"Amerika" e Romney: 12 milionë vende të reja pune në 4 vjet

Postuar në 31 Gusht, 2012 07:08

Mitt Romney zotohet të rikthejë Premtimin e Amerikës, ndërsa pranoi nominimin nga republikanët për t'u përballur me Barack Obamën në zgjedhjet presidenciale të 12 nëntorit. Gjatë fjalimit në Konventën Kombëtare në Tampa të Floridës, Romni akuzoi presidentin aktual se ka dështuar të përmbushë premtimet dhe nga ana tjetër, paraqiti një plan për pavarësim energjetike të vendit, shkurtim të defiçitit buxhetor dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Fjala e Romney kulmoi tre ditët e Konventës republikane dhe u ndoq nga miliona qytetarë në gjithë Shtetet e Bashkuara.

"Unë do të doja që Obama të kishte sukses, pasi dua që Amerika të ketë sukses. Por, tani koha ka ardhur për të kthyer faqe, për të lënë pas krahëve  zhgënjimet e katër viteve, ndarjen dhe akuzat"- tha Romney.

Kandidati 65-vjeçar i republikanëve, Mitt Romney mbajti një fjalim paksa të frenuar, thonë analistët, por ai ia arriti qëllimit për t'u shfaqur human, në kundërshtim me akuzat që i janë bërë nga kampi demokrat. Ai premtoi të krijojë 12 milionë vende të reja pune në katër vjet dhe të rimëkëmbë ekonominë, si dhe ta bëjë vendin të pavarur energjetikisht deri në vitin 2020. "Unë do e nis presidencën time me një tur punësimi, presidenti Obama do ta nisë me një tur ndjese?, tha ai.

Ekipi i fushatës së Obamës tha me këtë rast Romney, nuk ka ide të arritshme dhe do ta kthejë vendin pas. Konventa republikane nisi me një surprizë, ndërsa aktori Clint Eastwood mbajti një fjalim drejtuar karrikes bosh ku supozohej të ishte ulur Obama:
"Gjithmonë kam menduar se ishte ide e keqe të kishim një avokat për president. Ata janë gjithmonë duke peshuar gjërat nga të dyja anët. Mendoj se ka ardhur koha që këtë herë të zgjedhim, ndoshta një biznesmen?"

Pas nominimit të Romney dhe Konventës Demokrate javën e ardhshme, Shtetet e Bashkuara nisin numërimin mbrapsht drejt 12 nëntorit, kur pritet të caktohet emri i ri i shefit të Shtëpisë së Bardhë, e sipas sondazheve, pritet të jetë një garë tepër e ngushtë.

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.