Ministrave u hiqen buxheti dhe tenderët

Postuar në 20 Shtator, 2011 07:23

Merr jetë projekti i ministrit të Financave, Ridvan Bode, hartuar në vitin 2008, por që në gusht të 2011-s ka hyrë në fuqi.

Bëhet fjalë për ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”, i cili prej disa ditësh ka krijuar pakënaqësi te ministrat, pasi u heq disa kompetenca të forta, siç është hartimi i buxhetit, shpenzimet dhe prokurimet.

Sipas gazetës "Shqip", Ministria e Financave u dha tre vjet kohë dikastereve dhe institucioneve të tjera vartëse, përfshi edhe pushtetin lokal që të merrnin masat për zbatimin e ligjit, në mënyrë që të mos ketë paqartësi.

Ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor”

mësohet përmes neneve të ligjit, kompetencat e ministrave i marrin sekretarët e përgjithshëm, të cilët ndryshe cilësohen ‘nëpunës të autorizuar’.

Ligji konsiderohet ‘kushtetuta’ e financave publike, platforma më e re e disiplinimit buxhetor. Mësohet se jo të gjithë ministrat i kanë dorëzuar kompetencat, pasi nuk është vendosur ndonjë kusht apo kriter për kohën se kur duhet realizuar.

Ndryshimet e forta

Edhe pse ishin vënë në dijeni me kohë për rishikimin e ligjit dhe zbatimit të tij në muajin gusht, pothuajse të gjithë ministrave nuk u ka ardhur aspak mirë për tkurrjen e kompetencave, të cilat zhvendosen te sekretarët e tyre.

Duke filluar me hartimin e buxhetit, mënyrën e shpenzimeve, e deri te pagat dhe shpërblimet, të gjitha këto nuk kalojnë pa firmën e sekretarit, kurse ministrit nuk i mbetet vetëm të drejtojë politikisht institucionin.

“Është krijuar një pavarësi e plotë për menaxhimin e financave. Ministri apo drejtuesit e tjerë nuk kanë më të drejta të kontrollojnë buxhetet apo të hartojnë plane veprimi me shpenzimet. Detyra e tyre është drejtimi i institucionit përmes vendimmarrjes politike dhe asgjë tjetër”, sqaron një burim i Ministrisë së Financave.

Tjetër kompetencë lidhet me raportimin. Në ligj thuhet se do të jenë sekretarët dhe jo ministrat që bëjnë raportimet në Kuvend për buxhetin e shtetit.

Prej kohësh ministri Bode kishte ngritur shqetësimin për mënyrën sesi shpenzoheshin fondet e buxhetit dhe forma e raportimit të tyre.

Financat kishin hartuar me kohë edhe planet e reja të përgatitjes së buxhetit, sipas modelit ‘kosto/përfitim’, në mënyrë që çdo lek i dalë nga arka të japë rezultatin e dëshiruar.

Modeli i ri zbatohet edhe në vende të ndryshme të botës, kurse zv.ministri i Financave, në atë kohë (në 2008) Florion Mima, kur propozonte ndryshimet në Kuvend e konsideronte projektin më të mirin të realizuar ndonjëherë.

Detyrat e sekretarit

Funksionet e reja të nëpunësit autorizues (sekretari i përgjithshëm) janë të shumta dhe të përcaktuara në nenin 19.

Nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes qendrore është punonjësi i administratës publike i nivelit më të lartë të shërbimit civil.

Në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, që nuk janë pjesë e pushtetit ekzekutiv, nëpunës autorizues është punonjësi i nivelit më të lartë menaxhues, kurse nëpunës autorizues në njësitë e qeverisjes vendore është kryetari i njësisë ose zëvendësi i tij, nëse kryetari vendos ta delegojë këtë përgjegjësi.

“Nëpunësi autorizues është përgjegjës për menaxhimin financiar në njësinë e qeverisjes së përgjithshme”, thuhet në nenin 19.

Përgjegjësitë për menaxhimin financiar përfshijnë përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, kontabilitetin, raportimin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të njësisë së qeverisjes së përgjithshme.

Nëpunësi autorizues i njësive të qeverisjes qendrore dhe i njësive të fondeve speciale të qeverisjes qendrore raporton edhe përgjigjet përpara nëpunësit të parë autorizues për përgatitjen, zbatimin, kontrollin e brendshëm financiar, monitorimin, raportimin, kontabilitetin dhe auditimin e brendshëm të buxhetit të tyre.

Të gjithë sekretarët raportojnë te nëpunësi i parë autorizues, që në rastin konkret është sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave.

Me ligjin e ri, sekretari i ministrit Bode merr kompetencat më të mëdha dhe i delegohen një sërë funksionesh të rëndësishme.

Marrë nga Top-channel.tv

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.