Ish-anëtarët e UÇK-së në paraburgim

Postuar në 01 Qershor, 2013 06:39

Shtatë ish-pjesëtarët e UÇK-së nga rajoni i Drenicës janë dërguar në paraburgim mesnatën e së premtes. Kjo ka ardhur pasi Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktvendimin mbi ankesën e prokurorit me të cilin është ndryshuar masa e para një jave e arrestit shtëpiak me masën e paraburgimit, i cili do të zgjasë deri më 24 qershor të këtij muajit. 

Arsyeja kryesore për caktimin e paraburgimit, sipas EULEX-it, ishte rreziku për pengimin e procedurës penale, duke ndikuar tek dëshmitarët. “Gjykata e Apelit erdhi në përfundimin se, duke marrë parasysh rrethanat specifike, vetëm paraburgimi mund të mjaftojë kundër rreziqeve të manipulimit të provave”, thuhet në një njoftim për shtyp. 

Ndaj shtatë ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi (aktualisht ambasador i Kosovës në Shqipëri), Sami Lushtaku (kryetar i Komunës së Skënderajt), pastaj Jahir e Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Hysni Thaçi e Avni Zabeli, EULEX është duke zhvilluar hetime me dyshimin se kanë kryer krime lufte në Likoc gjatë luftës së Kosovë. 

Ndaj vendimit ka reaguar Tomë Gashi, avokat mbrojtës i Sylejman Selimit, i cili ka thënë se do ta ankimojnë vendimin të hënën në Gjykatën Supreme, ku do të kërkojnë lirimin pa kusht të tyre. 

“Nuk ka pasur arsye të priten orët e vona të natës që të publikohet një vendim i tillë skandaloz, duke pretenduar se rrëmbimi i çlirimtarëve, me në krye komandantin e tyre, do të zhdukë ose zvogëlojë padrejtësinë e qëllimshme, e cila mund t’i leverdisë vetëm atyre që nga kjo presin destabilizimin e Kosovës”, ka thënë Gashi. 

Një gjykatës i proçedurës paraprake kishte vendosur masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh të shtunën e kaluar dhe kishte hedhur poshtë kërkesën e prokurorit italian të EULEX-it, Maurizio Salustro, për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh. 

Ndalimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, me mijëra qytetarë që protestuan të hënën e kaluar në shenjë paknaqësie ndaj veprimeve të EULEX-it. 

 

TOP CHANNEL

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.