Gazetari investigativ shmang planin terrorist në Londër

Postuar në 27 Qershor, 2015 05:42

Një plan terrorist i Shtetit Islamik për të shpërthyer një bombë në Ditën e Forcave të Armatosura, në Britani, është shmangur nga e përditshmja “The Sun”.

Gazeta në fjalë njofton në edicionin e saj online se, një atentat vetëvrasës ishte planifikuar të realizohej për të goditur ushtarët gjatë paradës së tyre. 

Pasi ka marrë informacionin, komanda e anti-terrorit në Scotland Yard ka punuar gjatë gjithë natës për të garantuar sigurinë e ushtarëve dhe qytetarëve që do të ndjekin paradën, në zonën Merton, në jug-perëndim të Londrës, e cila ishte vënë në shënjestër të ISIS. 

Grupi terrorist synonte të shpërthente një bombë artizanale, por dështoi pasi një nga liderët e tij në Siri, pa dashje angazhoi një gazetar të infiltruar të “The Sun” për të realizuar planin.

Lajmi vjen një ditë pasi militantët e Shtetit Islamik bënë një masakër me 37 viktima në një nga resortet më të njohura turistike në Tunizi, shumica e të cilave ishin shtetas britanikë. 

Nga raportimet e “The Sun” mësohet më tej se, eksponenti i ISIS i kishte thënë gazetarit: “t’i godasim ushtarët në tokën e tyre”. 

Ai i kishte mësuar reporterit se si të ndërtonte një bombë artizanale me një tenxhere, të cilën ky i fundit do ta fuste në një çantë shpine dhe do ta shpërthente teksa e mbante në kurriz. 

“Kryeterroristi Junaid Hussain, i cili kishte braktisur Britaninë për të vajtur në Siri, mësoi gazetarin se si të bënte bomba, por ky i fundit njoftoi autoritetet”, shkruan “The Sun”. 

Ndërkohë, në një reagim, policia britanike ka deklaruar se masat e sigurisë janë përforcuar. “Inkurajojmë publikun që të ndjekë paradën normalisht”, ka deklaruar një zëdhënës.

/ Top Channel

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.