Mandatet e 140 deputetëve, PS takim me ndërkombëtarët

Postuar në 14 Janar, 2013 03:13

 

Gjiknuri sot në hotel “Tirana”, takime me trojkën OBSE-BE-SHBA

Partia Socialiste do të zhvillojë një takim me ndërkombëtarët për çështjet e nxehta të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit të mbetura pezull, si ndarja e mandateve dhe problemet për ngritjen e teknologjisë në zgjedhje. Ngërçi në KQZ, si edhe letra surprizë e sekretares së këtij institucioni që i kërkon Kuvendit të zbatojë ndarjen e 140 mandateve të deputetëve të 2009-s, do të jenë objekt i diskutimeve mes sekretarit për çështjet zgjedhor në PS, Damian Gjiknuri, dhe përfaqësuesve të trojkës së diplomatëve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i dërgoi një letër zyrtare Kuvendit, ku i kërkon që të merret në konsideratë ndarja e 140 mandateve, e aplikuar për zgjedhjet e 28 qershorit 2009, pasi ka dështuar në gjetjen e konsensusit mes shtatë anëtarëve për ndarjen e re. “Nisur nga fakti se për zgjedhjet për Kuvendin 2013 KQZ-ja nuk miratoi caktimin e numrit të ri të mandateve për çdo zonë zgjedhore, në përputhje me nenin 76 të Kodit Zgjedhor ju përcjellim këtë informacion mbi procedurat e ndjekura në zbatim të këtij kodi, me qëllim informimin e Kuvendit dhe përmbylljen prej tij të procedurave të parashikuara nga ky kod në lidhje me këtë çështje. Bashkëlidhur po ju përcjellim vendimin e KQZ-së nr. 2, datë 12.02.2009 “Për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2009”, shkruan në letrën e saj sekretarja e përgjithshme, Mansaku. Më pas, në të theksohej se “deri me kalimin e afatit të ankimit më datë 24.12.2012, vendimi i KQZ-së nuk u ankimua, për rrjedhojë, vendimi nr. 15, datë 23.11.2012 është përfundimtar dhe i formës së prerë”. Letra e dërguar në adresë të sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, e cilëson si të mbyllur çështjen e ndarjes së 140 mandateve të deputetëve dhe pse ligjërisht ka një afat kohor deri më 7 mars të këtij viti. Ky është takimi i dytë që Gjiknuri zhvillon me ndërkombëtarët, ku përveç informimit, opozita paraqet edhe shqetësimet e saj në lidhje me përgatitjen e procesit zgjedhor. Pas takimit të parë më 23 nëntor të 2012-s, Gjiknuri pati deklaruar për mediat se “U shpjeguam përfaqësive diplomatike situatën e krijuar në lidhje me çështjen e ndarjes së mandateve. Dhamë argumentet tona, të gjithë analizën që kemi bërë dhe që është paraqitur edhe në KQZ, por në mënyrë më të përmbledhur për ta. Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi, për të kuptuar se cili është problemi dhe për të parë çdo të bëjmë më tutje”.

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.