Berisha: Komplotin e Ramës për të rrëzuar Nanon e kam të filmuar

Postuar në 05 Mars, 2013 04:32

 

Ka dështuar përpjekja e fundit për konsensus për të votuar tre ligjet që janë vënë si kusht për statusin e integrimit, çka ka detyruar mazhorancën që të votojnë e vetme kërkesën për mbajtjen e një referendumi popullor për miratimin e tyre. Pas afro 12 orë debat seanca e djeshme e parlamentit ka ofruar surprizën e një tërheqjeje të përkohshme të mazhorancës nga nisma për mbajtjen e referendumit, teksa kryeministri Berisha në këmbim të tërheqjes nga nisma ka ofruar gjetjen e një mirëkuptimi mes palëve me qëllim që tre ligjet të mund të votoheshin në Parlament në ditët në vijim. Për këtë ai ka propozuar që dy krerët e grupeve parlamentare, respektivisht Ruçi dhe  Patozi të takoheshin për të gjetur një zgjidhje të pranueshme që do të sillte votimin e tre ligjeve në Kuvend dhe që do të shmangte referendumin. “Nëse kërkoni kohë për të reflektuar, referendumi bëhet i paqenë nëse ju votoni, ndryshe sovrani do të flasë. Unë ju ftoj në mënyrën më të sinqertë, urdhëroni të votojmë ligjet, por të drejtën e qytetarit për t’u shprehur për çështje të rëndësishme nuk mund t’i mohohet. Ju ftojmë të biem në ujdi të votojmë 3 ligjet. Propozoj që dy kryetarët e grupeve apo të gjithë kryetarët e grupeve të takohen dhe të gjejnë një zgjidhje për të mos shkuar në referendum”, – deklaroi Berisha. Propozim që nuk është marrë parasysh nga opozita, e cila kërkoi me këmbëngulje që Kuvendi të kalonte në proces votimi edhe për këtë çështje, duke u shprehur kundër një tentative të re për bisedime të reja. Në debate e sipër opozita duke parë përpjekjet e mazhorancës për të mos e votuar kërkesën për referendum, ka lënë sallën e Parlamentit, çka në fakt ka gjetur të papërgatitur mazhorancën, e cila ka mbetur në sallë për disa minuta pa ditur sesi të veprojë. Në fund pas një hezitimi ajo ka vendosur të votojë kërkesën, e cila ka marrë vetëm 73 vota pro, ndërsa kreu i qeverisë ka bërë të ditur se pavarësisht këtij votimi i ka lënë sërish dy javë kohë opozitës që në rast se do ndryshojë mendje sa i përket tre ligjeve, referendumi nuk do të mbahet. Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka bërë të ditur se pavarësisht votimit të djeshëm të tre ligjet do mbeten në axhendën e Parlamentit.

Në momentet që Berisha po tentonte të negocionte me opozitën për votimin e 3 ligjeve, ai ka konsumuar edhe një batutë që kaloi jo pa vëmendje në sallë. “A doni të dini ju komplotin si u rrëzua Fatos Nano? T’jua them sot?”- pyeti ai, ndërsa nga pas shpine kryetarja e Kuvendit e nxiste ta tregonte. “Do jua sjell të regjistruar sesi u stis komploti nga Edi Rama me ca bashkëpunëtorë të mi. Dilni nga qerthulli o miq të mi kokëprerë. Se çfarë po bën ai? A ka kryetar partie që merr dhe paraqet një kandidat në Kukës për t’u thënë deputetëve të Veriut, se ia këputa kokën maçokut”. Ndërsa në emër të grupit të PS-së, Fatmir Xhafaj tha se “Nisma është blofi i radhës, populizmi shterpë i Kryeministrit. Gjithkush e di, edhe një profan në kulturë juridike, se referendumi as nuk mund të shqyrtohet dhe as nuk mund të zhvillohet brenda këtij viti. Në rastin më të mirë mbetet për vitin e ardhshëm 2014.”

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.