Listat në KQZ, rrezikohen 16 parti

Postuar në 14 Maj, 2013 03:14

 

Dje, afati i fundit për 12 aleatë të Ramës dhe 4 të Berishës. Sot vendoset për kandidimin në zgjedhje.  Do përjashtohen nga zgjedhjet nëse nuk heqin emrat e dubluar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë dje thirrje 16 subjekteve zgjedhore që të plotësojnë brenda afatit dokumentacionin, për t’u regjistruar në zgjedhjet e 23 qershorit. Afati i fundit, sipas KQZ-së, për partitë politike është data 13 maj dhe përtej kësaj date subjektet zgjedhore rrezikojnë përjashtimin nga gara. KQZ, nga 66 parti politike që janë në zgjedhje, ka miratuar deri më tani vetëm 50 parti, ndër to subjektet zgjedhore më të mëdha, si PD, PS, LSI, PDIU, PR, PBDNJ, FRD etj. Në listën e KQZ-së janë shënuar me “ngjyrë të kuqe” 16 parti politike, të cilat kanë pasur kandidatë të njëjtë në disa lista shumemërore. KQZ do t’i miratojë sot ose do të refuzojë në mënyrë përfundimtare listat e kandidatëve të 16 partive politike.

Në rast se KQZ do të konstatojë sërish mangësi në dokumentacion, atëherë Kodi Zgjedhor i jep të drejtë që të refuzojë listën e kandidatëve të një partie politike për zgjedhjet e 23 qershorit. Në udhëzimin e KQZ-së thuhet se: “KQZ, jo më vonë se 45 ditë nga data e zgjedhjeve, vendos për ta kthyer dokumentacionin për plotësim të parregullsive të konstatuara.

Subjekti zgjedhor duhet të ridepozitojë dokumentacionin e korrigjuar jo më vonë se 42 ditë nga data e zgjedhjeve. Administrata e KQZ-së, jo më vonë se 24 orë nga ridepozitimi, verifikon dokumentacionin e plotësuar dhe i paraqet KQZ-së raport për rezultatet e verfikimit. KQZ vendos për miratimin ose refuzimin e dokumentacionit të kandidimit jo më vonë se 24 orë nga paraqitja e raportit të administratës”.

TË REFUZUARIT

Nga KQZ janë kthyer mbrapsht listat e 12 subjekteve politike në koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, e drejtuar nga kryesocialisti Edi Rama. KQZ nuk pranoi listat e Partisë Ligj dhe Drejtësi të Spartak Ngjelës, listat e Partisë Socialpunëtore të Ramadan Ndrekës, Partinë Komuniste të Shqipërisë me kryetar Qemal Cicollin, Unitetin Kombëtar të Idajet Beqirit, po ashtu edhe Partinë Pajtimi Kombëtar, me kryetar Spartak Dobin etj.

Ndërsa nga koalicioni i drejtuar nga kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, u kthyen vetëm listat e katër subjekteve politike. KQZ kërkoi korrigjimin nga Lidhja Demokristiane e Nikoll Lesit, Partia Konservatore e Armado Ruços, Partia e Pensionistëve të Shqipërisë, me kryetar Selami Jenisherin dhe nga Lëvizja Shqipëria e Re e Edmond Vlashajt. Këto subjekte zgjedhore kanë pasur kandidatë të njëjtë me subjekte të tjera zgjedhore.

 

 

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.