Mandati i Fidel Yllit: S’kam marrë licencë kur jam bërë deputet, nisma për të më prishur imazhin

Postuar në 05 Mars, 2013 08:41

Këshilli i Rregullores dhe i Mandateve u mblodh sot në një seancë dëgjimore me deputetin e PS-së Fidel Ylli për të shqyrtuar mandatin e tij pas një nisme të 16 deputetëve të PD-së që kanë kërkuar heqjen e mandatit të tij të deputetit.

Në fjalën e tij para komisionit, Fidel Ylli e cilësoi nismën e mazhorancës si të turpshme, të ndërmarrë sipas tij në kohën e gabuar dhe ndaj njeriut të gabuar, duke qenë se jemi në fund të mandatit të tij si deputet dhe kjo nismë nuk ka më asnjë vlerë.

“Unë kam ndjekur të gjithë hapat ligjore dhe rrugët institucionale në lidhje me radion lokale. Në momentin që unë jam bërë deputet nuk kam marrë licencë. Kam bërë kërkesë 3 muaj para se të bëhesha deputet nëse më takona apo jo të rinovoj licencën për radion, por përgjigjja më është kthyer nga kryetarja e KKRT, Endira Bushati vetëm më 28 dhjetor 2009, dhe më thotë se ju tashmë jeni bërë deputet, dhe unë i kam dërguar shkresë kuvendit dhe ILDKP pasi neni kaq thotë se ju keni konflikt, interesi.

ILDKP ka deklaruar se unë nuk jam në konflikt interesi.

Nuk kam hyrë kurrë në tenderë publike, kam pasur një licencë të mbartur. Keni 4 vjet zonja kryetare që këtë shkresë e keni në Kuvend, tani që po mbaron mandati po bëni kërkesë? Ma hiqnit mandatin para 4 vjetësh. Nuk mund të fshiheni ju këtu e të prishni imazhin tim se paskam shkelur Kushtetutën. Kjo që keni bërë është dështim për Parlamentin”,- tha Ylli.

Deputeti Ylli theksoi se e gjithë kjo është një lojë politike e Berishës për të shmangur vëmendjen nga problemet e tjera dhe për t’i prishur imazhin, por shprehu besimin se Gjykata Kushtetuese do të thotë fjalën e saj në përputhje me ligjin.

Deputetët e PD kanë dorëzuar një kërkesë ku kërkojnë heqjen e mandatit të deputetit të PS, Fidel Ylli pasi sipas tyre ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që përcakton se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të tyre.

Në këtë kërkesë ligjore, deputetët e PD-së i kërkojnë Kuvendit që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konfliktit të interesit të deputetit të PS-së.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.