Fushë Krujë, 4 të dënuar tentojnë të arratisen nga burgu

Postuar në 20 Shtator, 2011 07:24

Katër të burgosur, 3 prej të cilëve të dënuar me burgim të përjetshëm kanë tentuar të arratisen nga qelitë e burgut të sigurisë së lartë në qytetin e Fushë Krujës. Arratia është pikasur në momentin e fundit, nga Forcat e sigurisë të institucionit të cilët janë vënë në alarm dhe kanë arritur të parandalonin planin e të burgosurve.

Policia bën të ditur se ngjarja është shënuar rreth orës 04. 45 minuta, të mëngjesit të sotëm. Protagonistë të arratisjes, ishin Fran Marashi, Altin Kodra, Gëzim Gjuri dhe Prel Vuçaj. Arratisja e 4 të burgosurve u ndalua momentet e fundit.

"Pasi kanë dëmtuar murin e brendshëm të dhomës ku ata qëndronin, kanë prerë 3 hekura të dritares dhe kane dalë nga dhoma, poshtë dritares së tyre, ku janë vënë re nga polici i shërbimit i cili ka njoftuar menjëherë forcat e tjera të policisë së burgjeve."- thuhet në deklaratën për shtyp të Drejtorisë së Burgjeve. Ndërsa NEWS24 raportoi se të burgosurit kishin arritur ti prenin hekurat me prerëse me majë diamanti. Sapo kanë pikasur arratisjen gardianët, kanë vënë alarmin, duke neutralizuar menjëherë të burgosurit, pa arritur të përmbushnin qëllimin e tyre.

Situata e alarmit ka mbizotëruar përgjatë gjithë natës në burg ku forca të shumta policie janë angazhuar për të vendosur normalitetin. Gjithçka është normalizuar vetëm mëngjesin e sotëm rreth orës 06. 30 minuta.

Marrë nga Balkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.