Halimi: “Korrupsioni” do të gjykohet te Krimet e Rënda

Postuar në 13 Janar, 2013 14:19

 

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, paralajmëroi dje kalimin e veprës penale të “korrupsionit” në juridiksionin e Gjykatës për Krimet e Rënda.

8 GJYQTARË 30 prokurorë, 6 noterë dhe 7 përmbarues gjyqësorë janë dërguar për procedim disiplinor nga ana e Ministrisë së Drejtësisë gjatë vitit 2012 Njëkohësisht, ministri u shpreh për ashpërsimin e dënimeve për veprat penale të dhunës në familje dhe kundër autoriteteve shtetërore. “Dënimi maksimal për vepra të rënda të mos jetë 25 vjet, sa është aktuali, por deri në 40 vjet”, u shpreh ministri. Ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale ishin një nga reformat që pritet të ndërmerren nga Ministria e Drejtësisë gjatë vitit 2013. Prioritetet e këtij viti në sistemin gjyqësor u prezantuan dje nga ministri i Drejtësisë Halimi, gjatë analizës vjetore të vitit 2012 të institucionit të drejtuar prej tij.

PRIORITETET

Përveç ndryshimeve ligjore në fushën penale, ministri Halimi u shpreh edhe për reformim në fushën civile. “Nëpërmjet reformimit të Kodit Civil, ligjit për noteritë dhe Kodit të Procedurës Civile do të krijohen kushtet për kalimin e dëshmive të trashëgimisë te noterët dhe lehtësimin e lëshimit të urdhrave të ekzekutimit”, tha Halimi. Prioritet tjetër ishte përmirësimi i statusit të gjyqtarëve, në lidhje me rishikimin dhe përmirësimin e pagave të tyre sipas modeleve të Bashkimit Europian. Në kuadrin e dixhitalizimit të sistemit të drejtësisë, ministri Halimi përmendi reforma në dixhitalizimin e regjistrave noterialë, si dhe shtrirjes në të gjithë territorin e vendit të sistemit “one stop shop”. Ish-pronarët ishin gjithashtu në “listën” e prioriteteve të këtij viti për Ministrinë e Drejtësisë. “Reforma në të drejtat e pronësisë nëpërmjet përfundimit të regjistrit elektronik të tokës, miratimit të hartës së vlerës, nxjerrjes së faturës financiare dhe fillimit të kompensimit fizik për ish-pronarët”, u shpreh ministri. Reformë pritet edhe në Avokaturën e Shtetit, duke e shkrirë Avokaturën e Shtetit dhe drejtoritë juridike nëpër Ministri në një të vetme, të quajtur Shërbimi Juridik i Shtetit.

BURGJE PRIVATE

Një nga përparësitë më të rëndësishme për vitin 2013, ministri Halimi vlerësoi ndërtimin e burgjeve tërësisht private të sigurisë së ulët, sipas modelit të SHBAve. Po ashtu, në reformat e pritura për këtë vit është privatizimi i transportit të të dënuarve me rrezikshmëri të ulët. Sipas ministrit, kjo do të sjellë uljen e shpenzimeve, si edhe do të jetë me e efektshme në rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri. “Reforma më e rëndësishme do të jetë ajo që do të prekë sistemin e burgjeve. Ne harxhojmë rreth 30 milionë euro në vit për sistemin e burgjeve. Do të fillojmë me një projekt pilot për privatizimin e shërbimit të transportit për të dënuarit me rrezikshmëri të ulët shoqërore, duke marrë modelin amerikan e atë britanik dhe do të kulmojmë me ndërtimin e një burgu privat. Do të kemi sisteme burgjesh private për të dënuarit me rrezikshmëri të ulët shoqërore, e cila do të shkojë jo vetën në favor të reduktimeve të buxhetit të shtetit, por edhe në favor të riedukimit të të dënuarve”, u shpreh ministri Halimi.

PANORAMA

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.