatë paradites me prishjen e një shtese pa leje në katin e sipërm të një pallati, në rrugën “Muzakët”, në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Përveç prishjes së ndërtimeve pa leje, aksioni i inspektoratit dhe Policisë Bashkiake ka vijuar me sekuestrimin e betonierëve dhe objekteve të tjera që ndihmojnë në ndërtimin e objekteve pa leje në Tiranë. “Ne po vijojmë aksionin, siç e ka konstatuar ai që ka qenë i interesuar për të ndjekur punën tonë të përditshme, për të goditur çdo ndërtim pa leje në qytetin e Tiranës. Ky aksion do vijojë edhe në ditët e ardhshme deri sa edhe objekti i fundit do të goditet, i cili është ndërtuar pa leje brenda këtij territori. Ne kemi marrë listën e plotë të vetëdeklarimeve të bëra nga qytetarët e Tiranës këto muajt e fundit në bazë të ligjit të ri dhe do të vlerësojmë çdo rast të vetëdeklarimit, për ta vendosur atë në kushtet e ligjshmërisë. Gjithashtu, gjatë natës së mbrëmshme, ne kemi bllokuar disa mjete, pajisje dhe betoniere, të cilat kanë shërbyer, për ndërtimet pa leje të objekteve përkatëse. Gjej rastin t’ju bëj thirrje këtyre firmave, të cilat disponojnë betoniere, pompa apo mjete të tjera që ne do të zbatojmë ligjin dhe do të kalojmë në sekuestro të këtyre mjeteve. Ne do të konstatojmë këto mjete pranë objekteve që po ndërtohen pa leje”, tha kreu i Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha. Kreu i inspektorëve bashkiakë ka përsëritur thirrjen e tij ndaj deputetëve dhe eksponentëve të lartë të Partisë Socialiste që të mos nxisin qytetarët për të ndërtuar pa leje. “Gjej rasti për t’i bërë thirrje disa deputetëve të Partisë Socialiste që të mos nxisin qytetarët për të ndërtuar pa leje. Gjithashtu u bëj thirrje këtyre individëve të mos nxisin qytetarë të caktuar të ushtrojnë dhunë apo të mbrojnë individët që kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të inspektoratit gjatë kryerjes së detyrës shtetërore”, tha Hoxha.
Lidhur me dhunën e ushtruar një ditë më parë ndaj inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor, Hoxha tha se menjëherë inspektorati ka bërë kallëzimin përkatës në Komisariatin nr.4, ndaj personit që goditi me mjete të forta inspektorin. Lidhur me këtë ngjarje ku u dhunua në krye të detyrës inspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës.
Inspektori është dhunuar me mjete të forta gjë që është vërtetuar dhe nga ekspertiza mjekoligjore, ndërsa ishte në krye të detyrës, duke prishur një ndërtim pa leje. Menjëherë inspektorati ka bërë kallëzim penal në Komisariatin nr.4 në Tiranë, i cili ka ndaluar dhunuesin e inspektorit. “Bashkia e Tiranës u bën thirrje eksponentëve të PS-së të qëndrojnë larg akteve të dhunës dhe të mos i motivojnë ato. Asnjë presion politik nuk do ta ndalë punën e bashkisë në mbrojtje të ligjit”, ka deklaruar dje zyrtarisht bashkia e kryeqytetit. Lorina Mixha

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.