Berisha mbledh mësuesit në Pallatin e Kongreseve: Të votojmë tre ligjet, të zhvillojmë zgjedhje të përparuara

Postuar në 07 Mars, 2013 07:49

 

Kryeministri Berisha mblodhi sot arsimtarët shqiptarë në Pallatin e Kongreseve, në një aktivitet të organizuar nga qeveria shqiptare me rastin e ditës së 7 Marsit, festa e mësuesit.

Berisha deklaroi para mësuesve se Shqipëria është vendi që ka ndryshuar më shumë në këto 20 vite në gjithë historinë e Europës dhe theksoi se mësuesit janë ndryshimi më i madh i kombit

“Fuqia e një kombi përcaktohet nga aftësia e tyre për të ndryshuar. Nëse hedhim një vështrim në këto 20 vite ne do të gjejmë se jemi një nga kombet që kemi ndryshuar më shumë në këto vite në historinë e Europës dhe më gjerë”, – tha Berisha.

Më tej kreu i qeverisë renditi disa nga arritjet e qeverisë së tij në fushën e arsimit, duke deklaruar se rrogat e mësuesve nga viti 2005 deri më sot janë rritur jo 2 fish por 140 fish ndërsa tha se gjatë qeverisjes së tij janë ndërtuar 1302 shkolla të reja, është zvogëluar numri i nxënëseve në klasa dhe është rritur cilësia e arsimtarëve.

Ai premtoi se “në katër vitet që vijnë ju do të jenë në epiqendër, në piedestal në qendër të programit të ardhshëm”

Kreu i qeverisë iu referua edhe situatës parazgjedhore në vend, duke ngulmuar sërish tek votimi i tre ligjeve që do të na çojnë drejt integrimit në Europë.

“Ne jemi të vendosur që t’i votojmë këto ligje, shqiptarët t’i votojnë këto ligje. Kjo pranverë është përcaktuese, është një pranverë e madhe, është pranvera e zgjedhjeve parlamentare. Prandaj, le të bëjmë gjithçka që Shqipëria të ketë zgjedhjet më të përparuara”, tha Berisha.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.