Irani, Romney: S’përjashtohet ndërhyrja ushtarake

Postuar në 27 Korrik, 2012 06:21

Për Shtetet e Bashkuara është i papranueshëm një Iran bërthamor, e për këtë nuk duhet përjashtuar mundësia e një ndërhyrjeje ushtarake. 

Kjo ishte deklarata e kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara, Mitt Romney i cili vazhdon të shpalosë programin e tij politik kur kanë mbetur edhe pak muaj nga gara e 6 nëntorit ku përballë do të ketë presidentin aktual dhe kandidatin demokrat për një tjetër mandat, Barack Obama.

Në një intervistë dhënë për gazetën izraelite, Haaretz, Romney tha se megjithëse mbetet opsioni më i padëshirueshëm për Uashingtonin, ndërhyrja ushtarake nuk duhet përjashtuar për asnjë moment.

“Ndërhyrja ushtarake duhet të jetë gjithmonë gati. Duhet të jemi të përgatitur për të ndërhyrë edhe me forcë nëse të gjitha rrugët e tjera, përfshirë këtu diplomacinë dhe sanksionet dështojnë”, tha kandidati republikan.

Më gjashtë nëntor amerikanët do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe beteja mes republikanëve dhe demokratëve është e ashpër. Përvec ekonomisë dhe reformës shëndetësore ajo që ndan thelbësisht dy kahet e politikës amerikane është edhe politika e jashtme. Republikanët konservatorë janë treguar më “agresivë” në këtë drejtim, ndërsa demokratët të prirur më shumë drejt diplomacisë.

Deri më tani, sondazhet flasin për një avantazh të lehtë të presidentit Obama karshi rivalit republikan. Ky avantazh nuk shkon më shumë se 2-3 pikë përqindje, një shifër e ulët kjo po të kihet parasysh fizionomia e elektoratit amerikan që mund të ndryshojë preferenca politike edhe brenda një jave. 

 

top-channel.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.