Mbyllet listat e zgjedhësve, 1139 të dubluar

Postuar në 14 Maj, 2013 03:13

 

Ministria e Brendshme pranon ekzistencën e mbi 1 mijë rekordeve të personave të dyshuar si të dubluar. Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, publikoi para mediave të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Gjendjes Civile lidhur me ekstraktin e listës së zgjedhjeve. Sipas numrit dy të kësaj ministrie, lista përfundimtare e zgjedhësve përmban 3,270,936 zgjedhës në rang vendi. “Më datë 12.12.2012, janë dërguar në zyrat e gjendjes civile për kontroll 7,674 rekorde të dyshuara si të dubluara. Pas gjenerimit të Listës Përfundimtare më 13 maj, u bënë kontrollet për dublimet dhe rezultuan në fund të procedurave 1,139 rekorde të personave të dyshuar si të dubluara”, theksoi zv.ministri Poni. Sipas tij, numri i dublikimeve është i vogël dhe nuk do të ndikojë në rezultatin final të zgjedhjeve. “Numri është fare i ulët dhe nuk paraqet problem. Nëse nuk kemi informacionin a është dublim apo është person tjetër, nuk mund të hiqen nga lista, por janë shumë pak si numër. Përveç kësaj, askush nuk mundet të votojë dy herë, sepse do të votojë me dokument identiteti, të cilin mund ta marrësh vetëm një herë dhe ai shënohet në mënyrë elektronike, jo vetëm në regjistrat zgjedhorë”, tha Poni. I pyetur rreth çështjes së zgjedhësve pa adresë të saktë banimi, Poni u shpreh se nuk ka asnjë zgjedhës pa adresë zgjedhore të identifikuar. “Ata shtetas që i quani me numrat 888 ose 999, e dinë shumë mirë se në cilën bashki a komunë do të votojnë dhe numrin e qendrës së votimit.

Ajo që nuk dinë bashkitë apo komunat, në gjysmën e të cilave drejtojnë socialistët, është shtëpia ku këta qytetarë banojnë. Ndonjëherë shtëpia mund të jetë në Itali apo Amerikë apo vend tjetër, prandaj nuk ka se si të duket pjesa e adresës së banimit të shtetasit. Kjo vjen për shkak të detyrimit tonë “sine qua non”, që të jetë në listë çdo qytetar mbi 18 vjeç, pavarësisht nëse e dimë apo jo adresën e shtëpisë së tij”, tha Poni. Ministria e Brendshme deklaron se janë ende 750 zgjedhës të cilët nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe nuk janë paraqi- sektur pranë zyrave të zyrave të gjendjeve civile. 3,270,936 zgjedhës janë afishuar qartë pranë 5,506 qendrave të votimit në çdo njësi të qeverisjes vendore. Në listën përfundimtare të zgjedhësve nuk ka asnjë qendër votimi, përveç atyre të lejuara me ligj, që të jenë jashtë kufijve numerikë. Zv.ministri Ferdinand Poni u bëri thirrje edhe njëherë punonjësve të Gjendjes Civile në të gjithë vendit dhe të zgjedhurve lokalë që të përmbyllin procesin e përgatitjes dhe shpalljes së listave përfundimtare të zgjedhësve në çdo njësi vendore, brenda këtyre 24 orëve të fundit, duke i dorëzuar pranë KZAZ-ve.

Opozita rrëzon shifrat e Ponit Por, të dhënat e paraqitura nga zv.ministri Ferdinad Poni janë tepër të ulëta krahasuar me shifrat që jep PSja nga të dhënat e marra prej auditusit të saj. Janë rreth 385 mijë zgjedhës të cilët nuk kanë një adresë të saktë zgjedhore në listën përfundimtare të zgjedhësve, duke vënë në dyshim plotësisht procesin zgjedhor. "Nga raporti që kemi bërë ne me listën e zgjedhësve, ekspertët tanë përfundimisht kanë nxjerrë një shifër prej 25.874 shtetas të dyshuar si të dubluar në listat zgjedhore për zgjedhjet e 23 qershorit. Problematika e dytë zgjedhore që lidhet me listën e zgjedhësve pikërisht me ata zgjedhës që ende figurojnë sot në listën e zgjedhësve pa një adresë të saktë zgjedhore. Kjo shifër në ekstraktin e fundit të përbërësve zgjedhore është 352.337 zgjedhës", do të shprehej në fillim të këtij muaji nënkryetari për Çështjet Zgjedhore, Bledar Çuçi.

Për Partinë Socialiste, kjo listë është e fundit në bazë të kodit zgjedhor dhe nuk ka më asnjë mundësi që të ndërhyhet për të bërë rregullime. Të gjendur përballë këtij fakti, duket se socialistët nuk do të besojnë totalisht vetëm në institucionet shtetërore të cilat do të duheshin të merrnin masat për shmangien e këtyre problemeve. Nënsekretari socialist për çështjet zgjedhore, Bledar Çuçi, thekson se opozita ka ndërtuar një strategji për bllokimin e votimit dy herë nga i njëjti person. "PS-ja ka të gjithë informacionin e detajuar të 25.874 zgjedhësve të dyshuar si të dubluar në lista, se ku ndodhen, ku janë të regjistruar fiktivisht, kush e ka marrë dokumentin e identitetit dhe çfarë qendre votimi janë të regjistruar dhe çfarë familje i përkasin si të dubluar. Garantojmë që asnjë nga këta zgjedhës nuk do të ketë mundësi që në datën 23 qershor të votojë më shumë se një herë për shkak të të qënurit të tyre si të dubluar në listën e zgjedhësve", tha Çuçi. Sipas opozitës, në Qarkun e Tiranës figurojnë rreth 87 mijë zgjedhës pa adresë, në Qarkun e Vlorës 84 mijë, në Qarkun e Korçës 27 mijë dhe në Qarkun e Shkodrës 38 votues pa adresë zgjedhore.

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listat shumemërore të 50 partive, ndërsa ka kthyer për plotësim dokumentacioni listat e 16 partive politike. “Kanë depozituar listat shumemërore 66 parti. Katër janë parti të cilat do të kandidojnë më vete në zgjedhje. KQZ verifikoi dokumentacionin e kandidimit për të gjitha partitë që kanë depozituar listat shumemërore. Nga 66 parti rezulton se për 50 prej tyre KQZ ka vendosur miratimin e listave shumemërore. Për 16 prej tyre KQZ ka vendosur kthimin për plotësim të dokumentacionit. Afat përfundimtar për dorëzimin e dokumentacionit është data 13, që është dita e sotme”- deklaroi zëdhënësja e KQZsë, Drilona Hoxhaj.

 

 

 

SHEKULLI

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.