Kancelarja gjermane Merkel në Athinë, grekët në rrugë

Postuar në 09 Tetor, 2012 03:13

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbërrin sot në Athinë për një qëndrim të shkurtër, vetëm 7 orësh, por vizita e saj do të thotë një mobilizim masiv për kryeqytetin grek. 

7000 forca policie janë në gatishmëri për ruajtjen e sigurisë së Kancelares. 

Në gatishmëri do të jenë forcat e ndërhyrjes së shpejtë MAT, motoçiklistët e forcave DIAS dhe Delta do të patrullojnë rrugët për të parandaluar trazirat, ndërsa nga ajri do të patrullojnë 24 orë helikopterët. Do të mbikëqyret rreptë gjithë rruga që do të bëjë Merkel në Athinë, zona e hotelit ku do të qëndrojë, ambasada Gjermane, Instituti Gëte dhe kompanitë gjermane. 

Policia ka ndaluar çdo tubim publik në kryeqytet nga ora 9:00-22:00, ndërkohë që sindikatat kanë paralajmëruar ndërprerje të punës dhe grumbullime masive në sheshin Sintagma dhe Omonia, gjatë mesditës. 

Pritet që avioni i Merkel të zbresë në aeroportin e Athinës në orën 13:30, ku kancelarja gjermane do të pritet nga kryeministri Antonis Samaras. Më pas Merkel dhe Samaras do të zhvillojnë takimin zyrtar. Në orën 16:45 kancelarja do të pritet nga presidenti Karolos Papulias, dhe më pas, do të marrë pjesë në një aktivitet të Dhomës greko-gjermane të tregtisë, në hotelin Hilton. 

Kancelarja Merkel do të niset menjëherë më pas, drejt aeroportit, për t'u kthyer në Gjermani. 

Kjo është vizita e dytë në Athinë e kancelares gjermane dhe e para nga koha që shpërtheu kriza. Merkel ka ardhur në Greqi dhe para pesë vjetësh në 20 korrik 2007, kur kryeministër ishte Kostas Karamanlis.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.