Mediat: Kosova me dy universitete publike ilegale

Postuar në 29 Korrik, 2012 04:41

Funksionojnë pa bazë legale dy universitetet publike të themeluara rishtas nga Qeveria, Universiteti i Prizrenit dhe ai i Pejës. 

Ministria e Arsimit i ka funksionalizuar të dyja pa përmbushur kërkesën ligjore që vendimi mbi themelimin e këtyre institucioneve të arsimit të lartë të marrë bekimin në kuvend. 

Neni 9 i Ligjit për arsimin e lartë saktësisht precizon që “bartësit publikë të arsimit të lartë mund të krijohen vetëm me vendimin e Ministrisë, i cili duhet të ratifikohet nga Kuvendi”. Qeveria ka themeluar Universitetin e Prizrenit në tetor të 2009-s, ndërsa dy vjet më vonë Universitetin e Pejës. Të dy janë funksionalë dhe në të vijojnë studimet studentët. 

Siç shkruan “Koha Ditore”, të dy këta bartës publikë kanë licencat e Ministrisë së Arsimit, të marra mbi bazën e akreditimit paraprak. 

Në Agjencinë e Akreditimit kanë treguar se jo gjithçka është në rregull me bazën legale, mbi të cilën funksionojnë këto universitete. 

Ministrit Ramë Buja i është tërhequr vërejtja për këtë. “Në vendimin e sivjetmë të akreditimit është kërkuar që të sqarohet statusi legal i këtyre dy institucioneve. Do të thotë, a janë kryer të gjitha procedurat ligjore për themelimin e tyre”, ka thënë Ferdije Zhushi, kryetare e Këshillit Shtetëror të cilësisë, organit më të lartë vendimmarrës të Agjencisë së Akreditimit. 

Në Ministrinë e Arsimit kanë dhënë një arsye për situatën e krijuar. Por, ndonëse janë pyetur për vendimin, janë përgjigjur për statutet e universiteteve. “Vendimi për ratifikim nuk ka shkuar, sepse ende nuk ka qenë statuti i harmonizuar me ligjin për arsimin e lartë. Ndërkohë, pas themelimit ka ndodhur ndryshimi i ligjit dhe tani statutet duhet të jenë në harmoni me të dhe ne do t’i dërgojmë në momentin kur i miratojnë statutet”, ka thënë Ragip Gjoshi, këshilltarë i ministrit Buja. 

“Statuti i Universitetit të Prizrenit veç është i gatshëm, ndërsa ai i Universitetit të Pejës pritet të finalizohet, dhe ratifikimi bëhet në kuvend”, ka shtuar Gjoshi.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.